Posta dhe Sigurimet, miliona lekë për ‘ushtrinë’ e të vdekurve

601
Sipas ligjit, sigurimet shoqërore duhet të mbajnë lista të sakta e përditësuara të personave që trajtohen me pensione, duke bashkëpunuar me zyrat e gjendjes civile në bashki, në rreth e në qark! Ndërsa Posta, ka detyrimin ligjor që pensionin ta dorëzoj me firmë në dorën e personit pensionist që e përfiton si në sportelin e saj edhe kur shërbimi kryhet në familje!
Gazeta “Telegraf”, do të publikoj skandalin me shërbimin e agjentëve të Postës jo vetëm në Elbasan por në të gjithë vendin, me listat e pensioneve të falsifikuar, me pagesat dyfishe që u jepen pensionistëve të vdekur edhe personave me emra të ndryshuar, me punonjës sigurimesh e poste që janë në bordero por nuk janë Shqipëri, me bizneset që kanë drejtuesit e sigurimeve e të postës në Elbasan dhe rrethe të tjerë, deri biznese me tufa bagëtish të cilat ua kullosin, mjelin e ua ruajnë punonjës që paguhen nga posta! 
Historia dhe batërdia me pensionet fiktive e ka pasur epiqendrën në Elbasan. Në “defterët” e shërbimit të sigurimeve shoqërore të këtij qarku, janë zbuluar shumë raste pensionesh të përfituar me dokumente false. Këto raste janë çuar përpara drejtësisë, por përveç disa ndëshkimeve të bëra ndaj personave “sekserë”, ndaj zyrtarëve të shtetit me funksione drejtues e nëpunës të sigurimeve dhe të ndërmarrjeve nga kanë dalë letrat false për pensione fiktive, jo vetëm që nuk është mbajtur asnjë qëndrim, por ata as nuk janë hequr nga detyrat dhe nga zyrat e sigurimeve ku janë gatuar abuzimet me pensionet. Kjo histori pensionesh fiktive, po vazhdon ende në Elbasan, por këtë herë me model tjetër e në bashkëveprim “mirëkuptues” mes institucionesh shtetërore. Madje edhe duke bërë gjoja “lojëra ping-pongu” me akuza e kundër-akuza abuzimesh dhe vjedhjesh të fondeve të pensioneve që akordohen nga zyrat e sigurimeve shoqërore e që shpërndahen nga Posta Shqiptare! Këto dy institucione, mes të cilëve ka një kontratë zyrtare shërbimi reciprok për të çuar pensionet në çdo familje, kanë listat dhe firmosin, vulosin e shpërndajnë pensione! Mirëpo çfarë ka ndodhur e po ndodh? Në qarkun e Elbasanit, po jepen pensione edhe për njerëz që nuk jetojnë më. mos u çuditni, por shumë të vdekur në Elbasan, figurojnë në listat e sigurimeve shoqërore dhe marrin pensione.

 E jo vetëm kaq, por sigurimet, nëpërmjet Postës Shqiptare, ua çojnë pensionin edhe në shtëpi, natyrisht jo në varreza, por tek familjarët e tyre të gjallë, të cilët firmosin në bllokun e postierit dhe ai pasi u merr firmën dhe i uron “ta hani me shëndet”! në fakt në rastin konkret po e ha shteti! Sigurimet shoqërore të Elbasanit, të cilat drejtohen nga një jurist e ish-avokat pronash që “shkëlqen” edhe për këto “punët e pensioneve”, çojnë listat e pensioneve në Postë dhe bashkë me listat çojnë edhe fondin e pagesave mujore për çdo pensionist! Mirëpo në këto lista, rezulton se figurojnë shumë të vdekur, të cilët edhe pse nuk jetojnë më, çuditërisht Posta ua çon pensionin në shtëpi! Të dy këto institucione që merren me zbatimin e ligjit dhe procedurat e dhënies e shpërndarjes së pensioneve, janë përgjegjës ëpr krimin financiar të dhënies së pensioneve për të vdekurit! Sipas ligjit, sigurimet shoqërore duhet të mbajnë lista të sakta e përditësuara të personave që trajtohen me pensione, duke bashkëpunuar me zyrat e gjendjes civile në bashki, në rreth e në qark! Ndërsa Posta, ka detyrimin ligjor që pensionin ta dorëzoj me firmë në dorën e personit pensionist që e përfiton si në sportelin e saj edhe kur shërbimi kryhet në familje! Edhe në rastet kur pensioni jepet me prokurë, sigurimet duhet të verifikojnë sistematikisht, minimalisht 1 her ënë muaj nëse personi përfitues pensioni jeton ose jo! 

Pikërisht kjo procedurë ligjore nuk zbatohet as nga Posta e as nga sigurimet shoqërore. Posta jep pensione në çdo shtëpi, për persona të vdekur edhe disa vite më parë, ndërkohe që duhet të kontaktoj me personin që ka emrin në listën e pensionit, por në rastin konkret u jep pensionin familjarëve edhe pse në shumë raste agjentët e postës (shpërndarësit) e dinë që përfituesi i pensionit nuk jeton më sepse si bashkëfshatarë i kanë shkuar edhe në varrim e “i kanë ngrënë drekën e mortit”. Këto lista, Postës së Elbasanit ia jep zyra e Sigurimeve Shoqërore të Elbasanit e cila, çuditërisht nuk kontrollon personat që ndahen nga jeta për t’i hequr nga listat e pagës së pensioneve. Sipas listave të pagesës së pensioneve, çdo vit në Elbasan jepen 13.4 milionë lekë pensione për persona të vdekur! Madje pensionet u çohen edhe në shtëpi prej korrierëve të Postës, të cilët shpërblehen me nga 100 lekë të reja për familjarëve që marrin çdo muaj këtë “bonus” financiar prej shtetit, si pension për të vdekurit! Skandali me pensionet që përfitojnë të vdekurit e Elbasanit dhe që po vazhdon për shkak se drejtuesit e kollarisur e militantë partie të sigurimeve shoqërore të këtij qarku, nuk duan t’i pastrojnë lista për të bërë “qoka” e për të “ngjyer gishtin” megjithëse kanë në sirtare një “mullar” me denoncime konkrete! nuk e kemi fjalën për xhambazllëqet që drejtuesit e Sigurimeve Shoqërore të Elbasanit bëjnë me firmat privat për falsifikime e fshehje letrash për numrin e punësuarve e të siguruarve se këtë e drejtuesit e Elbasanit e kanë “mjeshtëri e akrobaci” që e zbatojnë edhe në bizneset e tyre! Skandali u zbulua pas një letre të dërguar në redaksi prej një qytetari nga Elbasani, letër të cilën gazeta “Telegraf” e investigoi dhe konstatoi se një “ushtri” të vdekurish në qarkun e Elbasanit janë paguar nga Filiali Postës së Elbasanit me pensione, që prej saj u çohen edhe me zarf në shtëpi pas… vdekjes! Përballë këtij skandali, shërbimi i anti0krimit ekonomik në Elbasan dhe prokuroria e qarkut Elbasan, duhet të nisin urgjent hetimin, jo për të zbuluar se sa milionë lekë janë vjedhur, por se nga cilët është lejuar kjo vjedhje e përse, madje edhe nëse ky krim ka përfshirë sektorë të tjerë në Sigurimet Shoqërore e në Postë… Gazeta “Telegraf”, në vijim të investigimit të saj, do të publikoj skandalin me shërbimin e agjentëve (shpërndarësve) të Postës jo vetëm në Elbasan por në të gjithë vendin, me listat e pensioneve të falsifikuar, me pagesat dyfishe që u jepen pensionistëve me emra të ndryshuar, me punonjës që janë në bordero, por nuk janë Shqipëri prej mëse 10 vitesh, me bizneset që kanë drejtuesit e sigurimeve e të postës në Elbasan e në rrethe të tjera, deri në biznese tufa bagëtish, të cilat ua kullosin, mjelin e ua ruajnë punonjës që paguhen nga posta! 
Sigal