Polonia dhe Ukraina, mes zhvillimit dhe dialogut të ngushtë bilateral

687
Peter Tase*
“Ne jemi fuqimisht kundër ndikimit ideologjik dhe fizik të Rusisë në punët e brendshme të Ukrainës.” 
– Prof. Jacek Czaputowicz, Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë (më 19 Shkurt, 2018). 
Me shqetësim vihet në dukje përkeqësimi dhe ftohja e bashkëpunimit dy palësh mes Ukrainës dhe Polonisë, një tipar ky që nuk i shërben stabilitetit rajonal dhe dialogut bilateral. Pas shembjes së Murit të Berlinit dhe rënies së Bashkimit Sovjetik, Polonia demokratike adoptoi plotësisht doktrinën e Jerzy Giedroyc, një intelektual dhe shkrimtar brilant i shek. XX, i cili luftoi për sovranitetin territorial të Polonisë si dhe ushqeu kundërshtime të thella mbi synimet imperialiste të shpalosura nga fqinjët lindor, veçanërisht Rusia. Megjithëse strategjia e Jerzy Giedroyc (Jerzi Giedrojc) u konsiderua nga Polonia socialiste si një tradhti e interesave kombëtare; pas 1989-ës ideologjia e Giedroyc u mbështet tërësisht nga intelektualët e Lëvizjes Solidariteti (Unioni Tregtar Solidarnosc), Adam Michnik (Miçnik) dhe Jacek Kuron, të cilët përcaktuan konturet e marrëdhënieve të Polonisë me Ukrainën dhe vendet e tjera lindore. Giedroyc ishte një mbrojtës i flaktë i dialogut të ngrohtë dhe prodhimtar midis Varshavës dhe vendeve të rajonit, çka bëri të mundur krijimin e Iniciativës së Partneritetit Lindor, brenda Bashkimit Evropian; doktrina e tij ishte themeli i kulturës, diplomacisë dhe politikës moderne Polake, ku lidhjet e ngushta me Bashkimin Evropian do të kenë impakt të drejt për drejt në reduktimin e influencës Ruse në Poloni dhe në rajon. Më 19 Shkurt, 2018, në një konferencë rajonale në Przemysl Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Prof. Jacek Czaputowicz deklaroi: “Ne jemi fuqimisht kundër ndikimit ideologjik dhe fizik të Rusisë në punët e brendshme të Ukrainës.”

Krahas doktrinës së Giedroyc, e cila: forcon vëllazërinë midis Ukrainasve dhe Polakëve, si dhe lidhjet tregtare, kulturore midis dy vendeve; konfliktet e përgjakura midis Polakëve dhe Ukrainasve gjatë shekullit XX veçanërisht pastrimet etnike të Polakëve dhe Ukrainasve në Volhynia (gjatë Luftës së Dytë Botërore), kanë lënë gjurmë të thella në memorien historike kolektive tek të dy shtetet. Në 2015, Kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi Jaroslaw Kaczynski ka mbrojtur idetë e Giedroyc, të cilat e kanë bindur për të shpalosur disa kushte në lidhje me Kievin, duke i bërë thirrje të mos përdor liderin nacionalist Stepan Bandera si një arsye më shumë për të krijuar identitet kombëtar. Ukraina aktualisht i glorifikon drejtuesit e Organizatës Nacionaliste Ukrainase si dhe Trupat Çlirimtare të Ukrainës; të cilat konsiderohen shkaktaret e masakrës në Volhynia më 1943, ku trupat Ukrainase dhe ato Polake ishin në luftë kundër Gjermanisë Naziste por edhe kundër njëri – tjetrit në fshatrat e Ukrainës Perëndimore dhe Polonisë Lindore; ku me dhjetëra mijëra civilë u masakruan, dhunuan dhe poshtëruan. Sidoqoftë Bandera asnjë herë nuk është pranuar si një bazë për ndërtimin e Identitetit Ukrainas, ai thjesht konsiderohet si simbol i luftës për pavarësi në Ukrainën Perëndimore. Përdorimi i simbolit të Banderës në Euromaidan i drejtohej Rusisë dhe jo Polonisë. Në 2015, problemi i masakrave në Volhynia dhe Operacioni Vistula u ngrit nga shumë grupime politike, në vitin 2016 Dhoma e Ulët e Parlamentit Polak deklaroi se këto vrasje janë një akt barbar dhe gjenocid kundër Polakëve. Shumë qytetarë në Ukrainë nuk kanë informacion mbi masakrën në Volhynia, sepse ajo nuk është përmendur në tekstet shkollore të Bashkimit Sovjetik, madje Polonia ka gëzuar një imazh vërtet pozitiv dhe mbresëlënës në Ukrainën e protestave në Maidan, Kiev. Duket se Ukrainasit janë më pak të përqendruar në historinë e tyre kombëtare sesa Polakët, si dhe janë më pak etnocentrikë. Ndërkohë, numri i sulmeve ndaj Ukrainasve në Poloni është rritur në vitet e fundit. Në të shumtën e rasteve autoritetet polake janë treguar eficientë dhe aktivë në arrestimin e kriminelëve që ruajnë simpati dhe flirtojnë me strategjinë e ekstremit të djathtë. Polonia dhe Ukraina nuk kanë më kohë për të humbur dhe të presin përkeqësim të mëtejshëm të situatës. Ndoshta në këtë suazë, bashkëpunimi i ngushtë dhe vëllazëror, toleranca e shprehur ndër shumë vite midis komunitetit polak dhe komunitetit ukrainas në qytetet Fram dhe Enkarnasion (Republika e Paraguay-it) do të ishte një shembull i përkryer që do të shërbente në forcimin e dialogut dhe partneritetit strategjik midis Polonisë dhe Ukrainës. Në Itapua (Paraguay), sipërmarrjet dhe shoqëritë tregtare të përbashkëta që administrohen nga komuniteti polak dhe komuniteti ukrainas janë vlera të vyera tolerance dhe emancipuese jo vetëm për Amerikën Latine por në të vërtet rrezatojnë progres, mirëqenie, paqeje, dialog të shëndetshëm edhe për bashkëkombësit e tyre në Varshavë dhe Kiev. Jam i bindur se heroi kombëtar i Paraguay-it, inxhinieri ushtarak me origjinë polake Luis Miszkowski, do të ishte vërtet krenar nga rikthimi i besimit reciprok dhe bashkëpunimi i ngushtë politiko-tregtar midis Polonisë dhe Ukrainës. 
– Peter M. Tase është ekspert i studimeve evropiane; analizat e tij janë botuar në gazetën The Washington Times (Washington, DC), si dhe në The Washington Report on the Hemisphere (www.coha.org). 



Sigal