Prerjet pa kriter, drejt zhdukjes Pylli i Sodës

1741
Sigal

Përveç degradimit të këtij masivi me pisha, konstatohet me keqardhje se ka edhe një ndotje masive nga derdhja e inerteve

Vazhdon problematika me Pyllin e Sodës në Vlorë. Prerja e pishave dhe ndërtim i banesave pa lejë, tashmë është shndërruar në një fenomen. Kjo situatë ka tërhequr vëmendjen e komunitetit, pasi Pylli i Sodës cilësohet si mushkëria e qytetit. Për të krijuar këtë masiv të madh pishe, janë dashur të punojnë breza vlonjatësh, madje me punë vullnetare, për të shërbyer si kurorë e gjelbër për qytetin, si mushkëri për qytetarët, por edhe për të mbrojtur vijën bregdetare nga erozioni, që vjen për shkak të pozicionit që ka qyteti dhe veprimi i erërave të jugut.

Pas viteve ‘90-të

Pikërisht, pas këtij viti startoi masakra e Pyllit të Sodës, që është në administrim të Bashkisë së Vlorës dhe komunës së qendrës për gjatë vijës bregdetare që shkon në një sipërfaqe prej 750 ha. Shumë qytetarë të ardhur nga fshatrat e Vlorës, apo edhe rrethet e tjera të vendit, kanë ndërtuar shtëpi dhe dyqane, duke prerë pishat shumëvjeçare. Përveç degradimit të këtij masivi me pisha, konstatohet me keqardhje se ka edhe një ndotje masive në pyll, si nga derdhja e inerteve, ashtu dhe hedhja e plehrave. Përballë kësaj gjendjeje kanë reaguar edhe shoqatat mjedisore dhe grupe qytetarësh të moshave të ndryshme.

Gjendja

Një nga zonat më të gjelbëruara në qytetin e Vlorës dita- ditës po shkon drejt shkatërrimit total dhe ky është Pylli i Sodës. Prerja e pemëve, ndikimi i kushteve atmosferike si dhe mungesa e kujdesit nga autoritet përkatëse, ka bërë që Pylli i Sodës të pësojë dëmtime serioze, edhe pse konsiderohet si mushkëria e qytetit të Vlorës. Gjithçka fillon me hedhjen e inerteve në ambientet e këtij pylli. Hedhja pa kriter e tyre është një fenomen që nuk po ndalet dhe konsiderohet si një prej faktorëve kryesorë në dëmtimin e këtij ambienti. Prerja masive e pemëve dhe ndërtimet pa kriter, kanë ndikuar në rrallimin e pemëve në pyll. Dikur hapësira pyjore fillonte buzë rrugës dhe shtrihej deri në bregdet. Sot ka marrë pamjet e një territori gërmadhash. Ndërsa dëmtimi vazhdon, institucionet kompetente nuk janë angazhuar në marrjen e masave paraprake për të ndalur prerjen dhe për të mbjellë fidanë të rinj. Janë qytetarët, ata, të cilët shprehen në lidhje me këtë masakër, e cila nuk po ndalet. Pyllëzimi i kësaj zone ka nisur qysh në vitet ‘50 dhe është mirëmbajtur deri në vitet ’90, më pas gjithçka ka filluar me prerje masive dëmtime, mbeturina inerte dhe ndërtesa, të cilat kufizojnë hapësirat e këtij pylli duke e vënë në pikëpyetje ekzistencën e Pyllit të Sodës.