Presidenti Meta: Marrja e të dhënave të qytetarëve nga PS, shkelje e papranueshme. SPAK të hetojë

261
Sigal

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot nga Pogradeci se përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve nga ana e Partisë Socialiste është një shkelje e rëndë ligjorë që duhet hetuar nga institucionet.
Kreu i shtetit tha për gazetarët, se marrja e të dhënave personale të qytetarëve dhe punonjësve të administratës është një formë presioni që duhet të marrë fund.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kërkuarnga SPAK dhe institucionet e drejtësisë të hetojnë për vjedhjen e të dhënave të qytetarëve. Ai akuzoi  PS për një gjest të papranueshëm dhe të poshtër.

“Kam një kërkesë drejtuar SPAK dhe institucioneve të drejtësisë për të hetuar me shpejtësi ngjarjen më të fundit, skandaloze atë të keqpërdorimit dhe të vjedhjes nga ana e PS në çdo lloj forme që kjo ka ndodhur të të dhënave personale të të gjithë qytetarëve shqiptarë, të dhëna që mbrohen nga ligji dhe që përdoren vetëm për interesin publik. Është një shkelje e papranueshme dhe e poshtër e çdo norme dhe çdo morali për të vendosur bazën e të dhënave personale në dispozicion vetëm një force politike, të asaj që ka kapur shtetin dhe që nuk pranon të lërë pushtetin dhe për këtë arsye përdor këto forma të poshtra dhe për këtë arsye iu bën presion qyt shqiptarë. Koha që shqiptarët që kishin frikë nga qeveria ka mbaruar përgjithmonë, data e fundit ishte 2 marsi”,- tha kreu i shtetit.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

INSTITUCIONI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

 

Nr. _______Prot.                                                                                   Tiranë, më ____.____2021

 

Lënda:   Kërkohet nisja e hetimeve mbi keqpërdorimin e të dhënave personale të qytetarëve Shqiptarë dhe të bazës së të dhënave shtetërore nga Partia Socialiste

STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

                              PROKURORISË SË TIRANËS

ORGANEVE DREJTUESE TË KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE

Për dijeni:                                               OSBE/ODIHR

MISIONI I LIMITUAR PËR VËZHGIMIN E ZGJEDHJEVE

PRANIA E OSBE-SË  NË SHQIPËRI

DELEGACIONI I BASHKIMIT EVROPIAN NË SHQIPËRI

AMBASADA E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

AMBASADA BRITANIKE

Tiranë

                                                                                                                       

Nisur nga të dhënat e denoncuara publikisht ditën e djeshme nga ish-deputeti Enkelejd Alibeaj dhe atyre të bëra publike në median sociale[1], ka rezultuar se strukturat politike të Partisë Socialiste, mbajnë, administrojnë, përdorin dhe përpunojnë një bazë të dhënash në format elektronik, me tregues sensitive individuale dhe konfidenciale të shtetasve me të drejtë vote në Republikën e Shqipërisë. Sipas asaj që është bërë publike, rezulton se ky model formati, që administrohet dhe përpunohet nga Partia Socialiste, ka të dhëna të njëjta me ato që administrohen nga AKSHI, përmes portalit e-Albania.

 

Përdorimi i të dhënave personale që administrohen nga një Regjistër Publik shtetëror, si ai i AKSH-it, është nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur përgjatë kësaj fushate zgjedhore. Përdorimi i bazave të të dhënave shtetërore, nga një subjekt politik si Partia Socialiste, e cila është dhe forcë qeverisëse, për qëllime shantazhi, intimidimi, ndërveprimi me zgjedhësit, për të siguruar votën dhe mbështetjen e tyre, si dhe grumbullimi e përpunimi i këtyre të dhënave në mënyrë të paligjshme, përbën jo vetëm veprimtari të ndaluar nga neni 91 i Kodit Zgjedhor, por përmban elementë të disa veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal, duke filluar nga shpërdorimi i detyrës (neni 248, i Kodit Penal) konsumuar nga funksionarët që kanë për detyrë të administrojnë dhe mbrojnë këto të dhëna, deri të “Përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a, i Kodit Penal.

 

Të dhënat personale të çdo shtetasi, që këta të fundit i depozitojnë në institucionet publike dhe që administrohen në bazat e të dhënave shtetërore, janë personale, mbrohen me ligj, dhe kanë për qëllim përdorimin e tyre vetëm për interesin e shtetasve dhe të shtetit.

 

Çdo përdorim i këtyre të dhënave, qoftë dhe për të furnizuar baza të tjera të dhënash që krijohen nga një parti politike për qëllime të saj, është një cenim skandaloz i të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që veç të tjerave krijon terren për keqpëdorimin e tyre.

 

Presidenti i Republikës, i shqetësuar nga ky skandal i denocuar tashmë publikisht, i kërkon SPAK-ut, të nisë menjëherë hetimet, duke marrë pa vonesë masat e nevojshme për të administruar dhe sekuestruar jo vetëm provat që faktojnë këtë veprimtari të paligjshme, por edhe për të ruajtur dhe ndaluar abuzimin që kryhet me të dhënat personale të shtetasve, nga Partia Socialiste në këtë proces zgjedhor.

 

Të dhënat e publikuara, jo vetëm që evidentojnë një veprimtari të paligjshme, të konsumtuar në formë të organizuar, por nga ana tjetër, cenojnë rëndë integritetin dhe besimin e publikut në paanshmërinë e organeve kryesore të shtetit si SPAK, SHISH, etj.[2] Kjo është një arsye më shumë, për nevojën urgjente që paraqet hetimi i këtij rasti.

 

Presidenti vlersëson se, në një situatë të tillë, nuk mjafton vetëm nisja e hetimeve për rastin konkret, por SPAK duhet që me veprime konkrete proaktive, të parandalojë dhe hetojë çdo lloj veprimtarie që cenon të drejtën për zgjedhje të lira e të ndershme, mbi të gjitha për të rikthyer edhe besimin e qytetarëve tek funksionimi i drejtësisë, pavarësia e saj, dhe ndëshkimi i shkelësve të përsëritur të ligjit.

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

 

Ornela Zonja

[1] https://lapsi.al/2021/04/11/ekskluzive-si-na-monitoron-rilindja-nr-e-telefonit-nr-id-vendet-e-punes-te-dhenat-konfidenciale-per-910-mije-votues-te-tiranes/

[2]https://lapsi.al/2021/04/12/dokumenti-sekret-si-i-pergjon-ps-prokuroret-e-spak-sa-prej-tyre-jane-votues-te-sigurte-te-rilindjes-faksimilet/

https://lapsi.al/2021/04/12/kulmi-rilindja-i-vuri-patronazhist-edhe-shefit-te-sherbimit-informativ-shteteror/