Prefekti i Korçës: Dëmshpërblim të shpejtë për emergjencat civile

1010
Nga Vepror Hasani

Dëmshpërblimi i banorëve të qarkut Korçë të prekur prej fatkeqësive natyrore ose faktorëve të tjerë, nuk do të jetë më një “odise” pa fund. Dëmshpërblimi do të jetë i shpejtë, i miratuar në mbledhjen më të parë të Këshillit të Bashkisë, fill pas shkaktimit, verifikimit dhe përllogaritjes së dëmeve. Për këtë arsye, Prefekti i qarkut Korçë, Dhori Spirollari, u kërkoi kryetarëve të bashkive që për emergjencat civile të planifikojnë 3% të buxheteve të tyre. (Përqindjen maksimale që kërkon ligji). 

Kërkesa e Prefektit
Në lidhje me këtë çështje Prefekti i qarkut Korçës, Dhori Spirollari tha: “Emergjencat janë të vështira për t’u parashikuar, por mund të them që sivjet janë parashikuar fonde më tepër nga viti i kaluar. Këmbëngulëm që bashkitë të kenë fondin e mjaftueshëm, sepse është saktësisht në konceptin e vet të qeverisjes, që të shlyejnë të gjitha detyrimet e rasteve që mund të ndodhin. Ka shumë banorë që nuk kanë marrë dëmshpërblimin që u takon sipas ligjit për dëmet që u kanë ndodhur prej rrymës elektrike, përmbytjeve e rasteve të tjera. Pra, nisur nga kjo, u kërkuam bashkive të rrisin fondet. Bashkitë e mirëpritën kërkesën tonë, sigurisht duke marrë parasysh buxhetet që kanë. Gjithsesi, kërkesa u realizua”. Gjithashtu, prefekti Spirollari, mori si shembull edhe bashkinë e Pustecit (një bashki e vogël me 9 fshatra), e cila për emergjencat civile ka parashikuar një fond prej 500 mijë lekësh (të rinj), por kjo bashki ,- tha ai, – nuk ka qenë e rrezikuar prej përmbytjeve apo rrëshqitje të tokës, ndaj fondi shihet si i mjaftueshëm. Në rast regjistrimesh të dëmeve të mëdha, shlyerja e dëmshpërblimeve mbetet detyrim i Prefekturës përmes ndihmesave me fondet e përqendruara. Deri më sot, bashkia që ka pasur dëme më të mëdha, krahasuar me bashkitë e tjera, ka qenë ajo e Pogradecit. Kryesisht dëmet janë shkaktuar nga rrëshqitjet e tokës dhe djegia e banesave prej zjarreve. Gjithashtu qytetarëve duhet t’u vihet në ndihmë në çdo rast emergjence që vështirësojnë jetën e tyre. Si shembuj të mirë po sjell riparimin e shpejtë të transformatorit të Bilishtit në dhjetor të 2017-ës, i cili furnizonte me energji zonën e Devollit dhe riparimin po kaq të shpejtë të shtyllave të dëmtuara të tensionit të lartë që furnizonte me energji Maliqin Kjo bëri të mundur që shkollat spitalet, furrat e bukës, banesat e qytetarëve etj, të mos mbeteshin pa energji elektrike.

Për Kolonjën një lajm i mirë
Më dobët në shlyerjen e dëmshpërblimeve të emergjencave civile ka qenë bashkia e Ersekës dhe ajo e Maliqit, kjo edhe për shkak të buxhetit të vogël që kanë pasur, veçanërisht kur ishin bashki të vogla, pa u bashkuar me njësitë e tjera administrative. Qyteti i Ersekës dhe fshatrat rreth saj, kanë vuajtur edhe për shkak të ujërave që zbrisnin prej malit të Gramozit, i cili shkaktonte dëme të përvitshme. “Tashmë e kemi një lajm të mirë për Kolonjën, – tha prefekti, Spirollari, – Bashkia e Ersekës, në bashkëpunim me qeverinë Sllovene do të kryejë pyllëzimin mbi fshatin Rehovë dhe në unazën e qytetit të Ersekës, me qëllim parandalimin e përmbytjeve prej ujërave që vijnë prej malit të Gramozit; kjo do të jetë një mundësi më shumë edhe për zhvillimin e turizmit në fshatin Rehovë , i cili gjatë viteve të fundit, ka filluar të ketë më shumë vizitorë vendas dhe të huaj”. Kujtojmë me këtë rast se pyllëzimi i Rehovës ka qenë ëndërr e banorëve të kësaj zone, sepse mali i Gramozit deri në vitin 1800 ka qenë i pyllëzuar; gjithnjë i gjelbër dhe i bukur. Prej këtij investimi fitojnë edhe fshatrat e tjera të kësaj zone. Ndërkaq, në Revohë do të ndërhyhet edhe për pastrimin e kanalit të ujërave të larta dhe në kanalet kulluese në fushën e Ersekës. Aktualisht po punohet për pastrimin e kanaleve kulluese në Kagjinas, ndërsa për parandalimin e përmbytjeve nga reshjet, janë ngritur tri prita malore në fshatin Starje dhe një në fshatin Pesar. Kurse në Bashkinë e Maliqit aktualisht është bërë pastrimi i kanaleve kulluese në fushën e Maliqit, konkretisht, në njësitë administrative Libonik 24 km kanal, në Pirg 19.6 km, në Vreshtas 28 km dhe në Pojan 42 km kanal. 

Më pak emergjenca civile
“Por, që të ketë sa më pak dëme, shpjegoi Spirollari, duhen kryer investime që parandalojnë fenomenet të tilla, si përmbytjet, rrëshqitjet e tokës etj. Aktualisht në bashkinë e Korçës, është punuar për pastrimin e përroit të fshatit Barç me gjatësi 1890 metra linear dhe në kanalin pritës të Gjançit, (në afërsi të Barçit) në një gjatësi prej 1780 metra. Është bërë pastrimi i përroit të Mborjes (te ish-fabrika e qelqit), në një gjatësi prej 2000 metrash, i lumit të Drenicës me gjatësi 1000 metra dhe pastrimi i përroit të Boboshticës me gjatësi 500 metra. Megjithatë, ndryshe nga bashkitë e tjera, Bashkia e Korçës i ka shlyer dëmshpërblimet në masën 100%. Tashmë kjo gjë duhet të ndodhë edhe me bashkitë e tjera të qarkut. Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari, beson se duke filluar nga viti 2018 e në vijim, dëmshpërblimet do të merren pa u zvarritur procesi, me qëllim që banorëve të dëmtuar t’u vihet në ndihmë në kohën e duhur, që ata të mos hyjnë në vështirësi të tjera. Edhe në Bashkinë e Pogradecit janë kryer investime të rëndësishme në mirëmbajtjen e kanaleve. Në fushën e Buçimastit janë pastruar 30 km në kanalet e dyta kulluese; do të punohet edhe për pastrimin e lumit të Vërdovës, i cili ka marrë jetë njerëzish. Bashkitë janë ndihmuar edhe me ekskavatorë: Bashkia Maliq ka 3 të tillë, Korça 3, Pogradeci 1 dhe Kolonja 1 ekskavator. Vëmendje u është kushtuar edhe argjinaturave dhe digave të rezervuarve. 

Djegia e shtëpive nga zjarri
Gjithashtu është konstatuar se një pjesë e mirë e fondeve për emergjencat civile shkon për banesat e djegura nga zjarret. Shpesh djegia e tyre ndodh sepse afër tyre vendoset baza ushqimore për blegtorinë. Një fenomen i tillë, jo vetëm që shkakton djegien e shtëpive dhe shëmton qendrat e banuara, por në të njëjtën kohë bëhen edhe shkak për një prezantim të keq në sytë e të huajve që vizitojnë vendin tonë. Për të gjitha këto arsye, prefekti i Qarkut Korçë, Spirollari, për banorët e këtij rajoni tha: “Është e patolerueshme që në fshatrat turistikë, dhe jo vetëm në ato, por në gjithë qendrat e banuara të rikthehet sot një gjendje që nuk ka ekzistuar as para viteve ’90; mbajtja e bagëtive brenda fshatit. Ne do të këmbëngulim, aq më tepër që është e përshkruar edhe në ligj, që t’i largojmë bagëtitë nga shtëpitë, pasi krijojnë një pamje jo të këndshme dhe nuk lejohet. Turistët nuk mund të vijnë kur shohin bagëtinë aty në mes të rrugës, kur ato duhet të shkojnë aty ku e kanë vendin; te stani, jashtë qendrave të banuara. 
Sigal