Pjesëtari i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, ka sulmuar fizikisht dhe e ka kërcënuar doktoreshën Dafina Mahmutaj në repartin e Kirurgjisë Abdominale, thuhet në një njoftim të QKUK-së. Sipas këtij njoftimi, rreth orës 8 të mëngjesit, polici kishte hyrë në dhomën e mjekëve dhe infermierëve, duke kërkuar sqarim për një rast. Ai kishte kërkuar të kontaktonte me shefin e repartit. Atij i është kërkuar të dalë jashtë dhe të presë derisa të vinte shefi i Repartit, por i irrituar nga kjo kërkesë, sipas njoftimit, thuhet ai kishte filluar ta sulmonte fizikisht doktoreshën Mahmutaj. Në njoftim thuhet se gjatë gjithë kohës personi tregonte armën që mbante në brez duke kërcënuar indirekt. Më pas kishte ndërhyrë sigurimi i QKUK-së, të cilët e kishin njoftuar edhe policinë për incidentin. Pas arritjes së organeve të rendit ishte kuptuar se personi në fjalë ishte polic, edhe pse nuk ishte me uniformë dhe në detyrë zyrtare.