Pompeo takon muxhahedinët në Shqipëri

157
Sigal

Qëllimi i vizitës në vendin tonë këtë të hënë së ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit Michael Pompeo, ishte Ashraf  3, selia e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK) në Shqipëri, ku ai pati një takim me Maryam Rajavi, Presidenten e zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

Në njoftimin për shtyp, stafi i ish-kreut të diplomacisë amerikane bën me dije se Pompeo dhe Rajavi morën pjesë në takimin e Muxhahedinëve të cilëve u shprehu njohjen dhe respektin e vendit të tij për vuajtjet e tyre në emër të lirisë.

Gjatë fjalës së tij, Pompeo vlerësoi rolin e Presidentes së zgjedhur Maryam Rajavi, ku nën udhëheqjen e saj, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit po hedh themelet për një republikë të lirë, sovrane dhe demokratike në Iran.

Nga ana tjetër, Pompeo tha se Ebrahim Raisi, kasapi që orkestroi masakrën e 1988-ës, tani është president, por pjesëmarrja bnë votime më e ulëta që nga viti 1979, nënkupton një refuzim total të regjimit dhe personit të tij.

Ish-shefi i diplomacisë amerikane konstatoi në fjalën e tij se një faktor serioz që mungon në politikën e SHBA-së ndaj Iranit ka qenë mungesa e mbështetjes politike për opozitën e organizuar.

Nga ana e saj Presidentja Rajavi u shpreh e vendosur se kjo luftë do të vazhdojë derisa në Iran të krijohet një republikë e lirë dhe e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Rajavi e mbylli fjalën e saj duke theksuar se opozita që ajo drejton mund dhe duhet ta çlirojë Iranin, Lindjen e Mesme dhe botën nga e keqja e mullahëve bërthamorë.

Dhe për ta arritur këtë objektiv, ajo kërkoi vendosjen e sanksioneve gjithëpërfshirëse dhe izolimin ndërkombëtar të diktaturës fetare.

Gjatë vizitës pesë orëshe, Sekretari Pompeo vizitoi ekspozita të ndryshme në muzeun e Rezistencës, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me kryengritjet popullore, Njësitë e Rezistencës, masakrën e të burgosurve politikë, torturat mesjetare, riprodhimin e qelive të burgut të grave në burgjet Evin dhe Qezel Hessar dhe riprodhimine Korridorit të Vdekjes dhe Sallës së Ekzekutimit në burgun e Gohardashtit.