Presidenti Meta: Çështja e Detit? Askush mos guxojë të shkelë Kushtetutën dhe autoritetin e deleguar nga populli

271
Sigal

Intervistë e Presidentit Meta për mediat (Pjesa e parë)

  • Presidenti Meta: Për ‘Detin’ nuk lejoj cenim të interesave shtetërore dhe kombëtare
  • Presidenti Meta: I vendosur të mbroj Kushtetutën, Sovranitetin dhe të drejtat sovrane të Shqipërisë
  • Presidenti Meta: Çështja e Detit? Askush mos guxojë të shkelë Kushtetutën dhe autoritetin e deleguar nga populli

28 dhjetor 2020

Gazetari: Janë ditët e fundit të vitit 2020 edhe është kohë kur bëhen bilance. Si ishte Shqipëria në 2020, në këndvështrimin e Presidentit të Republikës?

Presidenti Meta: Jam i bindur, që në 2021, do të jetë shumë më mirë.

Pyetje: Pse mendoni kështu?

Presidenti Meta: Sepse ky vit ka qenë i vështirë dhe me shumë sfida, nga pasojat e tërmetit, që ra më shumë se në një viti më parë, tek pasojat e pandemisë.

Nuk mund të themi që ka qenë një vit arritjesh, apo shumë pozitiv.

Ndaj, jam i sigurt që të gjithë mezi po e presim Vitin e Ri, me një shpresë për një vit më të mirë, për t’i kaluar këto vështirësi.

Natyrisht duke punuar dhe duke bashkëpunuar të gjithë edhe më shumë me njëri-tjetrin.

Pyetje: Le të ndalemi konkretisht në ato çështje që kanë dominuar vitin 2020. Para pak ditësh Greqia, ka miratuar dekretin Presidencial, për zgjerimin e ujërave territoriale në detin Jon me 12 milje. Mendoni se  kjo çështje, do të ndikojë  në bisedimet që ka  Shqipëria me Greqinë?

Presidenti Meta: Kjo është një çështje mjaft komplekse. Vullneti im, ka qenë dhe mbetet i palëkundur në përpjekje për një zgjidhje të qëndrueshme, që respekton Kushtetutën e Shqipërisë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe të Drejtën Ndërkombëtare.  Për këtë çështje, kam bërë gjithmonë përpjekjet e mia më të mira, për të ndihmuar dhe për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në radhë të parë me Qeverinë. Lidhur me aktin më të fundit, mund të them që po bëjmë punën tonë për t’u njohur me të dhe efektet që mund të ketë për të drejtat tona, për të cilat i garantoj të gjithë, që do bëj çdo përpjekje për t’i mbrojtur në mënyrën më të qartë, në respekt të Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë transparente dhe konstruktive.

Pyetje: Në lidhje me këtë çështje Kryeministri Rama, ka thënë se kjo është një e drejtë e Greqisë, ndërsa opozita ka kërkuar që Qeveria shqiptare të paraqesë rezerva në lidhje me këtë çështje. Mendoni se Qeveria shqiptare duhet të paraqes rezerva për këtë zgjerim?

Presidenti Meta: Kjo çështje është hapur edhe më parë në një mënyrë, jo shumë të qartë dhe jo transparente.  Për çdo përfaqësues të institucioneve shqiptare është e rëndësishme, që në sjelljen dhe qëndrimet publike të mbrojë gjithmonë interesat e vendit.  Në këtë drejtim ka nevojë për shumë më tepër përgjegjshmëri dhe përmbajtje nga çdo aktor. Jo vetëm Kushtetuta, por edhe vendimi i  Gjykatës Kushtetuese, i ka bërë të qarta atributet e kompetencat për një çështje të tillë apo të ngjashme si kjo, të çdo aktori vendas në Republikën e Shqipërisë dhe askush nuk duhet të shkelë apo të tejkaloj përgjegjësit e tij.

Pyetje: Duhet të ketë rezerva Qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje?

Presidenti Meta: Prej disa muajsh, kemi kërkuar vlerësim më të plotë zyrtarisht, për efektet apo pasojat, që mund të ketë një akt i tillë, si ky që sapo u bë publik pak ditë më parë. Të bëhet një vlerësim i qartë i të gjithë hapave, që do të ndërmerreshin nga institucionet e Republikës së Shqipërisë, për të mbrojtur interesin më të mirë të vendit tonë.

Pyetje: Të dyja shtetet ka rënë dakord për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare. A është kjo një zgjidhje e drejtë në këndvështrimin e Presidentit të Republikës, për të  shmangur një situata të tensionuar, siç është ajo midis Turqisë edhe Greqisë?

Presidenti Meta: Presidenti i Republikës nuk ka asnjë njoftim zyrtar, lidhur me ndërprerjen e negociatave midis dy vendeve për këtë çështje. Së dyti, e theksova dhe më parë, asnjë aktor vendas nuk duhet të marrë përsipër përgjegjësi, që dalin jashtë përgjegjësive, që ka përcaktuar Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Pyetje: Është një çështje që në këndvështrimin Tuaj mund të merrte një drejtim ose një zgjidhje pas 25 prillit?

Presidenti Meta: Është një çështje që do të kërkojë një angazhim dhe bashkëpunim të  të gjithë aktorëve vendas, për të shkuar drejt një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pakontestueshme, që i shërben dhe marrëdhënieve midis dy vende tona. Çdo veprim individual dhe i nxituar nuk ndihmon në zgjidhjen e kësaj çështje.

Pyetje: Cila do të ishte rruga më e mirë, që Shqipëria të dilte e fituar nga ky diskutim dhe  nga kjo çështje. Edhe nëse do i duhej të shkonte në  Gjykatën Ndërkombëtare?

Presidenti Meta: Kjo është një çështje që rezervohem të shprehem më shumë publikisht. Si President, i kam bërë të gjitha veprimet në mënyrë më të qartë, më të dokumentuar dhe më zyrtare, për të kontribuar për zgjidhjen e saj parimore,  të drejtë dhe afatgjatë.