Presidenti Meta dekoron 6 atletë të shquar shqiptarë: Sfidat që keni përballuar dhe rezultatet tuaja na bëjnë të ndihemi krenarë.

394
Sigal

Ditën e sotme, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi nëpërmjet një ceremonie solemne gjashtë atletë të shquar shqiptarë, duke i nderuar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Kreu i Shtetit çmoi atletin rekordmen Vinçens Kacagjeli, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e suksesshme dhe rezultatet e larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, atlet kampion, rekordmen i shumë garave të rëndësishme. I dalluar për përkushtimin dhe përgatitjen e tij të lartë fizike, teknike dhe psikologjike”.

NOA

Kampionin e kërcimit së larti, zotin Ilia Mazniku, me motivacionin” “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e larta të arritura në garën e kërcimit së larti, atlet kampion e rekordmen. Për rolin e tij në jetën publike, si doktor ortoped i përkushtuar në profesionin e tij”;

Zotin Çlirim Balluku, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e tij të suksesshme si atlet kampion e rekordmen në gara të rëndësishme, me kontribut të madh në zhvillimin e përparimin e këtij sporti në vendin tonë.”;

Zotin Koço Mulla, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në zhvillimin e sportit të atletikës. Kampion e rekordmen në garën e kërcimit trehapësh, kërcimit së gjati, vrapimin njëqindmetërsh dhe stafetën e rëndësishme, duke arritur rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”;

Zotin Ajet Toska, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e suksesshme dhe rezultatet e larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, atlet kampion dhe rekordmen në garën e flakjes së çekiçit. I dalluar për pasionin, stërvitjen sistematike dhe përgatitjen e lartë psikologjike.”

si dhe zotin Arben Gogushka, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në zhvillimin e sportit të atletikës. Kampion e rekordmen në garën shtytjes së gjyles, duke arritur rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

Kënaqësi dhe privilegj të nderojmë sot disa ndër kampionët më të mëdhenj, ikona të atletikës dhe të sportit tonë, të cilët shkëlqyen në dekadat e kaluara.

Është kënaqësi të çmojmë sot  atletin e madh Vinçens Kacagjeli, të klubit ‘Dinamo’ dhe të ekipit Kombëtar. 47 herë kampion i vendit dhe i renditur 250 herë në vendin e parë.Kampion kombëtar në gara të ndryshme, si 400m, 400m me pengesa, stafetën 4x100m dhe 4x400m, gara që kërkojnë një përgatitje të jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike. Fitues i medaljeve të pafundet në spartakiadën kombëtare dhe rekordmen disa herë në 4x400m. Rezultatet e Vinçens Kacagjelit kanë qenë mjaft dinjitoze edhe si atlet i ekipit kombëtar, në përfaqësime të ndryshme evropiane dhe ballkanike.

Është kënaqësi të nderojmë sot, zotin Ilia Mazniku një tjetër kampion absolut i ‘Dinamos’ dhe atletikës tonë. Ka thyer 2 herë rekordin kombëtar në garën 110 m me pengesa. 5 herë rekordin kombëtar në kërcimin së larti. 2 herë ka arritur rekord kombëtar në stafetën 4x100m. Ka qenë përfaqësues i Ekipit tonë Kombëtar dhe ka arritur rezultate të larta në gara ndërkombëtare. Po kështu është kënaqësi të nderojmë atë në këto kohë të vështira për shëndetin e të gjithëve dhe të qytetarëve tanë edhe për kontributin që ka dhënë si mjek ortoped i kualifikuar.

Një tjetër atlet i cilësisë së lartë është zoti Çlirim Balluku, atlet i ekipi të ‘Dinamos’, por njëkohësisht dhe Ekipit Kombëtar. Kampion dhe rekordmen në garën 100m dhe 200m. Fitues 4 herë në spartakiadën kombëtare, i cili ka përfaqësuar me dinjitet Ekipin Kombëtar në aktivitete të ndryshme europiane dhe ballkanike, duke arritur rezultate të larta sportive.

Atleti i njohur i klubit ‘Tirana’ zoti Koço Mulla, ’17 Nëntori’ atëhere ka konkurruar në garat e ‘kërcimit së gjati’, ‘kërcimit trehapësh’ dhe ‘vrapimit 100m’. Koço Mulla është shpallur 20 herë kampion kombëtar dhe ka vendosur 9 rekorde kombëtare. Është fitues në 2 spartakiada kombëtare, dhe në vitet 1970-1971 është shpallur ‘atleti më i mirë i vitit’.

Ajet Toska, është një tjetër kampion i atletikës, por në disiplinën e flakjes së çekiçit, i cili me meritë krijoi epokën e tij, pas epokës më parë të Bajraktarit të madh në këtë disiplinë. Ai ka vendosur mjaft rekorde kombëtare, ka qenë 12 vite rresht kampion kombëtar dhe 13 vite rresht fitues i Kupës së Republikës. Ka pasur rezultate të jashtëzakonshme në karrierën e tij sportive edhe në arenën ndërkombëtare, duke fituar medalje ari, argjendi dhe bronzi dhe duke e ngritur vazhdimisht lart flamurin e Shqipërisë.

Profesor Arben Gogushka është një atlet kampion i KS ‘Dinamo” dhe Ekipit Kombëtar, në shtytjen e gjyles. 11 herë kampion kombëtar, fitues i medaljeve të Arta në spartakiadën e IV dhe V kombëtare, ku dhe ka thyer rekordin kombëtar, në vitin 1984 me 16.52m, rekord që e mbajti deri në vitin 2009.

Dua të theksoj, se titujt që akordohen sot, janë shumë të rëndësishëm jo vetëm për këto personalitete dhe për të nderuar historinë e sukseseve të atletikës sonë, në një periudhë dhe kushte shumë të vështira.  Por t’i shohim këto vlerësime si një përpjekje, që këto suksese të arritura në të kaluarën, jo vetëm të mos flenë dhe të harrohen, por të nxisin dhe motivojnë atletët e rinj, me dëshirën për të mos u ndalur. Atletika dhe sporti janë mjeti më i mirë për shëndetin dhe për mirëqenien e njerëzve tanë. Titujt që jepen sot si atlet kampion dhe legjendar janë një vlerësim, jo vetëm i punës dhe sakrificave të tyre, por njëkohësisht edhe i rezultateve, modestisë dhe  figurës që ata kanë krijuar në komunitet dhe në shoqërinë tonë.