Presidenti Meta dekoron me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Ambasadorin e Republikës Çeke, Sh.T.Z. Jaroslav Ludva

224
Sigal

Presidenti Meta dekoron me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Ambasadorin e Republikës Çeke, Sh.T.Z. Jaroslav Ludva: Shembull i diplomatit që respekton Shqipërinë, popullin, traditat, zakonet dhe kulturën, institucionet dhe ligjet shqiptare. Kontribut të vyer nëmbështetje të integrimit europian të vendit tonë

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi Ambasadorin e Republikës së Çekisë në vendin tonë, njëkohësisht edhe Dekanin e Trupit Diplomatik, Shkëlqesinë e Tij Zotin Jaroslav Ludva me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të çmuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe për mbështetjen e procesit të integrimit evropian të vendit tonë si dhe për angazhimin e tij në çështje të rëndësishme civile, në ndihmë të komunitetit dhe institucioneve shqiptare”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar ambasadorëve të pranishëm dhe pjesëmarrësve në ceremoni, Kreu i Shtetit u  shpreh:

“Të nderuar miq,

Të nderuar ambasadorë,

I dashur ambasador Ludva!

Është kënaqësi e veçantë të organizoj këtë ceremoni dekorimi për ju, në prag të përfundimit të misionit tuaj diplomatik në Tiranë.

Marrëdhëniet mes dy vende dhe popujve tanë tradicionalisht shumë miqësore janë zhvilluar dhe intensifikuar vitet e fundit, falë vullnetin reciprok për t’i çuar më tej, jo vetëm në nivelin politik, por edhe ato të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, turizmit, në fushën e arsimit, shkencës, artit dhe kulturës.

Në këtë kontekst vendoset edhe kontributi i Ambasadorit Ludva gjatë misionit të tij diplomatik në Shqipëri që prej janarit të vitit 2017.

Marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Çekisë kanë jo vetëm aspektin dypalësh, por edhe atë në kuadër të NATO-s, të OKB-së, OSBE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare shumëpalëshe.

Kjo ceremoni vlerësuese për kontributin e Ambasadorit Ludva në Shqipëri është një rast, për të shprehur  mirënjohjen për mbështetjen e vyer, që Republika Çeke vazhdon t’i japë Shqipërisë, në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, e njëkohësisht edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal të vendeve të Vishegradit me Ballkanin Perëndimor.

Ambasadori Ludva me të drejtë mund të krenohet për përkushtimin, kontributin dhe arritjet e tij edhe në këto aspekte të rëndësishme të marrëdhënieve mes vendeve dhe popujve tanë.

Karriera diplomatike e Ambasadorit Ludva është lavdëruese. Përpara së të vinte në Shqipëri ai, pas një përvoje të spikatur si ekspert i diplomacisë ekonomike, ka qenë Ambasador në Uzbekistan, në Filipinet, në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe zëvendësministër i Jashtëm për Çështjet Europiane.

 

Një nga veçoritë e karrierës së tij diplomatike prej gati tre dekadash është edhe aftësia e tij për të folur disa gjuhë të huaja. Duke folur gjuhën tonë të dashur shqip dhe me njohuritë e tij për traditën dhe kulturën e popullit tonë, ai ka pasur avantazhin e madh të jetë edhe më i suksesshëm në misionin e tij diplomatik në Shqipëri.

 

Ai ka mundur të kuptojë edhe më mirë shoqërinë shqiptare dhe shqiptarët, duke pasqyruar edhe më realisht ngjarjet, fenomenet dhe gjithçka ka ndodhur dhe ndodh në Shqipëri, për të përshtatur politikën e vendit të tij, me zhvillimet dinamike të Shqipërisë.

 

Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Ambasador Ludva ka provuar se është një mik i vërtetë i popullit shqiptar, duke ju gjendur atij në krah në momentet e vështira.

 

Ai ka kontribuar personalisht, duke sjellë në Shqipëri grup inxhinierësh strukturore çekë, që falë përvojës së tyre, ndihmuan në përzgjedhjen e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i muajit nëntor të vitit 2019, si dhe falë ndihmës së konsiderueshme financiare të qeverisë çeke, të mundësohet rindërtimi i plotë i shkollës 9-vjeçare të fshatit Lalm në Tiranë.

 

Ambasadori Ludva u angazhua intensivisht për të sjellë në Shqipëri 2 helikopterë dhe një ekip të specializuar çek, në ndihmë të popullsisë shqiptare dhe forcave tona të emergjencave civile, për të shuar dhe administruar zjarret e verës së shkuar në Shqipëri.

 

Gjatë veprimtarisë së tij diplomatike si Ambasador në Shqipëri, ai ka dhënë një kontribut të madh në avancimin e marrëdhënieve, në të gjitha fushat, mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke.

Të nderuar pjesëmarrës,

 

Ambasador Ludva mbetet mishërimi i një diplomati i cili përmbush qëllimet dhe realizon përparësitë e vendit që përfaqëson dhe shembull i diplomatit që respekton vendin, popullin, traditën, zakonet dhe kulturën e tij, institucionet shqiptare dhe ligjet e vendit në dobi të së ardhmes së përbashkët euroatlantike, ndaj sot kam kënaqësinë të vlerësoj Ambasadorin me titullin e veçantë “Për Merita të Veçanta Civile”.

 

Dua ta siguroj Ambasadorin Ludva se ai do të mirëpritet gjithmonë në Shqipëri, edhe pasi të jetë larguar nga vendi ynë, si një mik i vërtetë, i vendit dhe i popullit shqiptar.

Dhe unë ju uroj shumë suksese në të ardhmen tuaj!

 

Ju faleminderit!