Vlora Hyseni do jetë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi emërimin e Vlora Hysenit, si drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Emri i Hysenit u propozua nga ana e kryeministrit Edi Rama, i cili në argumentet e bëra publike tha se, “është besimplotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”.
Shërbimi Informativ shqiptar ka qëndruar pa kreun e tij për afro një vit, pasi drejtori Helidon Bendo, u largua për një trajnim të gjatë në Shtetet e Bashkuara duke dhënë dorëheqjen dhjetorin e kaluar.
Presidenti Bajram Begaj dekreton Vlora Hysenin si drejtuesen e re të SHISH
Presidenti i Republikës Bajram Begaj dekretoi emërimin e znj. Vlora Hyseni si drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit. Kujtojmë se propozimi i emrit të saj nga ana e kryeministrit Edi Rama shkaktoi një valë reagimesh, lidhur me postin që ajo mbante më parë si drejtuese e Shërbimit Informativ të Kosovës. Vlora Hyseni më herët është shkarkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti nga pozita e zëvendësdrejtores së Agjencisë së Kosovës së Inteligjencë.
Kush është Vlora Hyseni? Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj në Kosovë. Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës, që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të këtij viti, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti. Ajo flet disa gjuhë të huaja. Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Gjithashtu ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI. Më herët në njoftimin për shkarkimin e Vlora Hysenit, thuhej se ky vendim ishte marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Presidenca dhe ZKM-ja e kanë paralajmëruar Vlora Hysenin se mosruajtja e informacioneve që ajo i posedon nga puna në AKI, do të mund t’i kushtonte asaj.“Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”,- thuhej në njoftimin zyrtar.