Po transportonte 15 emigrantë të paligjshëm me triçikël, arrestohet 39 vjeçari në Korçë

274
Sigal

Një 39 vjeçar është arrestuar në Korçë pasi po transportonte 15 emigrantë për t’i ndihmuar për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Në kërkim janë shpallur 2 të tjerë.

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. “Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Maliq në vijim të operacionit policor “Perimetri”, është goditur një tjetër rast i aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Sh., 39 vjeç, banues në fshatin Prezë, Tiranë, si edhe u shpallën në kërkim shtetasit M. S., 21 vjeç dhe L. Ll., 23 vjeç, banues në Tiranë“, thotë policia.

Ai është kapur nga policia në rrugën Zëmblak-Zvezdë, në afërsi të fshatit Burimas, Maliq, duke transportuar me mjetin triçikël tip “Kama” 15 emigrantët, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se edhe dy shtetasit e tjerë janë të implikuar në këtë ngjarje si bashkëpunëtorë të 39-vjeçarit M. Sh.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim“, thuhet më tej në njoftimin e policisë.