Policia e Kukësit reagon për ngjarjen me Abedin Oruçin: 6 të arrestuar dhe 5 të proceduar

336
Sigal

Policia e Kukësit ka lëshuar sot një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen që ndodhi të mërkurën me ish-kreun e këshillit të këtij qarku.

Të martën, u përplas me policinë në momentin që efektivët shkuan për ta arrestuar në hotelin e tij, por nuk ia arritën, pasi ai u shpëtoi nga duart duke u arratisur.

Nga ngjarja u raportua se Abedin Oruçi u nxori armën efektivëve në Kukës duke i kërcënuar ndërsa nga përleshja policët mbetën të lënduar.

Në njoftim, policia e Kukësit shprehet se në momentin që efektivët kanë hyrë në ambientet e hotelit, persona të afërm të ish-kreut të Këshillit janë konfrontuar fizikisht me punonjësit e policisë.

Oruçi, sipas policisë, duke përfituar nga ky fakt dhe duke i kanosur me armë zjarri punonjësit e Policisë, ka mundur të largohet. Ndërsa, njoftohet po ashtu së në lidhje me ngjarjen janë arrestuar në flagrancë 6 qytetarë, ndërsa 8 të tjerë janë proceduar.

Në pranga kanë rënë E. O., 32 vjeç, G. O., 34 vjeç, B. M., 35 vjeç, E. M., 18 vjeç, Z. Sh., 19 vjeç dhe B. D., 48 vjeç, banues në Kukës, për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” kryer në bashkëpunim dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Kurse të proceduarit penalisht për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, janë: R. S., 22 vjeç, A. S., 18 vjeç, G. O., 50 vjeç, I. O., 28 vjeç dhe R. S., 21 vjeç, banues në fshatin Mamez dhe në Kukës.

Në kërkim është shpallur Abedin Oruçi, 54 vjeç dhe P. O., 46 vjeç, banues në Kukës.