Policia e Qarkullimit me policë që lëvizin me makina pa targa

787
E ndërsa trafiku rrugor në Elbasan mbetet i çoroditur, i pastabilizuar, shumica e policëve të Qarkullimit Rrugor dhe jo vetëm, lëvizin edhe me makina pa targa. Ka prej tyre që disponojnë automjete të tipave të ndryshme, me targa të huaja, me targa fallco, madje të parkuara edhe në sheshin para Drejtorisë Policisë Qarkut. Prej disa kohësh trafiku rrugor në akset rrugore të qytetit të Elbasanit, gjendet në kaos. Edhe pse janë shtruar nga e para pothuajse të gjitha akset rrugore, duket se Policia e Qarkullimit Rrugor mbetet e pazotë dhe e pafuqishme të menaxhojë trafikun në rrugët e Elbasanit, hyrje-daljet dhe akset kryesore e dytësore. Pavarësisht se efektivat e këtij sektori janë shtuar, pavarësisht se kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mjete motorike dhe logjistikë, sërish konstatohet kaos, mungesë sinjalistike, mungesë profesionalizmi, në drejtimin dhe menaxhimin e trafikut dhe rasteve problematike që ndodhin çdo ditë. 
Qytetarët që posedojnë biçikleta (dhe jo makina), duken të shqetësuar dhe shprehen se “policia e Qarkullimit Rrugor më tepër merret me ne dhe jo me shoferët, me ata që bllokojnë trotuaret, që bllokojnë rrugët dhe kryqëzimet, me ata që krijojnë kaos dhe zhurma akustike, dhe që tallen dhe nuk u ndalojnë atyre kur ngrenë tabelën”. Por shqetësim shprehin edhe shumë qytetarë që posedojnë makina apo edhe këmbësorë. Gjobiten dhe trajtohen sikur të ishin bagëti, dhe kjo vjen nga mungesa e edukatës, kulturës, dhe komunikimit profesional që kanë shpesh policë të sektorit të Qarkullimit Rrugor në Elbasan. Problem mbetet edhe mosha dhe vjetërsia e shumë efektivave, gjë e cila ka krijuar familjaritet me “të fortët”, me ata që nuk pyesin për zbatimin e ligjit, dhe egërsi dhe sjellje brutale me qytetarin e thjeshtë dhe shoferët (burra apo gra), që janë të rregullt, ecin me shpejtësinë e lejuar, nuk përdorin pije alkoolike, etj. Efektivat e Policisë Qarkullimit Rrugor në Elbasan, i shikon shpesh tek merren me poseduesit e motoçikletave apo më keq edhe me poseduesit e biçikletave, dhe bëjnë sikur nuk dëgjojnë e shikojnë, kur para tyre kalojnë makina me shpejtësi të madhe, apo tek krijojnë vargun e gjatë të trafikut kur ndalojnë paralel në mes të rrugëve dhe llafosin me miqtë e tyre pa zbritur apo pa hapur krahun sipas rregullores. Mungesa e rregullit, e zbatimit të ligjit, e zbatimit të rregulloreve nga poseduesit e makinave kryesisht nga ata që bëhen shpesh problematikë në rrugët dhe trotuaret e Elbasanit, ka nxjerrë në shesh mungesa dhe paaftësinë e efektivave të Qarkullimit Rrugor. 
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, nga ky sektor mungon angazhimi dhe projektet lidhur me vendosjen dhe disiplinimin e trafikut në akset rrugore kryesore dhe dytësore. Shpesh qytetarët telefonojnë tek 129 dhe ankohen për zaptimin e trotuareve dhe kthimin e tyre në vende parkimi nga dhjetëra automjete, por edhe pse me vonesë, edhe kur vjen polici rrugor, ose ka frikë ose e ka mik poseduesin e mjetit dhe gjithçka mbyllet pa zgjidhje. Elbasani dhe qytetarët e tij kërkojnë nga Policia e Qarkullimit Rrugor përgjegjshmëri më të madhe, nga efektivat e këtij sektori zbatimin e ligjit dhe rregulloreve për cilindo që gabon me dashje, për cilindo që sillet me mjetin e tij sikur të ishte çifligar tokash, por edhe ngritjen e nivelit profesional të efektivave. Kjo e fundit, shpesh ka sjellë incidente dhe raste ekstreme mes efektivave dhe qytetarëve. Mungesa e dinjitetit dhe nivelit profesional, shpesh ka detyruar me kërshëri qytetarët e Elbasanit të shohin skena të turpshme kur efektivi është sharë, fyer madje dhe goditur kur ka qenë në detyrë, nga persona që më pas i ka “quajtur miq dhe shokë”. Kjo formë e zbatimit të ligjit dhe ushtrimit të detyrës, duhet të marrë fund. Në Policinë e Qarkullimit Rrugor duhet të kenë vend ata policë që mik dhe shok kanë ligjin, dhe që kompromiset duhet ti bëjnë me ligjin dhe jo me të fortët, duke mbrojtur qetësinë e qytetarit dhe imazhin e uniformës që ka veshur.
Sigal