Presidenti Meta kërkesë Nikollës për krijimin e dekoratës “Mbretëresha Geraldinë”: Do t’u jepet grave dhe vajzave

218
Presidenti Ilir Meta i ka bërë kërkesë kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, për të krijuar dekoratën e lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.

Sigal

Në një postim në Facebook, Meta shkruan se kjo dekoratë e lartë “do t’u jepet grave dhe vajzave të cilat jo vetëm e duan Atdheun me mendje e me zemër, por e shpalosin këtë dashuri në promovimin e Shqipërisë dhe vlerat tona historike, kulturore, përkatësinë e fortë europiane dhe trashëgiminë tonë të çmuar”.

 

Postimi i plotë i Presidentit Ilir Meta

Në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorit të rikthimit në Atdhe të Familjes Mbretërore shqiptare kam vendosur t’i kërkoj bashkëpunimin Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla për krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.
Kjo dekoratë, në vlerësim, në respekt dhe në nderim të përkushtimit, angazhimit dhe dashurisë së Mbretëreshës Geraldinë për Shqipërinë, vendin që ajo nuk e harroi kurrë, do t’u jepet grave dhe vajzave të cilat jo vetëm e duan Atdheun me mendje e me zemër, por e shpalosin këtë dashuri në promovimin e Shqipërisë dhe vlerat tona historike, kulturore, përkatësinë e fortë europiane dhe trashëgiminë tonë të çmuar.
Kjo dekoratë e lartë do të vlerësojë njëkohësisht, për merita të jashtëzakonshme, për shërbime të shquara dhe sakrifica të mëdha, për përkushtim, angazhim dhe kontribute të vyera në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi rolin e pazëvendësueshëm të gruas në familje e në shoqëri e institucione dhe fuqizimin e kontributit të saj thelbësor në procesin e europianizimit të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Europian.