Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari: Jam atje ku ka njerëz të shqetësuar. Menaxhimi i situatës dhe zgjidhjet

1361
Sigal
Nga Vepror Hasani

Një portret ndryshe i prefektit të Korçës: Jam atje ku ka njerëz të shqetësuar
Njerëzve nuk u duhet shumë kohë për të kuptuar kush është njeriu në krye të një institucioni. U mjafton vetëm një takim, prezantimi i një shqetësimi, vëmendja që tregon titullari për t’i dëgjuar, shqetësimi që tregon kur i prezantohet një padrejtësi, a bëhet pjesë e problemit të qytetarit, dhe së fundi: Cila është përgjigjja që jep. Nëse thotë “do ta shohim” pa përcjellë asnjë lloj besimi te qytetari që kërkon ndihmën e institucionit, atëherë gjithçka është e humbur. Hallexhiu del nga zyra i zhgënjyer, të parin njeri që takon në rrugë i thotë: “Nuk m’u duk gjë, ishte si një qenie pa shpirt, kushedi pse e kanë vënë në këtë detyrë!” Pas krijimit të këtij opinion, institucioni fillon dhe vdes pak e nga pak çdo ditë, njerëzit nuk kanë më dëshirë të shkojnë atje. “Kot që të vesh”, është përgjigjja më e zakonshme e tyre. 
Jam atje ku ka njerëz të shqetësuar
Por nuk ndodhi kështu me z. Dhori Spirollarin, prefektin e ri të Qarkut Korçë. I mjaftuan vetëm pak ditë për të treguar kush ishte. Nuk pati kohë të ulej kafeneve për të pritur urimet për detyrën e re. Priti njerëzit që kishin halle, që vinin nga larg; mjaft që ata të kishin të drejtë dhe ndihma e institucionit të Prefektit nuk do t’u mungonte. Shpesh përgjigja e tij ishte: “Do të vij vetë ta shoh problemin në vend”. Kështu ndodhi edhe me banorët e Bashkisë Pogradec, të cilët ankoheshin ndaj firmës që po ndërton aksin rrugor Qafë – Plloçë – Qukës. Investimi është i rëndësishëm, por më i rëndësishëm se të gjitha punët mbetet zbatimi i ligjeve, që askush të mos cenohet në të drejtat e tij, pasi jo pak kanë vuajtur nga kjo gjë shqiptarët. Ky ishte mesazhi që përcolli prefekti tek njerëzit. Spirollari e bëri të njohur moton e tij që në ditët e parë të punës së vet: “Zgjidhjet tona do të jenë si në botën e qytetëruar”. Pas takimit me banorët e Pogradecit, u gjend në Mokër, atje ku ndërtohej udha. Zgjidhja që ofroi nuk ishte e komplikuar. Me t’u kthyer që andej deklaroi: “Ndërtimi i rrugës po vijon me intensitet dhe kjo është shumë e rëndësishme, por kompania duhet dhe do t’u përmbahet termave të kontratës, ashtu sikurse edhe Bashkia Pogradec do të përmbushë çdo detyrim të saj. Jeta e banorëve duhet të jetë e qetë, pa problem.” 
Ura e Golikut
Po atë ditë Prefekti i Qarkut Korçë u ndal edhe në fshatin Selcë e Poshtme, te Ura e Golikut, e cila është monument i kategorisë së parë, pjesë e pasurive të rralla e të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Pogradecit. Arkitektura e saj e harkuar, tipike për kohën kur u ndërtua, e bën mjaft të veçantë, kjo edhe për faktin që kjo urë i ka shërbyer rrugës së famshme “Egnatia”, ndërtuar në shek. XVIII. Fatkeqësisht, ura ishte lënë në harresë për një kohë të gjatë. Në lidhje me këtë çështje, prefekti bëri gjithçka të njohur për publikun: “Bisedova me drejtuesin e Monumenteve të Kulturës të Korçës, ata janë në dijeni, u morën masa paraprake ,por pa ndërhyrë, sepse ndërhyrja në objekte të tilla, pa një projekt është shumë delikate dhe e patolerueshme. Do të ruhet kjo gjendje deri në mundësinë e restaurimit të dëmtimit që i është shkaktuar. Motoja e tij do të jem atje ku ka njerëz të shqetësuar, tashmë është një realitet. Njerëzit e kanë parë të udhëtojnë në të gjitha rrethet: Kolonjë, Devoll, Pogradec dhe gjetkë, të inspektojë urat e lumenjve, digat e rezervuarve, hidrovoret e gjithçka tjetër. 
Zgjidhje të menjëhershme
I shpejtë qe reagimi i Prefektit Dhori Spirollari, edhe kur u njoftua për urën e Zëmblakut, e cila për shkak të reshjeve ishte dëmtuar. Ndaj kësaj ure të ndërtuar që nga viti 1955 nuk kishte pasur asnjë ndërhyrje edhe pse një nga këmbëzat e saj po dëmtohej. Bëhej fjalë për një urë të zakonshme, por të rëndësishme për qarkullim njerëzve, mjeteve dhe mallrave etj. Ura lidh Bashkinë e Korçës me Bashkinë e Pustecit dhe nëpërmjet doganës së Goricës, Shqipërinë me Maqedoninë. Përpjekjet për zgjidhje të problemit, prefekti, si gjithnjë, i bëri të njohura për publikun: “Po bëjmë përpjekje për zgjidhjen sa më shpejt të problemit të urës së Zëmblakut, e cila është tepër e rëndësishme për zonën. Autoriteti Rrugor shqiptar reagoi me urgjencë, ekspertët mbërritën në kohë për të parë gjendjen e urës nga afër. Si zgjidhje u ofruan tri variante: E para, Riparimi i urës. E dyta, përmirësimi i saj, mundësia e një ure të re dhe së treti ndërtimi i një ure bel nga Forcat e Armatosura. Falë përkujdesit të prefektit, jeta e banorëve të zonës vijoi normalisht.
Prodhuesit e duhanit të papaguar nga firma e duhan-cigareve
Me të filluar punë si prefekt i Qarkut Korçë, edhe banorët e fushës së Maliqit trokitën në zyrën e Prefektit z. Dhori Spirollari. Fermerët e Maliqit kishin shitur duhanin te firma “Mika”, në Korçë, por kjo e fundit nuk u ka likuiduar vlerën e mallit. Ka kaluar mjaft kohë dhe ata ende nuk kanë marrë asnjë lek. Ashtu si gjithnjë, Institucioni Prefektit u vu në lëvizje. Pati takime me Drejtorin e Agjencisë së Duhan-Cigareve, z. Gentjan Selami në prani të fermerëve që kishin ngritur problemin. U vu në dijeni Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. U bënë përpjekje për evidentimin e rrugëve të zgjidhjes. Tashmë pritet të kryhet vlerësimi i situatës ekonomiko-financiare e firmës, mundësia që ka ajo për shlyerjen e detyrimeve ndaj prodhuesve të duhanit; cila do të jetë masa e kompensimit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Prefekti do të vijojë të jetë në kontakt ministritë e cituara më sipër dhe me Agjencinë Kombëtare të Duhanit dhe Cigareve. Gjithashtu, u pa e nevojshme miratimi i një kontrate tip të hartuar nga Ministria e Bujqësisë, e cila pasi bën vlerësimin tërësor të prodhimit, në momentin e lidhjes së kontratës të marrë parasysh edhe gjendja financiare të firmave grumbulluese, me qëllim sigurimin e likuidimit të detyrimit, që një fenomen i tillë të mos përsëritet më. 
Menaxhim ndryshe
Metoda për një menaxhim ndryshe të punëve spikati që në fillim. Gjithçka ra në sy gjatë marrjes së masave për përballimin e çdo të papriture që mund të shkaktohej nga reshjet e shirave, dëborës, stuhia dhe ujërat e lumenjve. “Nuk do të presim dëborën, – deklaroi prefekti, – që pastaj të shohim se çfarë duhet të bëjmë.” U vlerësua çdo informacion që vinte nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe Shtabi i Emergjencave Civile. Ndryshoi harta e shpërndarjes së mjeteve dhe forcave të punës. U evidentuan pikat kyçe: Fusha e Maliqit, lumi i Vërdovës në Pogradec, Buçimasi, urat në rrethin e Kolonjës dhe pikat e dobëta në rrethin e Devollit. Gjithçka kryhej me korrektësi. 
NOA