‘Peshqeshi i KÇK’ mbi Lungomare u ndërtua me firmën e Edi Ramës

600
Sigal

Pas një beteje të gjatë për shpronësimin, kryeministri Edi Rama dhe Bashkia e Vlorës e shpërblyen karburantin e ish-gjyqtarit të shkarkuar nga vetingu, Shkëlzen Selimi me ndryshimin e projektit të Lungomares –pas ortakërisë së këtij të fundit me kompaninë “Kastrati”.

Ndërsa qytetarët e Vlorës ishin të mbyllur në shtëpi për shkak të kufizimit të qarkullimit, një ekskavator u shfaq në Lungomare dhe pasi shkuli një palmë, hapi një gropë të re ndërtimi mbi asfalt në mbrëmjet mes 20 dhe 25 prillit.

Arnimi i Lungomares për llogari të një karburanti u prit me zemërim nga qytetarët vlonjatë, të cilët protestuan më 27 prill kundër ndërhyrjes, pavarësisht ndalimit të grumbullimeve si pasojë e epidemisë së COVID-19.

“Është skandal. U hodhën miliona euro dhe ndërtimi zgjati aq shumë sa bizneset [përreth] falimentuan. E si mund të shkatërrohet kjo pronë publike si pa asnjë gjë të keqe në mes të ditës e natës?!Dhe kur?” pyet i revoltuar Ervin Sota, pronar i një njësie shërbimi disa blloqe më poshtë shëtitores.

Kantieri në Lungomare kishte për qëllim ndërtimin e një tende për llogari të një karburanti, që ndryshe nga qindra biznese të tjera në zonë, i mbijetoi valës së prishjeve dhe shpronësimeve të vitit 2014.

Zemërimit të qytetarëve, kryeministri Edi Rama iu përgjigj me akuza ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa e cilësoi karburantin “një peshqesh të KÇK” në replikat me ndjekësit e tij në Facebook. Por ndryshe nga pretendimi, BIRN zbuloi se Rama e firmosi arnimin e Lungomares në favor të karburantit të një ish-gjyqtari të shkarkuar nga vetingu- pjesë e grupit të drejtësisë që ai i ironizon si “organizata KÇK”.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se karburanti në Lungomare është në pronësi të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi dhe kompanisë më të madhe të hidrokarbureve në vend, “Kastrati” sh.p.k.

Kryeministri e firmosi lejen e ndërtimit të tendës në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit në maj 2019; vetëm pak muaj pasi familja Selimi e shiti gjysmën e pronës te kompania “Kastrati” sh.p.k.

Ortakëria e ish-gjyqtarit Selimi me kompaninë “Kastrati” nuk është ndryshimi i vetëm që i parapriu ndërhyrjes në Lungomare. BIRN mësoi gjithashtu se bashkia e Vlorës i kërkoi kompanisë belge të modifikonte projektin për t’i bërë vend karburantit në Lungomare, ndërsa i dha objektit edhe 58 m2 hapësirë publike me qira.

Ish-gjyqtari Shkëlzen Selimi mohoi akuzat se ndërtimi i tendës ishte abuziv, ndërsa i tha BIRN se karburanti i tij i mbijetoi shpronësimit, pasi fitoi një betejë gjyqësore kundër Këshillit të Ministrave në gjykatë.

“Ndryshe nga bizneset e tjera që heshtën dhe e pranuan shpronësimin, unë e godita procesin si të paligjshëm dhe e kam shpallur të pavlefshëm,” tha Selimi.  “Karburantin nuk e kam bërë tani, ka qenë aty që nga viti 2000. Unë e bleva në vitin 2013,”shtoi ai.

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli i tha BIRN se ndërhyrja në shëtitore ishte e detyruar për shkak të dështimit të mundësive ligjore të shpronësimit. Leli nuk komentoi arsyet se pse i dha karburantit edhe 58 m2 hapësirë publike me qira.

Edhe kryeministri Edi Rama e mbrojti ndërhyrjen në Lungomare të mërkurën.

“Pika e karburantit ka qenë atje dhe thjesht po kthehet nga një zhele e mbetur mbi rrugë, në një objekt të integruar me projektin nga vetë arkitekti belg i Lungomares,” u tha Rama ndjekësve në Facebook.

Beteja ligjore për karburantin  

Shëtitorja në bregdetin e Vlorës është projekti “flamur” i Rilindjes Urbane dhe ka kushtuar deri më tani rreth 15.5 milionë euro. Projekti kryesor prej 9.4 milionë eurosh u financua nga fondet IPA të Bashkimit Europian, ndërsa pjesa tjetër nga qeveria shqiptare, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Megjithë shpronësimet, fatura e Lungomares llogaritet në rreth 30 milionë euro.

Në vitin 2014, qeveria rrafshoi me dhjetra ndërtesa, lokale dhe restorante të ndërtuara pranë vijës së bregdetit dhe në gjurmën e Lungomares së ardhshme. Në mënyrë demonstrative u shemb me eksploziv edhe kompleksi Jon, ndërtim i të afërmve të kreut të Partisë Demokratike – lëvizje që i kushtoi Shqipërisë 13.2 milionë euro në Gjykatën e Strasburgut.

Karburanti në pronësi të ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi dhe babait të tij i shpëtoi kësaj vale. Selimi e bleu karburantin në bashkëpronësi me të atin në vitin 2013- kur ishte ende anëtar i Gjykatës së Lartë. Sipas deklaratave të tij të pasurisë, prona kushtoi 250 mijë euro dhe u ble pjesërisht me kredi dhe pjesërisht me paratë e fituara nga shitja e një apartamenti të mëparshëm.

Në maj 2014, qeveria nxorri vendimin për shpronësimin për interes publik të pasurive që prekeshin nga ndërtimi i segmetit rrugor Skelë-Ujë i Ftohtë në Vlorë, mes të cilave bënte pjesë edhe karburanti i Selimit.

Por gjyqtari nuk e pranoi vendimin dhe e paditi Këshillin e Ministrave fillimisht në Gjykatën Administrative të Vlorës dhe më pas në Gjykatën Administrative të Apelit.

Selimi i tha BIRN se e paditi procesin e shpronësimit, pasi vlera e dëmshpërblimit ishte sa 1/3 e çmimit që ai kishte paguar për ta blerë karburantin në vitin 2013. Ai shtoi gjithashtu se karburanti i kishte shpëtuar prishjes, pasi ai kishte fituar një sigurim padie në gjykatë.

Rekordet gjyqësore tregojnë se pas vendimit në shkallë të parë, Shkëlzen Selimi iu drejtua me padi edhe Gjykatës Administrative të Apelit- ku punon si gjyqtare bashkëshortja e tij. Më 18 nëntor 2015, Apeli vendosi pranimin e padisë dhe shfuqizimin e pjesshëm të VKM-së për shpronësimin e karburantit në pronësi të Shkëlzen dhe Kujtim Selimit.

Në qershor 2016, qeveria u kundërpërgjigj me rekurs në Gjykatë të Lartë, por dështoi. Vendimi për mospranimin e rekursit u mor në kohën kur Selimi ishte ende anëtar i Gjykatës së Lartë.

Ai u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 30 korrik 2018 për “lidhje me krimin e organizuar”, vendim i cili u la më pas në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Selimi i mohoi dyshimet nëse ishte favorizuar për shkak të pozicionit të tij apo të bashkëshortes në një bisedë telefonike me BIRN, ndërsa tha se nuk kishte pasur një trajtim të ndryshëm nga bizneset e tjera në zonë.

“As unë as bashkëshortja nuk kemi marrë pjesë në këto çështje,” tha ish-gjyqtari.

Selimi i tha BIRN se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit ishte i ngjashëm me vendimin e Gjykatës së Strasburgut mbi shpronësimin e kompleksit “Jon”.

“I vetmi ndryshim është që unë e godita në gjykatë, të tjerët heshtën dhe e pranuan shpronësimin,” tha Selimi.

Ish-gjyqtari kundërshtoi gjithashtu idenë se mund të kishte përfituar nga qeveria. “Unë nuk kam qenë dakord me këtë qeveri apo me Edi Ramën, që e konsideroj në njëfarë mënyre përgjegjës për shkarkimin nga gjykata,” tha Selimi duke iu referuar lejes për ndërtimin e tendës.

Ortakëria me kompaninë “Kastrati”

Dështimi për të shpronësuar ish-gjyqtarin Shkëlzen Selimi dhe babanë e tij u pranua edhe nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli. Ai tha se kur shpronësimi nuk u arrit, bashkia vendosi të ndryshonte projektin, që ky të përshtatej më mirë me karburantin që mbeti si pjesë e rrugës.

Leli i tha BIRN se i ishin drejtuar studios belge që bëri projektin e Lungomares dhe ata kishin propozuar ndërtimin e një tende mbi karburantin.

“Në kushtet ku ligjërisht nuk u gjet një zgjidhje, i kërkuam projektuesit belg të Lungomares të  përshtaste një projekt, i cili do të ta bënte stacionin e karburantit më të pranueshëm për veprën publike,” tha Leli. Por ai nuk komentoi dhënien me qira të pronës publike.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se qeveria dhe bashkia e Vlorës ndryshuan mendje për objektin pasi kishin kaluar dy vjet nga dështimi i rekursit në Gjykatë të Lartë.

Para se të mbërrihej në këtë pikë, Kujtim Selimi, babai i ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, i shiti në janar 2019 pjesën e tij të pronës kompanisë “Kastrati”.

Pesë muaj pas shitjes së aksioneve, Këshilli Kombëtar i Territorit, me kërkesë të kompanisë “Kastrati” miratoi lejen për rikonstruksionin e karburantit. Po ashtu u miratua edhe leja për të ndryshuar projektin e Lungomares, duke i shtuar një tendë në formë kryqi mbi projektin.

Në vendimin e KKT-së thuhet gjithashtu se karburanti merr 58 metra katrorë me qira nga Bashkia e Vlorës, që do përdoreshin për strukturën e re.

Për aktivistët që kundërshtojnë lejimin e karburantit në shëtitore, vendimi për t’i dhënë atij edhe hapësirë publike në dispozicion është abuzim. Deri të mërkurën, një peticion online për të ndaluar ndërtimin u nënshkua nga mbi 1700 persona.

“Këta na qenkërkan të përkëdhelurit, që në kohën kur vlonjatët detyrohen të mbyllen brenda, shkatërrojnë pronën publike si grabitës piratë,” tha Ervin Sota, pjestar i protestës së 27 prillit.

Edhe aktivisti Arben Abazi e konsideron abuzive përfitimin e pronës publike.

“Ai karburant është një minë me sahat poshtë një pallati që ka banorë dhe në mes të një  shëtitoreje të populluar,” tha Abazi për BIRN. Abazi u shoqërua dy herë nga Policia e Vlorës për shkak të organizimit të protestës dhe thyerjes së karantinës, duke shkelur rregullat e qarkullimit.

Florian Brahimaj, një prej nismëtarëve të peticionit online, i tha BIRN po ashtu se ndërhyrja cënonte korsinë e biçikletave dhe se tanimë, trotuari përfundonte brenda karburantit.

“Nuk duhej të lejohej karburanti si lloj biznesi (në Lungomare), pasi Lungomare është segment me  akses qarkullimi të kufizuar për pasojë ligji nuk e lejon”, tha Brahimaj. Ai tha se ata do të kërkonin që leja të pezullohej dhe që shëtitorja të rikthehej në gjendjen e saj të mëparshme.

Kundërshtimet e protestuesve ranë megjithatë në vesh të shurdhër. Dy ditë pas protestës, ndërtimi i tendës pothuajse ka përfunduar, ndërsa rrethimi është hequr. Puna në objekt po vazhdon për vënien në funksion të pompave të karburantit.