Premtohet rritja 40% e pagave të mësuesve, por po vonohet edhe dhënia e pagave që kanë

653
Programi i qeverisë “Rama-2”, ka si tregues teorik deri tani edhe rritjen pagave të mësuesve, sipas kategorive të kualifikimit personal. Deklarimi publik për pagat, i bërë dy ditë më parë në Asamblenë e PS, ishte ky: Pagat e mësuesve të arsimit parauniversitar, do të rriten rreth 40% brenda këtij mandati katërvjeçar të qeverisë së re. Nga kjo shtesë do të përfitojnë rreth 35 mijë arsimtarë në të gjithë vendin. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila u shpreh se mësuesve do t’u ofrohet një mbështetje e madhe financiare nga qeveria. Treguesi i parë mbi rritjen e pagës do të përcaktohet në buxhetin e 2018-ës” Është një premtim që, nëse mbahet, duhet përshëndetur, ashtu siç janë mbajtur edhe disa premtime të tjera në sektorin arsimit. Mirëpo, ndërsa flitet për rritje page me 40%, ose sa afro 50% e pagës aktuale të mësuesve, prej 5 ditësh qeveria po vonon dhënien e pagave aktuale që marrin mësuesit. Sipas informacioneve që na kanë ardhur në “Telegraf”, mësuesit po përballen me bllokimin e pagave të tyre. Ata shkojnë tek “bankomatët” e bankave ku marrin pagat, por u ndodh si në “makinetat” e qendrave të bixhozit, ku klikojnë dhe nuk marrin asgjë e kthehen bosh në familje, mbasi nga brenda “thesit” të bankave, nuk del asnjë qindarkë për pagat e tyre. Nuk dimë asnjë shkak të bllokimit të pagave të mësuesve, paçka se thuhet se është bosh “thesi” i qeverisë, por dimë faktin që data e dhënies së pagave të tyre ka kaluar me disa ditë! Është bërë ritual prej disa ditësh, që para se të shkojnë në punë, mësuesit “xhetojnë” tek bankomatët e bankave e nuk u jepet asgjë. Në çdo orë pushimi, në pushimin e gjatë e pas orarit të punës, ata vërsulen përsëri drejt bankomatëve të bankave, por përsëri kthehen duarbosh!
Sigal