Presidenti Meta i uron 100-vjetorin veteranit të LANÇ: Rrallë ke mundësi të takosh një shembull kaq frymëzues

262
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka uruar 100-vjetorin e lindjes veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Hamit Balla teksa tregon se ka kaluar momente festive me të afërm e miq të familjes së tij.

Meta shkruan se rrallë ke mundësit të takosh një shembull kaq frymëzues personaliteti si veterani 100-vjeçar duke i uruar shëndet në shekullin e dytë të jetës.

Kreu i Shtetit tregon dhe kënaqësinë më të madhe gjatë kësaj vizite në Sukth të Durrësit.

POSTIMI:

Dje në Sukth, në shtëpinë e veteranit shekullor të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hamit Balla, për t’i uruar jubileun e artë, 100-vjetorin e lindjes.

I lumtur të kalonim momente festive në një mjedis të ngrohtë, së bashku me dhjetëra të afërm e miq të familjes Balla, nga Hurdhë Muhuri i Dibrës, të shquar për tradita patriotike.

Rrallë ke mundësi të takosh një shembull kaq frymëzues personaliteti si Hamit Balla, ku të jenë jetësuar në mënyrë madhështore atdhedashuria, patriotizmi, fisnikëria, trimëria, mençuria dhe urtësia e dibranit.

Me memorie të kthjellët, si luftëtar i pamposhtur në Luftën e Dytë Botërore, ndamë shumë vlerësime për gjithçka ka ndodhur në Shqipëri këtë shekull dhe mësimet që duhet të nxjerrin gjeneratat e reja për të mos lejuar përsëritjen e gabimeve të së kaluarës.

Nuk pata kënaqësi më të madhe se të këndonim së bashku “Na këndojnë pushkët nëpër kulla” të rapsodit të madh dibran, Qerim Sula.

E festofsh shekullin e dytë të jetës tënde me shëndet të plotë e mbarësi, Hamit Balla.