Presidenti Meta vlerëson me Titullin “Martir i Demokracisë” katër të përndjekur politikë, simbole të rezistencës antikomuniste:

205
Sigal

Presidenti i Meta vlerëson me Titullin “Martir i Demokracisë” katër të përndjekur politikë, simbole të rezistencës antikomuniste: Nder përjetë gjithë luftëtarëve, disidentëve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë! Të mos harrojmë tragjeditë e së kaluarës, për të mos lejuar përsëritjen e tyre në të ardhmen!

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, me propozim të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, vlerësoi me Titullin e lartë “Martir i Demokracisë” katër figura dhe personalitete të zonës së Korçës, nga radhët e të përndjekurve politikë, të cilët u shndërruan në simbole të rezistencës antikomuniste dhe solidaritetit njerëzor, duke i mbijetuar me dinjitet terrorit të diktaturës dhe që më pas, në vitet e demokracisë, zhvilluan një aktivitet të spikatur për dokumentimin e krimeve të komunizmit.

 

Kreu i Shtetit, me anë të një ceremonie solemne të zhvilluar në ambientet e Këshillit të Qarkut Korçë dekoroi zotin Ylber Fuart Merdani, zonjën Shpresa Ballolli Merdani, zotin Nevrus Isa Golka si dhe zotin Petrit Bazelli, me motivacionin: “Me nderim të thellë për qëndrueshmërinë dhe integritetin njerëzor të treguar në kushtet e shtypjes dhe dhunës së pushtetit. Me mirënjohje të veçantë për sjelljen fisnike e pa bujë dhe për shembullin frymëzues të humanizmit, rezistencës dhe solidaritetit.”.

Duke iu drejtuar të dekoruarve dhe familjarëve të tyre, Kryetares së Autoritetetit për Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, znj.Gentiana Sula, Kryetarit të Bashkisë së Korçës, z.Sotiraq Filo, autoriteteve vendore, si dhe përfaqësuesve të Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, të pranishëm në këtë aktivitet,  Presidenti Meta u shpreh:

 

“Është kënaqësi të jem sot, së bashku me ju, për të nderuar dhe vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e katër të mbijetuarve të diktaturës komuniste, të cilët i dhanë përmasë njerëzore përballjes me totalitarizmin dhe një prej diktaturave më të egra që njohu bota.

Jemi pikërisht këtu për të nderuar zotin Ylber Merdani, zonjën Shpresa Ballolli Merdani, zotin Nevrus Golga dhe zotin Petrit Bazelli.

 

Ata dhe familjet e tyre kanë përjetuar një përndjekje dhe dhimbje të jashtëzakonshme, në këtë sallë dhe ndërtesë, ku u zhvillua drama e tyre jetësore dhe ku ne sot, nderojmë dinjitetin njerëzor, nëpërmjet nderimit të katër qytetarëve dhe njerëzve të thjeshtë e të papërkulur.

Figura të tilla janë personalitete frymëzuese për shoqërinë e sotme shqiptare, sepse ata sakrifikuan vitet e tyre më të bukura, në mbrojtje të dinjitetit, të lirisë dhe të së vërtetës!

 

Por për ne, kjo ditë nuk është vetëm një ditë vlerësimi. Ajo është, mbi të gjitha, edhe një ditë që na fton për të reflektuar!

Reflektim mbi të shkuarën e egër totalitare, përballje me këtë të shkuar dhe çlirim i shoqërisë nga makthet e krimeve të diktaturës.

 

Përvoja botërore na mëson se nëse harrohen, tragjeditë e së kaluarës janë të destinuara të rikthehen, në një formë apo mënyrë tjetër.

 

Vlerësimi dhe njohja e sakrificave të katër qytetarëve dhe njerëzve të thjeshtë, që u persekutuan padrejtësisht nga regjimi totalitar, vjen në respekt të një bashkësie, që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe si përgjegjësi e shoqërisë së sotme për rivlerësimin e këtyre figurave.

Vendi dhe shoqëria jonë duhet të vazhdojnë të trajtojnë të kaluarën totalitare me drejtësi, transparencë e paanshmëri, duke ndihmuar kështu në rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e plotë të shtresës së të përndjekurve politikë, por edhe njëkohësisht edhe për edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve me vlerat më të mira qytetare, njerëzore dhe demokratike.

 

Njëkohësisht, një shoqëri e hapur dhe tolerante mirëkupton, respekton dhe nuk harron tragjeditë e së shkuarës dhe bashkëpunon e gjitha së bashku, për një të ardhme pa dhunë dhe shtypje.

 

Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë edhe iniciatorin e kësaj veprimtarie, Autoritetin për Informimin mbi Dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe kryetaren e tij zonjën Gentiana Sula, për punën e jashtëzakonshme me fokus përkujtimin dhe edukimin qytetar, për kthimin e identitetit dhe për mënyrën se si duhet ta trajtojmë të kaluarën tonë, në respekt jo vetëm të së shkuarës, por njëkohësisht edhe në shërbim të një ardhmeje më të mirë.

Emrat e propozuar nga Autoriteti për t’u nderuar sot, në Korçë vijnë jo vetëm në respekt e nderim të thellë për sakrificat e tyre të jashtëzakonshme njerëzore, por edhe me mirënjohje të veçantë për përfshirjen dhe angazhimin e tyre personal e të pakursyer në të gjitha proceset e lidhura me integrimin e të dënuarve politikë, për dokumentimin e të shkuarës, të krimeve dhe të pasojave të komunizmit, si dhe për nderimin e personaliteteve të solidaritetit dhe të rezistencës.

 

Ylber Merdani, Novrus Golka dhe Petrit Bazelli u dënuan në këtë ndërtesë, dikur gjykatë, në këtë sallë, ku u morën vendimet për ndëshkimin e tyre politik, si të dënuar të ndërgjegjes, ndërkohë që Shpresa Ballolli Merdani e kaloi gjithë jetën e saj në internim. Por, sot, ata janë pjesëmarrës aktivë në jetën shoqërore dhe përfaqësojnë shembuj frymëzues njerëzorë të mbijetesës e karakterit, por edhe të sjelljes së tyre në shoqëri.

 

Me aktivitetin e tyre, ata dëshmojnë historitë përkatëse dhe të komunitetit në të cilin jetojnë, duke ruajtur një profil të ulët publik, për të vijuar me thjeshtësi e fisnikëri jetën me familjet e tyre, që përballuan jo pak vështirësi e sfida përballë shfytyrimit e depersonalizimit që kërkonte regjimi i asaj kohe.

 

Ata janë shembuj të vetëdijes qytetare dhe kombëtare. Me mirënjohje e nderim të thellë për integritetin e tyre si dhe për shembullin e tyre frymëzues për brezat e sotëm e të ardhshëm i vlerësoj sot me Titullin ‘Martir i Demokracisë’.

 

Nder përjetë të gjithë luftëtarëve, demokratë, disidentëve, të cilët bënë gjithçka për të vendosur demokracinë në Shqipëri!”