Presidenti Meta: Me rastin e përfundimit të misionit të Tij në Shqipëri, prita në një takim Nuncin Apolostik, Sh.T.Imzot Charles John Brown

59
Me rastin e përfundimit të misionit të Tij në Shqipëri, prita në një takim Nuncin Apolostik, Sh.T.Imzot Charles John Brown.
Vlerësova rolin e Tij aktiv dhe kontributin e dhënë për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë dhe i urova suksese në misionin e tij të ri në Filipine.
Vatikani ka qenë dhe është një partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në përpjekjet e tyre për liri, si dhe në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian.
Vizitat historike të Papa Gjon Pali II dhe Papa Françeskut në Shqipëri, janë një gur themeli në marrëdhëniet tona të shkëlqyera.
E falenderova për iniciativat dhe realizimin e projekteve ndër vite nga Selia e Shenjtë në fushën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, si dhe për mbështetjen sociale.
Vlerësova Universitetin Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, si një nga universitetet më të mira në vend dhe inkurajova për të mundësuar hapjen e institucioneve të tjera arsimore të këtij niveli.
Çmova ndihmën që Vatikani ka dhënë për të adresuar pasojat e tërmetit në Shqipëri, si dhe veprimtaritë bamirëse në mbështetje të njerëzve më në nevojë, në shumë vende të botës, gjatë pandemisë COVID-19. 🇦🇱🤝🇻🇦