Plagosja e 26-vjeçarit në Tiranë/ Policia zbardh ngjarjen

715
Sigal

Zbardhet ngjarja e plagosjes me armë zjarri në kokë e shtetasit Indrit Çelaj, 26 vjeç,  lindur në Mallakastër e banues në Tiranë, i  cili ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në Spitalin Ushtarak ka shkuar një person, i cili ishte plagosur me armë zjarri, ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit L.V, banues në Tiranë.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Rreth orës 11.30, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në një vilë trekatëshe, shtetasi I.Ç ishte duke kryer punime  për kondicionimin e vilës në pronësi të shtetasit B.K.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi I.Ç, pas një konflikti të çastit me shtetasin L.V,  ky i fundit e ka plagosur në kokë me armë zjarri pistoletë dhe është larguar menjëherë nga vila.

Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethaneve të ngjarjes, si dhe dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar L.V.