Policë të pikës kufitare, tre raste të reja me koronavirus në Has

346
Sigal

Ministria e Shëndetësisë ka raportuar tre raste të reja të reja në Has gjatë 24 orëve të fundit.

Burime për ABC News njoftojnë se të tre rastet e konfirmuara me covid-19, janë punonjës të Policisë Kufitare të Hasit, të infektuar nga kolegu i tyre i infektuar pak ditë më parë.

Të tre punonjësit e policisë kufitare tashmë i janë nënshtruar izolimit së bashku me familjet e tyre, në fshatrat Tregtan e Nikolic, ndërsa punonjësi tjetër i policisë në qytetin e Krumës.

Tre rastet e reja nuk kanë asnjë lidhje familjare me rastet e mëparshme.

Me këto tre raste, Hasi numëron 12 te prekur, prej të cilëve njëri tashmë ka ndërruar jetë ditë më parë, bëhet fjalë për 69 vjeçarin, vëllain e personit të parë që solli edhe virusin Covid-19 në Has.

Në Has në fakt, koronavirusi, u soll nga një e moshuar, e cila ishte kthyer nga Italia e mori pjesë në një ceremoni mortore, por fatkeqësisht, infektoi vëllain e saj të ndjerë dhe motrën e saj. Pak ditë më vonë, u shfaq një vatër e re me 7 të infektuar, të gjithë anëtarë të së njëjtës familje, por që nuk kishin lidhje me dy rastet e para, dhe së fundmi edhe tre punonjësit e policisë kufitare të Hasit.

Në njoftimin e ditës së sotme zv.ministrja Rakacolli theksoi se shkak për zgjerimin e rasteve në Tiranë, Has dhe Shkodër është mos respektimi i distancimit social.