“Plug and Play Tirana” ka çelur dyert në ambientet e Piramidës. Bashkë me kryeministrin Edi Rama, i pranishëm në këtë event, ishte edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e cilësoi “Plug and Play”, si një stacion tjetër që do të sjellë më pranë të rinjve shqiptarë, këto shërbime inovative. Ai nënvizoi faktin se Bashkia e Tiranës do jetë donatori kryesor i këtij projekti.
“Dua të falënderoj shumë ambasadën e Francës dhe gjithë kolegët në Paris. Qershia mbi tortë sot është “Plug and Play”. Bashkia e Tiranës do të financojë 1.8 milionë euro për “Plug and Play”, të tjerët do jenë nga fusha e qeverisjes, ministri të ndryshme që do bashkëpunojnë, do të ketë disa aleatë të tjerë nga fusha e biznesit, por më vjen mirë që jemi donatori kryesor. Bashkë me AADF ka qenë një projekt që e kemi inkubuar në Bashkinë e Tiranës, prej kaq vitesh. Më në fund ia kemi dalë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se kryeqyteti shqiptar është duke përjetuar një transformim të dukshëm në fushën e inovacionit, në sektorë të ndryshëm të teknologjisë e turizëm. Ai ftoi të rinjtë e kryeqytetit dhe jo vetëm, që të shfrytëzojnë këto hapësira, që ofrojnë një bazë të fortë talentesh për komunitetin e inovacionit dhe sipërmarrjes.
“Tirana ka 25% të output-it të vetë ekonomik punë digjitale dhe 25% turizëm. Kjo ishte e pa menduar 10 vite më përpara. Ndaj, më vjen mirë që e kemi këtë mundësi, po kemi vend, kemi ende kapacitet për të rinjtë, sidomos nga zonat rurale: Kamza është vetëm nga ana tjetër e Lumit, Elbasani vetëm 25 minuta larg. Ftesa për të gjithë është: për fëmijët e moshës 12 deri 18, është falas, ju lutem regjistrohuni. Kemi vende për këtë semestër të ri që ka filluar, do vazhdojë punën edhe gjithë verën”, tha ai. Veliaj u shpreh krenar për faktin se “Plug and Play” do të jetë pjesë e ekosistemit dhe komunitetit, që gëlon tashmë në ambientet e Piramidës. Ai theksoi se Tirana do të mikpresë një sërë eventesh, si dëshmi e progresit dhe realitetit të ri që po përjeton kryeqyteti shqiptar.