Premtimi në Shkodër, nuk hiqen flamujt, partitë bënë vetëm deklarata, pa i zbatuar

485
Kjo sjellje aspak korrekte e dy kampeve politike, përballë një premtimi publik të bërë ndaj qytetarëve të Shkodres nuk është pritur mirë aspak edhe nga vetë votuesit, që thonë se janë mësuar të marrin premtime boshe nga të majtit dhe të djathtit përgjatë këtyre viteve dhe kjo e flamujve është dëshmia e radhës.

Por si u katandis Shkodra nga një ego sa personale aq edhe politike prej 2 selive të mëdha politike dhe vetë kandidateve të tyre. Të majtëve dhe të djathtëve u mjaftuan vetëm 24 orë, madje duke punuar natën që ta gdhinin qytetin në mbretërinë e flamujve elektoral, ç’ka u pa me habi nga qytetarët dhe mori një lum kritikash.
Ironia e Shkodranëve shkonte deri aty sa të deklaronin se as në festën e karnavaleve qyteti nuk është katandisur deri në këtë pikë. Por kjo duket se pak u ka bërë përshtypje partive, që pasi premtuan me bujë heqjen e flamujve, u mjaftuan të largonin vetëm pak vargje nga 2 sheshe, ai “Nënë Tereza” dhe sheshi i Parrucës, pjesa tjetër e Shkodres mbeti nën ngjyrat kuq e blu.

Nga premtimi i së premtes, asgjë nuk ka ndryshuar në qiellin e kryeqendres së veriut, që ngjan më i shëmtuar se asnjëherë dhe pa frikë mund të thuhet se këto zgjedhje nxorën një nga anët më të errëta të 2 forcave politike, që nga inati personal nuk kursyen milionat për të “luftuar” haptazi njëra – tjetrën, duke mos pyetur për interesin e përgjithshëm të qytetarëve.
Vetë bashkia e Shkodres është bërë palë në këtë përballje, ndonëse kësaj të fundit i kanë pushtuar edhe zonat muzeale, ç’ka është kategorikisht e ndaluar. Tashmë në Shkoder askush nuk pyet për ligj apo pushtet vendor, por palët veprojnë sipas dëshirës duke bërë “show” në kurriz të qytetit të tyre.
Sigal