Pollo takon të dërguarin e posaçëm gjerman: PD do realizojë integrimin e vendit

176
Sigal

I dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane për rajonin tonë, Manuel Sarrazin ka realizuar një takim në Tiranë me Genc Pollon.

Në axhendën e Sarrazin nuk përfshihej një takim me Lulzim Bashën.

Ndërkohë pas takimit me Pollon, ky i fundit postoi një mesazh online. Në mesazh theksohet se PD mbetet e angazhuar për integrimin e vendit.

“Me z. Manuel Sarrazin takohem sërish në Tiranë. Dikur si raporter për Shqipërinë grupit i Partisë së Gjelbër në Bundestag, sot i Dërguar i Posaçëm i qeverisë gjermane për Shqipërinë e Ballkanin Perëndimor. Është pozitive që ai kontakton edhe opozitën.

Përveçse dënimit të agresionin të Putinit kundër Ukrainës dhe rolit të Shqipërisë ku gjërat janë të qarta u ndala tek procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Fuqitë e treta jo miqësore me BE nuk kanë përkrahje në popullsinë shqiptare. Partia Demokratike siç ka realizuar në të shkuarën ashtu do të konsolidojë edhe në të ardhmen ankorimin e vendit në Europë e në Perëndim.

Partia Demokratike do të mirëpriste  çeljen e negociatave për anëtarësim këtë gjashtëmujor nën presidencën franceze të BE-së. Por vlera konkrete e këtyre negociatave për shtetin tonë e ndonjë tjetër në rajon ku dominon korruptokratia është në radhë të parë rekuperimi i elementeve bazë të shtetit ligjor e të demokracisë; ose siç njihen Kriteret e Kopenhagenit të cilat janë kusht sine qua non për BE. Neglizhimi i tyre nuk është ndihmë për popullin shqiptar. Gjermania me rolin e saj pozitiv në rajonin tonë dhe në BE mund të ndikojë veçanërisht në këtë drejtim,” shkruan Pollo.