Presidenti Meta dekoron me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” atletët e mirënjohur Rauf Dimraj dhe Pavllo Mihali

236
Sigal

Ditën e sotme Presidenti i Republikës,  Ilir Meta dekoroi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” sportistët rekordmenë Rauf Dimraj dhe Pavllo Mihali për kontributet e shkëlqyera dhe rezultatet e larta në atletikë.

Zoti Rauf Dimraj u dekorua nga Kreu i Shtetit “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shkëlqyer në sportin e atletikës, si atlet kampion dhe rekordmen me Klubin Sportiv ‘Dinamo’ si dhe Ekipin Kombëtar. Me mirënjohje për trajnerin e Ekipit Kombëtar të atletikës me rezultate të larta në veprimtaritë ndërkombëtare si dhe hartues i platformës shkencore të edukimit fizik në Shqipëri.”;

Ndërsa zoti Pavllo Mihali “Në vlerësim për kontributin dhe talentin si atlet i spikatur i Klubit Sportiv ‘Tirana’ dhe Ekipit Kombëtar; i spikatur në garën e kërcimit me shkop; si dhe kampion dhe rekordmen për vite me radhë i dalluar nga rezultatet e shkëlqyera në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar atletëve të dekoruar, familjarëve dhe kolegëve të tyre, Presidenti i Republikës u shpreh:

“E konsideroj privilegj dhe kënaqësi të nderoj dy personalitete të shquara të atletikës tonë, dy kampionë dhe rekordmenë të jashtëzakonshëm, që me rezultatet e tyre kanë ngritur prestigjin dhe dinjitetin e sportit tonë në botë. Dua t’ju shpreh mirënjohjen dhe t’ju falënderoj nga zemra, për gjithë arritjet tuaja në gjithë jetën tuaj sportive. Sfidat që keni përballuar kanë qenë mjaft emocionuese dhe të paharruara përpara opinionit sportdashës dhe rezultatet tuaja na bëjnë të ndjehemi krenarë edhe sot. Është kënaqësi të vlerësoj, atletin rekordmen të KS ‘Dinamo’, trajnerin e ekipit Kombëtar të Atletikës, zotin Rauf Dimraj, 22 herë kampion në vrapimet e mesme, 800mt, 1500mt, 4x400mt, kros 14.000mt.etj.

Zoti Dimraj është shpallur kampion në dy spartakiada kombëtare, rekordmen kombëtar dhe fitues i 8 garave ndërkombëtare me Ekipet Përfaqësuese, i cili gjithashtu ka qenë kryetrajner i Ekipeve Kombëtare. Zoti Dimraj ka punuar si bashkëpunëtor shkencor në Shkollën Italiane të Sportit dhe është vlerësuar për hartimin e platformës shkencore të edukimit fizik në vendin tonë. Pavllo Mihali është një tjetër kampion absolut në kërcimin me shkop. Atlet i KS ‘Tirana’ dhe Ekipit Kombëtar, ai është i pari, që kaloi me sukses lartësinë e mbi 5 metrave. Pavllo Mihali ka 11 tituj kampionë në kërcimin me shkop, duke vendosur rekordin kombëtar me 5m 21cm.

Ai është fitues i Medaljeve të Artë në Spartakiadat Kombëtare dhe i 13 Kupave të Republikës. Në vitet 1978 – 1982 fiton anketën e 10 sportistëve më të mirë të vendit. Përfitoj nga ky rast për të falënderuar në veçanti familjet tuaj të nderuara, që kanë sakrifikuar aq shumë për sukseset tuaja dhe që ju i keni bërë krenar me rezultatet e arritura. Një mirënjohje të veçantë për të gjithë bashkëpunëtorët tuaj, me të gjithë ata që kanë punuar me ju, por edhe me të gjithë pas ardhësit tuaj në këto sporte, pasi ju jeni trajner dhe jeni tërë kohën në angazhim të plotë për të promovuar vlerat e sportit tek më të rinjtë.

Dhe shpresoj që ky vlerësim që bëjmë sot duke nderuar me titujt ‘Mjeshtër i Madh’ këta dy sportistë të mëdhenj, këto dy legjenda të atletikës sonë, jo vetëm të na shërbejë për të vlerësuar arritjet e dikurshme, që janë ende prezentë në këtë sport, por sidomos për të nxitur edhe më tej vëmendjen për mbështetjen e atletikës në të gjitha disiplinat, pasi dihet që atletika është mbretëresha e sporteve dhe është baza e të gjithë sporteve të tjera. Edhe njëherë urime për sukseset e shkëlqyera, shëndet dhe mbarësi në familjet tuaja dhe suksese atletikës dhe sportit tonë në të ardhmen!”