Plani rregullues, Lame: 14 mijë objekte rrezikojnë legalizimin

509
Sigal

TIRANE– Rreth 14 mijë objekte në vend rrezikojnë të penalizohen nga procesi i legalizimit, për shkak të planit rregullues. Në një deklaratë për mediat, kreu i ALUINZI-t Artan Lame theksoi nevojën e rishikimit të planit rregullues të Tiranës, Bashkisë Kamëz dhe Komunës Paskuqan, ku regjistrohet edhe numri më i madh i banesave informale. Për këtë çështje, Lame tha se me një letër drejtuar kryeministrit Rama do të kërkohet rishikimi këtyre planeve rregulluese, sa i takon planifikimit të lartësisë në këto zona, rrjeteve infrastrukturore, dhe të përdorimit të tokës. “Situata më problematike paraqitet në Kamëz dhe Paskuqan. Janë rreth 14 mijë objekte mund të penalizohen. Vetëm në Kamëz janë 4 mijë aplikues që rrezikojnë të përjashtohen nga legalizimi. Bulevardi “Berisha” në Kamëz ka shumë objekte të bllokuara. I kemi kërkuar bashkisë së Tiranës të bashkëpunojë për planin rregullues, dhe kemi kërkuar informacion nga ky institucion. Nuk duam që reforma jonë e legalizimeve të mbetet në duart e papërgjegjshmërisë politike. Për këtë do t’i dërgojmë një letër kryeministrit Rama ku do të kërkojnë të rishikohet plani rregullues i Tiranës, plani i përgjithshëm rregullues i bashkisë Kamëz, dhe i komunës Paskuqan. Po kështu kërkojmë të bëhet një analizë reale në terren e ndërtimeve. Kjo kërkesë ka për qëllim rishikimin e planifikimit të lartësisë së ndërtimeve në këto zona, rrjeteve infrastrukturore, dhe të përdorimit të tokës”, tha Lame. Situata më problematike brenda Tiranës paraqitet në njësitë 6 dhe 7, të cilat rrezikohen edhe më shumë të penalizohen nga legalizimi. Vetëm në kryeqytet, rrezikojnë të mos legalizohen 5 mijë objekte. Ndërsa, deri më tani sipas ALUIZNI-t rezultojnë të jenë bërë 36 mijë vetëdeklarime të objekteve informale.