Piro Stefa, arkitekti që është shndërruar në arkiv të historisë shumëshekullore të Vlorës

1371
Sigal

INTERVISTA/ Në prag të 100 -vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Stefa do të çelë një ekspozitë me foto të rralla

Në prag të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, arkitekti vlonjat, Piro Stefa do të çelë një ekspozitë me foto të rralla në Tiranë, ku shpaloset historia 2500-vjeçare e Vlorë, për të cilën ka punuar e udhëtuar nëpër botë për 20 vjet. Ai flet për herë të parë ekskluzivisht për “Telegraf”.

Duket e pazakontë në pamje të parë, që një arkitekt në profesion, ka pasion  historinë, lashtësinë. Pse ndodh kjo z.Stefa, cilat janë shkaqet?

Për hir të së vërtetës duhet pohuar që ky pasion, është në unison me profesionin tim, që e bëj në mënyrë të lirë, të pavarur, pa obligime. Familja ishte është vlonjate, çka do të thotë se kam interes, pasion si vlonjat për të bërë diçka ndryshe për qytetin tim. E dyta është se në vitet e tranzicionit m’u dha mundësia të lëviz në shumë shtete, kam qëndruar një periudhë në Kanada dhe distanca me vendlindjen krijon një tjetër lloj emocioni, ndjesie, ku edhe atje ku ndodhesh, kërkon të gjesh qytetin tënd. Një tjetër arsye është se unë si arkitekt, për efekt të profesionit, jemi transformues, krijojmë gjëra të reja. Sikurse dihet Vlora ka një të kaluar, një histori, një trashëgimi. Arkitekti në punën e tij, hap një rrugë të re, një bulevard të ri, komplekse të reja, që e kanë një kosto, pasi prishet diçka e vjetër dhe ndërtohet e reja. Ajo që kërkohet është që të ketë një ekuilibër midis asaj që prishet dhe tjetrës që ndërtojmë, në mënyrë që ta ruajmë me fanatizëm të kaluarën.

Të ndalemi tek kontributi juaj?

 Unë jam pjesë e asaj gjenerate, që kam kontribuar në ndërtimin e qytetit të ri, për të rritur kualitetin e jetesës së komunitetit dhe në këtë pikë nuk duhen mohuar sukseset. Vlora sot tregon jo vetëm fuqinë ekonomike, fuqinë turistike, që respekton aq sa mundet këtë tranzicion të stërzgjatur, por nga ana tjetër, ka bërë pak për të respektuar traditën e vjetër historike, moshën e qytetit. E vërteta është se këtë dukuri, Vlora e ekspozon më pak se qytetet e tjera. Shkodra është një shembull, që ka bërë hapa pozitivë për të rivlerësuar të shkuarën.

Ku janë fshehur këto gjurmë të hershme z. Stefa?

Këtë po bëj edhe unë. Ka shumë dokumente, ka shumë foto të vjetra, ka shumë plane e studime, gravura të vjetra, ka shumë autorë, që kanë shkruar për qytetin. Është e vërtetë që Vlora ka jetuar në mëse 2 mijë vjet, njëherë e shndritshme dhe e zhvilluar, më pas më pak e zhvilluar.

Të ndalemi tek koleksioni që keni ju dhe ekspozita që do të çelni në prag të 100 -vjetorit sot në Tiranë?

Unë kam një koleksion të pasur me gravura të vjetra, harta të vjetra mesjetare, që në të shumtën e rasteve janë bërë nga gjeografë venecianë, por edhe të Perandorisë Osmane. Ka kronika të shumta për Vlorën e Kaninën, ku shkruhet gjerë e gjatë, studiues të jashtëzakonshëm me potencial ndërkombëtar, sikurse është Eqerem Bej Vlora, që ka shkruar jo vetëm me një saktësi shkencore, por edhe me një dashuri të madhe për këto treva. Harta më e vjetër që unë disponoj, është ajo e vitit 1521 e Reispirit. Që të gërmosh dhe arrish të gjesh diçka, kërkon impenjim dhe shumë kohë, sigurisht kërkohen edhe shpenzime. Pra nuk është e thjeshtë, por nëse dikush interesohet, materialet për Shqipërinë, për Vlorën, gjenden në arkivat e shteteve rrotull si në Itali, Greqi, ish-Jugosllavi, por edhe në vende të tjera.

Në këtë arkiv të rëndësishëm që ju keni në shtëpinë tuaj, çfarë mund të konsideroni të shtrenjtë, që do ta publikoni për herë të parë?

Nuk është një, është një koleksion i tërë i kartolinave të vjetra, që janë që nga viti 1900 deri më 1990, ku numërohen disa qindra kartolina. Në to konstaton të fiksuar realitetin vlonjat, mënyra se si kanë jetuar, traditat, zejet, qyteti. Si ka evoluar qyteti, zejtaria, jeta qytetare. Elementë shumë të rëndësishëm, që janë konsensualë për qytetin, janë rruga Vlorë-Skelë, Sheshi i Flamurit, bregu i detit etj. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë edhe një gjë, që gjatë shekullit 20-të, që shtrihet në kohë edhe ky koleksion, që është solid, nga më të pasurit, ku janë disa qindra, një pasuri shumë e madhe,  që shtrihen në 100 vjet dhe aty konstaton me lehtë ndryshimet që janë bërë.