Sigal

Në kuadër të vizitës shtetërore në San Marino, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, mbajti një fjalë solemne në Parlamentin e San Marinos, Këshillin e Madh dhe të Përgjithshëm.

Në fjalën e tij Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e tradicionalisht miqësore mes shqiptarëve e sanmarinezëve, si dhe evidentoi vlerat e përbashkëta historike që dy popujt ndajnë prej shekujsh me njëri-tjetrin.

Duke iu referuar historisë së San Marinos, për liri, pavarësi dhe sovranitet, Presidenti Meta nënvizoi se, këto vlera dhe të tjera në shekuj na bashkojnë për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë në dobi të vendeve dhe popujve tanë.

 Këto vlera që bashkëndajmë prej shekujsh dhe në mënyrë të e bëjnë miqësinë midis dy popujve shumë të fortë e të qëndrueshme – nënvizoi Presidenti Meta.

Kjo miqësi vjen që në kohët e lavdishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe qëndresës së tij heroike gjatë së cilës disa kalorës sanmarinezë luftuan përkrah tij.

Presidenti Meta në fjalën e tij shprehu gjithashtu kënaqësinë për interesin, vullnetin dhe gatishmërinë që dy vendet kanë demonstruar, veçanërisht në vitet e fundit, për të intensifikuar marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit.

Edhe në Parlamentit të San Marinos Presidenti Meta theksoi se “Qëllimi kryesor i vizitës sime në San Marino është që sentimentet e mëdha të miqësisë, t’i kthejmë në bashkëpunim të fuqishëm e të dobishëm ekonomik e kulturor. Aty ku ka vullnet e dëshirë çdo gjë realizohet”, – u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti Meta përshëndeti vendimin më të fundit të Qeverisë së San Marinos për çeljen e Ambasadës së saj në Tiranë dhe nënvizoi se kjo është një ngjarje historike në marrëdhëniet midis dy vendeve, që do t’i japë një shtytje të fuqishme bashkëpunimit midis dy vendeve.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta, nënvizoi se Shqipëria dhe San Marino janë dy vende me vokacion të qartë evropian dhe që aspirojnë të jenë pjesë e tregut të përbashkët evropian. Kjo i bashkon dhe e forcon më shumë bashkëpunimin politik, ekonomik, tregtar e kulturor midis dy vendeve – theksoi Presidenti Meta.

Ndërsa Kapitenët Regjentë të San Marinos, në fjalën e tyre theksuan se, vizita e Presidentit Meta realizohet në shenjën e miqësisë dhe të vullnetit të përbashkët për, të punuar së bashku për qetësinë e të dy vendeve dhe për ecjen e pandalshme drejt një bote në paqe dhe harmoni të vërtetë.

Sipas tyre, vizita e Presidentit Meta na jep mundësinë për të bërë të njohur edhe më mirë Republikën e lashtë të Titanit, karakteristikat e saj sovrane dhe vokacionin e saj aktual, duke konsoliduar, me kombin mik shqiptar, një traditë marrëdhëniesh të lindur dyzet vjet më parë, e cila edhe sot është ende shumë e zjarrtë.

San Marino dhe Shqipëria janë të pasura me një histori mijëravjeçare dhe një rrugëtim qytetërimi të madh, brenda të cilit identiteti ka një rëndësi krejtësisht të veçantë – nënvizuan Kapitenët Regjentë.

Kapitenët Regjentë nënvizuan ndër të tjera edhe se, të dy vendet kane ecur drejt një integrimi efektiv në tregun e përbashkët, edhe pse me një status të ndryshëm kundrejt institucioneve evropiane, na bashkon një proces i ndjeshëm reformash që ka nisur brenda nesh dhe që është njohur sot nga organizmat kryesore shumëpalëshe.

Sipas tyre, Republika e San Marinos bashkëndan me Shqipërinë çështjet e mëdha me të cilat sot, sot që të dyja, edhe pse me format dhe modalitetet e tyre përkatëse, duhet të përballen në nivel global dhe, në mënyrë më të veçantë, përjetojnë me shqetësim të thellë fenomenin e migrimit, i cili e ka kthyer pellgut fqinj të Mesdheut në teatrin e trishtuar të emergjencës së re.

“Shqipëria po luan dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj, të mbështetur nga vendet që, si Republika e San Marinos, e njohin veten në vlerat dhe parimet e demokracisë dhe te lirisë, të cilat e refuzojnë urrejtjen dhe intolerancën dhe që mbështesin dialogun midis popujve, kulturave dhe feve”, – theksuan Kapitenët Regjentë.

Fjala e plotë e Presidentit Meta në Parlamentin e San Marinos

 

Të nderuar Shkëlqesi Kapitenë Regjentë,

Të nderuar anëtarë të Kongresit të Shtetit,

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Madh e të Përgjithshëm,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Zonja dhe zotërinj,

 

Jam shumë i lumtur të filloj këtë vizitë, pasi San Marino ka pasur një vend shumë të veçantë, jo vetëm tek unë, por edhe ka një vend të veçantë te të gjithë shqiptarët.

Sepse historia e San Marinos e sakrificat e jashtëzakonshme të këtij populli për pavarësi për sovranitet dhe afirmim është një ftesë për të gjithë, për t’i ruajtur këto vlera kaq të rëndësishme.

Po kështu sa herë që shoh San Marinon, jo vetëm unë, por edhe shumë shqiptarë, mendja na shkon te kryeqendra e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, qyteti i Krujës, pasi kanë një ngjashmëri të jashtëzakonshme.

Aq më tepër gjatë këtij viti, të cilin ne e kemi shpallur si vitin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ne jemi krenarë që heroi ynë kombëtar Skënderbeu, për më shumë se 25 vjet ndaloi në anën tjetër të Adriatikut perandorinë më të madhe të kohës, që të kalonte në anën këtej të Adriatikut.

Ndaj edhe Papa Piu II do ta shpallte atë në mirënjohje të kontributit të jashtëzakonshëm për të mbrojtur vlerat e qytetërimit evropian si “Atleti i Krishtit”. Ajo që shqiptarët nuk mund të harrojnë është se në kohën që heroi ynë kombëtar ndeshej me perandorinë më të madhe të kohës shumë vende të tjera të zhvilluara, të pasura dhe të mëdha bënin sehir, por jo San Marino, që mori pjesë në mbrojtjen e Krujës dhe në përkrahjen e Skënderbeut me disa nga kalorësit e saj më të mirë të asaj kohe.

Dhe kjo do të thotë shumë për ne dhe më shumë për dy popujt tanë. E vetmja vështirësi për ne është të takojmë një shqiptar me një sanmarinez, pastaj çdo gjë është e lehtë, sepse të dy popujt tanë janë popuj me vlera të jashtëzakonshme, janë popuj me zemër të hapur, mikpritës dhe bujarë, edhe me fjalën e dhënë apo kodin e besës.

Ashtu sikurse San Marino u ka ofruar mbrojtje dhe siguri shumë figurave të shquara të Italisë e të Evropës, ashtu sikurse San Marino ka pritur në rrethana mjaft të vështira një numër të pabesueshëm të refugjatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo ka ndihmuar shumë hebrenj, edhe ne jemi krenarë për kontributet që kemi dhënë.

Dua të them se ne jemi shumë krenarë që Shqipëria, si rrallë ndonjë vend tjetër në këtë kontinent pati pas Luftës së Dytë Botërore shumë herë më tepër hebrenj se sa para luftës dhe asnjë prej tyre nuk iu dorëzua nazistëve.

Ashtu sikurse kemi një histori mjaft të çuditshme me ushtarët italianë, të cilët luftuam për aq sa ishin pushtues, por pas kapitullimit të Italisë fashiste mijëra prej tre u strehuan dhe u mbrojtën prej popullit shqiptar nga pushtuesit nazistë.

Edhe kohët e fundit ne dhamë një provë të rëndësishme të solidaritetit duke mbajtur për muaj të tërë rreth 1 milionë refugjatë nga Kosova në Shqipëri gjatë periudhës së genocidit serb. Jemi krenarë që kombi ynë i ka dhënë mbarë njerëzimit një Shenjtore si Nënë Tereza. Dhe kemi dy figura që duken si të ndryshme, por janë mjaft komplementare, që kemi krijuar si komb, Skënderbeun dhe Nënë Terezën, duke respektuar kështu edhe karakterin e kombit tonë, qëndresën dhe humanizmin.

Dy vjet më parë, me rastin 40-vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, Shqipërinë e vizituan për herë të parë, në një vizitë historike, Kapitenët Regjentë, të nderuarit, Gian Nicola Berti dhe Massimo Andrea Ugolini. Dhe unë pata kënaqësinë që si Kryetar i Kuvendit në atë kohë që t’i prisja dhe prej asaj vizite mjaft gjëra kanë marrë një dinamikë më të fortë në marrëdhëniet tona.

Sot unë jam këtu i vendosur që këtë miqësi të madhe historike dhe njerëzorë ta kthej në një bashkëpunim më të fuqishëm e të dobishëm ekonomik dhe shoqëror.

Të nderuar zonja e zotërinj,

Në bashkëbisedimin e sotëm me Kapitenët Regjentë, u fokusuam në shumë çështje me interes, dypalësh, rajonal apo shumëpalësh. Dhe jemi të bindur që shumë shpejt marrëdhëniet e gjithanshme mes Shqipërisë dhe San Marinos do të jenë shumë herë më të suksesshme, më konkrete dhe më të prekshme për dy vendet dhe popujt tanë.

Në veçanti dëshirojmë të ftojmë të gjithë sipërmarrësit sanmarinez të shohin mundësitë që Shqipëria si një destinacion mjaft i afërt dhe si një vend me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim u jep atyre për të investuar dhe për të qenë të suksesshëm në Shqipëri dhe në rajon.

Të gjithë duhet ta kenë të qartë se Shqipëria është jo vetëm një vend evropian, që pret vitin e ardhshëm të çelë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, po njeh një stabilitet dhe një përmirësimi të vazhdueshëm të klimës së biznesit, por është edhe një vend që të gjithë sanmarinezët dhe sidomos sipërmarrësit, duhet ta dinë që ushqen një dashuri të veçantë për San Marinon.

Dhe këtu një rol të veçantë, përveç historisë, kanë edhe të gjithë ata shqiptarë të cilët pas viteve ‘90, në kushte mjaft të vështira për Shqipërinë erdhën në San Marino, u mirëpritën dhe një pjesë e të cilëve, mjaft personalitete të shquara sidomos në fushën e sportit, u kthyen në Shqipëri dhe sollën përshtypjet më të mira për San Marinon dhe popullin sanmarinez.

Nuk mund të rri pa përmendur këtu Ambasadorin Giuseppe Maria Della Balda, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për marrëdhëniet midis dy vendeve tona por edhe për dashurinë tonë për San Marinon.

Sot kemi tre studentë sanmarinezë të cilët studiojnë në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shqipëri për mjekësi, të cilët sapo të kthehem në Tiranë do t’i ftoj në një takim të veçantë. Dhe shpresojmë që shumë të rinj të tjerë sanmarinezë të vijnë për të studiuar në Shqipëri, jo vetëm për mjekësi, por edhe në fusha të tjera, ashtu sikurse kemi me qindra studentë nga Italia.

Në këtë mënyrë do të krijojnë edhe lidhje të reja, më të forta, më premtuese për të ardhmen e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe San Marinos. Dhe së fundmi, jetojmë në epokën e globalizimit dhe vendet tona, si vende modeste, e kanë të vështirë të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve të këtyre përmasave, por këto zhvillime sikurse kanë mjaft risi pozitive kanë edhe një kërcënim të madh për vendet tona.

Ndaj duke qenë dhe më pranë njëri-tjetrit, duke mbështetur njëri-tjetrin, duke mësuar nga njëri-tjetri, duhet t’i theksojmë akoma më fort të gjitha ato vlera që duhen ruajtur dhe duhen mbrojtur, që kanë të bëjnë me identitetin tonë kombëtar, kulturo, historik. Në mënyrë që kombet tona, sikurse kanë ekzistuar për mijëra vjet, të vazhdojnë të afirmohen dhe të lulëzojnë me dinjitet edhe në të ardhmen e pafundme.

Zoti e bekoftë San Marinon dhe miqësinë e San Marinos me Shqipërinë! Faleminderit për vëmendjen dhe ftesën.