Por ndërsa fillimisht ambicja ishte brenda 2019, pastaj brenda 3 viteve që i binte në 2024 ajo që do ti vendoste “kapakun” premtimit të gjatë do të ishte një postim i vetë kryeministrit në gushtin e 2023 ku duket se e la prapë me shtyrje “Nolin” në pritje
Në shtatorin e vitit 2018, ndërsa në Rinas po zhvillohej ceremonia e inaugurimit të flotës fluturuese së “Air Albania” kryeministri shqiptar Edi Rama, nuk e fshehu ambicien e tij: “… ambicia jonë është që deri janë fund të vitit të ardhëm të çojmë nga Tirana në Nju Jork imzot Nolin” tha kryeministri Rama në 14 shtator 2018 nga Tirana ndërsa foli në ceremoninë e inaugurimit të linjës “Air Albania” që nisi fluturimin me avionin me emër “Lasgushi”. Avionët e kësaj linje mbajnë emrat e poetëve të njohur të Shqipërisë. Muajt kaluan shpejt dhe në 2019 ambicja nuk u realizua dot por kjo nuk është se do ti ndalte premtimet që do të vijonin edhe vite më pas. Pas viteve të vështira të tërmetit dhe pandemisë, qeveria rihapi sërisht temën e fluturimit të shumëpritur të “Nolit” por këtë herë me një ndryshim. Ai nuk do të nisej më nga Tirana por nga Vlora. Në muajin prill të vitit zgjedhor 2021 Ministja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, nga studio televizive e formatit Opinion gjatë një interviste tha ndër të tjera se “ në Vlorë do ta kishte bazën dhe Fan Noli, avioni i cili do të fluturojë Tiranë-Nju Jork fillimisht, do të ngrihet nga Vlora.” Ministrja tha se po firmosej kontrata 36 mujore dhe linja pritej të filloj me përfundimin e aeroportit të Vlorës. Gjatë kësaj interviste të muajit prill 2021 ajo tha se: “Vlora është 36 muaj në kontratë, kështu që unë besoj se në tre vite do të jetë operativ.” As 10 ditë më vonë, prej kësaj interviste, do të ishte kryeministri që do të thoshte me zërin e tij mbi një video në 30 prill 2021 se “Të gjitha kushtet e Aeroportit të Vlorës janë të tilla që fluturimet të jenë nga New York-u në Vlorë dhe nga Vlora në New York sepse “Fan Nolin”, ne do ta çojmë në Amerikë dhe shqiptarët do t’i sjellim ne nga Amerika direkt në Shqipëri”, tha kështu Rama në një video mesazh të publikuar në rrjetin e tij në facebook në 30 prill 2021. Kohët kalojnë shpejt në Shqipërinë e ngjarjeve të shumta ku shpesh gjërat harrohen, por përsëritjet e premtimeve duket se janë aty të pandryshuara mes shqiptarëve. Dy vite më pas, në 31 mars 2023 Kryeministri sërish promovoi “pritjen”. Ai shkruajti në facebook në muajin mars 2023 se: “Ja edhe Fishta zbriti në Tiranë duke e çuar në katër avionë flotën e kompanisë sonë të flamurit. Vijojmë me Nolin së shpejti.” Por ndërsa fillimisht ambicja ishte brenda 2019, pastaj brenda 3 viteve që i binte në 2024 ajo që do ti vendoste “kapakun” premtimit të gjatë do të ishte një postim i vetë kryeministrit në gushtin e 2023 ku duket se e la prapë me shtyrje “Nolin” në pritje. Rama nuk e tha drejtëpërdrejtë se premtimi ishte shtyrë por ai e publikoi një video të punimeve të aeroportit me tekstin ku kuptohet se “Noli” do të vonoj. “… me Aeroportin e Ri Ndërkombëtar të Vlorës, ku ka marrë formë e gjithë gjurma e pistës, e ku punohet me ritëm të lartë me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025…” tha Kryeministri në një publikim në 8 gusht 2023, duke lënë të kuptohet se avioni që ishte parashikuar për tu ulur në 2024 do të shtyhet edhe një vit. Noli do të duhet ende të pres, fatin e tij historik mes Shqipërisë dhe Amerikës duke shpresuar rikthimin në atdheun e 2025.