Petrit Vukaj, u akuzua se mori ryshfet nga një i paraburgosur, lirohet ish-prokurori i Fierit

702
Sigal

Lirohet ish-prokurori i Fierit, Petrit Vukaj, i cili
akuzohej për veprën penale të korrupsionit pasiv. Mësohet se Apeli i Krimeve të
Rënda ka pushtuar çështjen ndaj ish-prokurorit, pasi nuk disponon prova të
mjaftueshme dhe se nuk provohet fajësia. Më herët ai u dënua me 3 vjet shërbim
prove dhe për 5 vjet nuk ka të drejtë të ushtrojë profesionin.

AKUZA
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se Petrit Vukaj, në
përmbushje të funksioneve të tij, nëpërmjet ndërhyrjes korruptive të disa
personave, ka marrë përsipër zbutjen e kërkesës për dënimin e shtetasit Elton
Xhemali, i paraburgosur për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të
qarkullimit rrugor”, ngjarje e ndodhur në datë 31.03.2015 në aksin rrugor
Levan-Tepelenë, me pasojë vdekjen e qytetarit Përparim Bizhga, shef i rendit në
Policinë e Delvinës, pasagjer në mjetin e drejtuar nga i arrestuari Xhemali.

Nga hetimet rezulton se Elton Xhemali, nëpërmjet
vëllait të tij, Arjan Xhemali dhe oficerit të Policisë së Shtetit, Gazmir
Nelollari, synon që të shmangë dënimin me burgim për veprën penale për të cilën
akuzohet. Në këto kushte, Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kontaktojnë me
prokurorin e çështjes, Petrit Vukaj, dukshëm theksohet në dosje – ka marrë
përsipër zbutjen e pozitës proceduriale të të paraburgosurit Elton Xhemali, në
këmbim të parave, e cila, sipas personave të përfshirë është 300 mijë lekë të
reja.
Pas ndërhyrjes së dyshuar korruptive, prokurori Vukaj, në seancën e datës
07.10.2015 në Gjykatën e Fierit, kërkon “dënimin me 2 vjet burgim për të
pandehurin Elton Xhemali dhe pezullimin e dënimit e kalimin e tij në shërbim
prove”. Kërkesa e prokurorit është pranuar pjesërisht nga ana e gjykatës, e
cila vendos “dënimin me 18 muaj burgim”, por duke mos pranuar kërkesën e
prokurorit për pezullimin e dënimit.
Pakënaqësia e të pandehurit
Në dosjen e prokurorisë thuhet se ky vendim i gjykatës rezulton se nuk ka
kënaqur aspak të pandehurin Elton Xhemali, të cilit, i vëllai Arjan Xhemali dhe
polici Gazmir Nelollari, i kishin dhënë garanci se kishin ndërhyrë të prokurori
dhe ai do të dilte nga paraburgimi. Nga përgjimet rezulton se i pandehuri Elton
i kërkon dy personave të tjerë që t’i marrin paratë që i kanë dhënë prokurorit
Petrit Vukaj, pasi ai (prokurori) nuk e kishte mbajtur premtimin e tij.
“Arjan Xhemali dhe Gazmir Nelollari kanë tentuar të qetësojnë të pandehurin
Elton Xhemali, duke i bërë të ditur Elton Xhemalit se prokurori e ka bërë punën
e tij, pasi ka kërkuar pezullimin e dënimit të tij”, theksohet në dosje. Kjo
pakënaqësi e të pandehurit Erjon Xhemali u bë shkak që të nisin hetimet dhe të
finalizohen me arrestimin e prokurorit Vukaj.