Petrit Vasili : Viti i ri më i trishtë / ‘Fatet e Shqipërisë s’mund të jenë kurrë në duart e tradhtarëve’

275
Sigal

Të nderuar qytetarë dhe qytetare.
Për fat të keq, përveç varfërisë që ka pllakosur në çdo tavolinë, duke e bërë këtë Vit të Ri më të trishtin që shqiptarët kanë parë ndonjëherë, sikur të mos mungonte kjo, para pak, rreth dy orë, shqiptarët kanë dëgjuar një pafundësi gënjeshtrash të një paturpësie që nuk ka të përshkruar, të cilat dolën si gjithmonë nga goja e të njëjtit gënjeshtar profesionist, Edi Rama.
Duke mos u marrë me fjalë të gjata e të stërholluara, po hyjmë në thelbin e këtyre mashtrimeve, të cilat duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë, pasi shqiptarët nuk mund të ngopen as me lugë të zbrazët, as me gënjeshtra.
Sigurisht, Kryeministri është në rregull, i ngopur, i velur, i nginjur dhe sigurisht mund të gënjejë pafund të varfrit, të cilëve u mungojnë edhe gjërat e domosdoshme në përditshmërinë e tyre, e mendoni më për Vitin e Ri.
U fol shumë për rindërtimin, kam vetëm një fjali për të thënë: Ky gënjeshtar premtoi që viti i ri 2020 do t’i gjejë të gjithë qytetarët banesat e të cilëve u dëmtuan, në shtëpi të reja. Faktet janë të tmerrshme, shumë më pak se 1/5-a e tyre ka mundur të marrë diçka, t’u riparohet diçka. Më shumë se 75 për qind e tyre ndodhen përjashta. Pra, gënjeshtari u demaskua me ato që thotë vetë. Mos harroni të nderuar qytetarë: Ky është i aftë të gënjejë për tetë vjet radhazi, nuk e ka problem boll të rrijë të karrigia e tij, të gënjejë edhe 10-20 vjet të tjera.
Foli për pandeminë, tha që kemi shifra vdekjesh më të ulëta, më të ulëta se Bosnja, se Kosova e ku di unë se çfarë. Të nderuar qytetarë ju e dini shumë mirë që Edi Rama nuk testonte, pra nuk bënte teste, nuk vinte diagnozë dhe natyrshëm nuk e dinte as se sa njerëz infektoheshin dhe as se sa njerëz vdisnin. Edhe me shifrat e bashkive të tij në raport me ato që raporton qeveria e tij, mospërputhjet janë me herë. Nga 400 që ky raporton, vetë bashkitë raportojnë 1200, minimumi 3-fishin e vdekjeve. Pra, të jeni të bindur se Edi Ramës vdekja e qytetarëve nuk i krijon as shqetësimin më të vogël. Nuk ia kërcet fare për vdekjen e shqiptarëve dhe mund të gënjejë pa fund, ndonëse qindra shqiptarë kanë humbur jetën.
Përsa i takon bilancit të tij për shëndetësinë, ka vetëm një fjali për të thënë: Në 8 vjet ky njeri nuk ndërtoi dot asnjë spital të ri, pra zero spitale të reja. Ndërkohë, qeverisja e mëparshme i dha disa të tillë, e falë të cilëve, me ato struktura po punon sot e kësaj dite.
Gjendja ekonomike e Shqipërisë? S’kam nevojë të jap shembuj pa fund, mund të shkoni të gjithë të shikoni tregjet në këto ditë të Vitit të Ri, ku përgjithësisht tregjet janë plot, do të shikoni një pamje të mjerueshme, jo të prurë nga ne si opozitë apo nga ne si përfaqësues të LSI-së, por nga mediat shqiptare, kronikat e të cilave ju i keni përpara syve, ku edhe me çmime shumë shumë të ulëta, shqiptarët nuk iu afrohen dot, e varfëria nuk u afrohet dot as atyre. Pasi pandemia, e pambështetur dhe e pa dhënë dorë nga shteti krijoi një katastrofë përsa i takon varfërisë. E duke i qëndruar mbështetjes për qytetarët, po ju jap vetëm një shifër: Jo tonën, por të Fondit Monetar Ndërkombëtar, një pale të tretë të paanshme, i cili thotë qe Shqipëria është e fundit për ndihmën që u dha qytetarëve përsa i takon pasojave të pandemisë. Dha vetëm 1.2 për qind të PBB-së. Nuk po marr të gjtihë vendet e Ballkanit, ku jemi të fundit, por në raport me Kosovën, kjo e fundit ka dhënë 5.6 për qind të PBB-së. Pra, ky kryeministër gënjeshtar ka dhënë 4 herë e ca më pak ndihmë për qytetarët shqiptarë sesa Kosova. Nuk po i referohem Malit të Zi me 8 për qind e Serbisë me 5.6 për qind. Të fundit e Ballkanit, ndërkohë që jemi të parë në mënyrë absolute në Ballkan për koncesionet dhe PPP-të. Shqiptarëve ua ka marrë, ua ka kursyer, ua ka grabitur dhe i ka lënë në atë varfëri që ato tregje i shikoni se si janë. Dhe po të dëgjoni mashtrimin e këtij me realitetin, diferencat janë të tmerrshme. Si thotë populli: Me atë ç’dëgjoj, i lumi unë. Me atë që shoh, i mjeri unë.
Infrastruktura, po ju jap vetëm një shembull. Dy akse themelore, nga më të rëndësishmet që ka Shqipëria, që lidhin Tiranën me Durrësin. Shkoni shikoni aksin Tiranë-Durrës, aksin nacional që kalon nga Ndroqi. Një Kandahar i vërtetë, një rrugë, e cila duket tamam si rrugët e luftës sapo përfundojnë bombardimet. Nuk është më larg se 1 kilometër e gjysmë nga zyra e këtij. Por siduket është e qartë që rruga nga Kryeministria në Surrel është një rrugë e mirë. Rruga që lidh pjesën më të zhvilluar të popullsisë, është në një gjendje të mjerueshme. E ç’detyrohen të bëjnë shqiptarët? Me dhjetëra e mijëra makina, qytetarë rrinë të ngjeshur me orë të tëra për t’u futur në Tiranë, sepse aksi i vetëm i praktikueshëm është autostrada me gjithë punimet që bëhen në të, dhe shpenzojnë kohë, karburant, nerva, nuk arrijnë dot të bëjnë punët e tyre, irritohen dhe përveç varfërisë iu shtohen edhe kosto shtesë, dhe kjo është kaq afër Kryeministrit, i cili nuk lëviz as gishtin, ndërkohë që PPP që ndërtojnë rrugë imagjinare vazhdojnë të thithin qindra miliona.
Përsa i takon çështjes së integrimit evropian të Shqipërisë dhe raportit me të huajt. Shumë e thjeshtë, kemi filluar procesin e integrimit me pesë kushte në vitin 2016, kur morëm për herë të parë rekomandimin për hapjen e negociatave. Në katër vitet e mallkuar të këtij batakçiu politik, janë shtuar edhe dhjetë të tjera dhe Shqipëria ka 15 kushte, njëri më i rëndë se tjetri e që lidhen që të gjitha vetëm me qeverinë. Kjo është arritja më e madhe dhe çdo pretendim i tij për zgjedhjet e ardhshme do të ishte fatkeqësia dhe izolimi i Shqipërisë më keq se në kohën e Enver Hoxhës. Për katër vjet u shtuan dhjetë kushtet që e bënë integrimin e Shqipërisë tërësisht të pamundur, vetëm për faj të qeverisë. Çdo lloj reforme e këtij njeriu, duke filluar që nga e famshmja Reforma Administrative e deri te Reforma në Drejtësi, kanë vetëm një emër: DËSHTIM.
Reforma Administrative u bë në emër të shkurtimit të vendeve të tepërta të punës dhe të kursimit të 60 milion dollarëve në vit. U tha me bujë të madhe. Më shumë se 120 milion dollarë shpenzohen për punësimet e me mijëra punësime militantësh mbushin bashkitë, duke mos dhënë asnjë shërbim të ri, por vetëm duke rrëmbyer para për të shkëmbyer e për të futur ca militantë të paditur e të pazotë për të bërë ndonjë Like në Facebook e për të bërë propagandën, e për të shitur hiçin për diç.
Një tjetër çështje shumë e rëndësishme, u fol nga Kryeministri edhe për zgjerimin dhe raportet me Greqinë. Qëndrimi ynë është shumë i thjeshtë. Ne për fat të keq kemi përballë nesh një Kryeministër tradhtar të interesave të shqiptarëve, por edhe që i gënjen ata pambarimisht. Shqiptarët janë shumë të qartë dhe bëjnë një pyetje shumë të thjeshtë: Që nga 1990 deri në 2020 janë 30 vjet pluralizëm, ku kanë shërbyer mjaft kryeministra të majtë ose të djathtë. Përse Greqia nuk guxoi dhe nuk e ndërmori kurrë një hap të tillë? E ndërmori vetëm në ditët e ekzistencës së Edi Ramës. Dhe kjo është fare e qartë për këdo. Nuk i interesonte Greqisë sipas këtij që mund t’i bënte në çdo kohë? Por, ky ishte kryeministri më ‘i përshtatshëm’, më i dashur për ta dhe më i hidhur për shqiptarët.
Pyetja tjetër është shumë e thjeshtë: Flet për marrëveshje, që ka negociuar. Kemi dëgjuar nga pjesëtarë të qeverisë dhe pala greke që ishin shumë pranë një marrëveshjeje me Greqinë që do të nënshkruhej probabilisht që kur Kryeministër ishte Tzipras në Greqi. U ka shpjeguar ndonjëherë shqiptarëve ky se përse marrëveshja nuk shkoi deri në fund? Ku u pengua? Cilat ishin pikat parimore?
Gjatë negocimit që paska bërë në atë kohë, a u diskutua çështja e 12 miljeve? A u vu si kusht i pakundërshtueshëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese apo negociatat kanë vazhduar mbi drafte që e përjashtonin këtë vendim të Gjykatës? Kujdes Kryeministër! Kujdes! Po të paralajmëroj publikisht, në çdo përgjigje që do japësh, qoftë si rrugaç i dehur, qoftë si njeri i droguar. Për të gjitha gjërat ka fakte dhe gjëra të shkruara. Prandaj edhe mendohu kur të kthesh përgjigje.
Në rast se ka mosmarrëveshje dhe do të shkojmë në Gjykatë, për çfarë do të shkojmë në Gjykatë meqë ky është i gatshëm të shkojë në Gjykatë ndërkombëtare? Cila është çështja për të cilën do të ndeshemi në Gjykatë? Në ç’formë dhe ku janë mungesat e dakordësive? Pse ka frikë ky të jetë transparent me shqiptarët e të mos thotë këto mbroçkulla prej idioti, që nuk i ha njeri? Çfarë janë kufijtë e Shqipërisë? Prona e këtij banditi politik? Kufijtë e Shqipërisë janë aty dhe aty do të jenë, edhe kur ky do të ketë ikur por që nuk do të harrohet si tradhtar. Se ka plot që ikin dhe harrohen, por ky nuk do të harrohet si tradhtar. Këto përgjigje të sakta, të qarta, të prera presin shqiptarët, nuk duan idiotësi dhe nuk duan më të dëgjojnë avokatinë e fqinjëve në kurriz të tyre. Duan avokatinë e Shqipërisë, si mbrohen interesat e Shqipërisë. Dhe njëherazi bëjnë pyetjen: Përse në këto 30 vjet vetëm këtë herë me këtë kryeministër u guxua të ndërmerrej një veprim i tillë? Cilat qenë premtimet, zemër-hapja në gushtin e këtij viti, kur ne si opozitë dhe qytetarët ngritëm alarmin për këtë që do të ndodhte? A e lëvizi gishtin, a kërkoi të mblidheshin forume shtetërore, institucionale, intelektuale që Shqipëria disponon? A u këshillua me partnerët ndërkombëtare se ç ‘qëndrim të mbante? A kërkoi ekspertizë ndërkombëtare më të kualifikuar për të qenë i përgatitur përpara çdolloj eventualiteti. Absolutisht zero. Pasivitet i qëllimshëm për të shitur interesat e Shqipërisë. Dhe kjo ka emrin Tradhti deri në tradhti të lartë. Dhe kësaj llogarie nuk i shpëtohet as me llafe pazari, as me dëngla Portokallie, e me asnjë lloj estrade fshati apo jo të një Kryeministri të papërgjegjshëm që Shqipërinë e ka thjesht dhe vetëm plaçkë tregu e ky do të mbahet mend si kryepazarxhiu i Shqipërisë, sepse pozicionin e krye-gënjeshtarit e ka përvetësuar dhe faktet që u dhashë janë kaq të qarta saqë flasin vetë.
Të nderuar qytetarë,
Asnjë nuk e thotë dot që nuk e njeh se çfarë mashtruesi është Edi Rama, se si gënjej Edi Rama për çdo gjë, deri edhe për kufitë e Shqipërisë. Dhe kjo është evidente.
Dhe shqiptarët, e vetmja punë patriotike që u mbetet të bëjnë është që të mos votojnë kurrë një njeri që i gënjen ata por edhe e shet Shqipërinë ashtu sikurse nuk ka guxuar ta bëjë asnjë kryeministër në 108 vjet të pavarësisë së këtij shtetit e të qeverive të njëpasnjëshme që kanë drejtuar.
Është koha për një reflektim shumë të thellë. Fatet e Shqipërisë janë vetëm në duart e shqiptarëve dhe s’mund të jenë kurrë në duart e tradhtarëve.
Faleminderit të gjithëve.