Presidenti Meta dekreton ligjin e marrëveshjes me Zvicrën, 8.8 milionë euro në projektin “aftësi për punë”

187
Sigal

Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka shpallur me dekret miratimin e Ligjit nr. 78/2021, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për projektin “Aftësi për punë”, Faza 2, 2019-2023”.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Konfederata Zvicerane parashikon t’i japë vendit tonë, deri më 30 gusht 2023, fonde në formën e grantit të parimbursueshëm, në vlerën maksimale prej 9.6 milionë frangash zvicerane (rreth 8.8 milionë euro).

Këto fonde do të përdoren për realizimin e projektit “Aftësi për punë”, faza e dytë.

Risitë e kësaj marrëveshje janë:

-Gjeneratat në moshë të re nga të gjitha grupet sociale në Shqipëri të gjejnë mundësi të mira dhe fitimprurëse punësimi falë përmirësimit të aftësive.

-Gjeneratat në moshë të re të kenë akses në arsim performues me orientim drejt tregut të punës dhe ofrimit të trajnimit në sektorë me potencial zhvillimi.

-Sektori privat merr përsipër përgjegjësinë për përcaktimin, ofrimin dhe financimin e arsimit e formimit profesional në nivel ofruesi.

Presidenti i Republikës gjen rastin të vlerësojë ndihmën e drejtpërdrejtë të Konfederatës Zvicerane, veçanërisht në rastin konkret, për të kontribuar në mbështetjen e moshave të reja të të gjitha grupeve sociale në Shqipëri, përmes projekteve për përmirësimin e aftësive profesionale.