Policia zbulon ADN-në e vrasësit të komisarit, Artan Cuku

490
Policia ka mundur të grumbullojë disa prova shumë të vlefshme biologjike të cilat, raportohet që i kanë mundësuar edhe zbulimin e profilit gjenetik të AND-së së autorit të vrasjes së Komisarit, Artan Cuku më 8 prill në Tiranë.
Profili gjenetik i zbuluar nga provat biologjike të gjetura në vendin e krimit, do të përdoret në hetime duke e krahasuar me profilet gjenetike të personave që po hetohen në 3 pistat kryesore ku është orientuar policia: vrasje për hakmarrje, për shkak të biznesit dhe për shkak të detyrës si drejtor policie në Vlorë.

Mësohet se në vendngjarje policia ka grumbulluar edhe një numër të konsiderueshëm shenja gishtash, por këto nuk e kanë ndihmuar hetimin, pasi në hollin e pallatit ku ndodhi ngjarja, para policisë kishin qenë edhe të tjerë njerëz, të cilët kanë prekur dyert e ashensorit apo të derës së jashtme.

Paralelisht me provat e grumbulluara në vendngjarje policia po punon edhe me pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë. Raportohet se këto pamje përveçse janë bërë publike në media po iu tregohen edhe të gjithë agjentëve kriminalistë të policisë dhe personave të cilët vuajnë dënimin me qëllim identifikimin e personit të shfaqur në video.
Sigal