Pesë vite nga greva e urisë, Agron Talo: Rikthehemi me grevë, politika na ka mashtruar

712
Alma ÇUKA
Pesë vite nga greva e urisë, ish-të dënuarit e përkujtojnë atë me të njëjtën mënyrë. Ata do të ngujohen për 24 orë ditën e sotme, për të kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet
Ish të burgosurit politik rikthehen sot në të njëjtin vend, ku pesë vite më parë u ngujuan në grevë urie në përpjekje për të bindur qeverinë e asaj kohe për të plotësuar kërkesat e tyre. Edhe sot ata kanë po të njëjtin qëllim. Në 23 shtator të vitit 2012, ish të burgosurit politik, nuk donin asgjë më shumë se sa e drejta e tyre për të pasur një jetë të barabartë me gjithë të tjerët, për të pasur pak më shumë vëmendje nga qeveria dhe për të qenë në listën e personave ku trajtimi të ishte pak më i veçantë. Ata morën një premtim katër vite më parë, pikërisht në vitin 2013 nga qeveria e Edi Ramës. E sot teksa kanë vendosur të rikthehen në të njëjtin vend dhe për të kujtuar grevën e vitit 2012 me një grevë 24-orëshe, ish të dënuarit politik, ndjehen të zhgënjyer dhe të braktisur. Drejtuesi i grevës së pesë viteve më parë Agron Talon a rrëfen kaluarin e përpjekjeve për të fituar të drejtat dhe pamundësinë e marrjes së fryteve nga premtimet e shumta të qeveritarëve. 
Zoti Talo, cili është qëllimi i grevës 24-orëshe që do të mbahet sot nga ish të dënuarit politik?
Kërkohet të përkujtohet me një greve 24-orëshe, greva e urisë e 5 viteve më parë. Do të bëjmë një ballafaqim me qeverinë nga 2012 deri sot çfarë është bërë dhe çfarë nuk është bërë nga premtimet e dhëna. 

Në 2012 ishte qeveria e drejtuar nga Sali Berisha. Sot është ajo e Edi Ramës?
Në fakt ne ballafaqimin e kemi me qeverinë e Edi Ramës. Në këto katër vite qeveria e majtë ka mbajtur vetëm një premtim, atë të dëmshpërblimit për të gjallët. Janë marrë deri tani 8 këste. Tek kësti i fundit 50% e kanë marrë dhe të tjerët ende. Kjo qeveria nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet për të cilat ne ramë dakord në vitin 2013. Nuk është mbajtur premtimi për hapjen e dosjeve për 200 të burgosurit të cilët janë ende gjallë. Bëhet fjalë për dosjet që aplikuan për dëmshpërblim jashtë afatit. Ato janë regjistruar, por nuk është bërë hapja e tyre dhe shqyrtimi. Kanë thënë se do i hapin, por ende nuk është bërë gjë. Një tjetër premtim i pambajtur është statusi i ish të burgosurve politik. 

Çfarë kanë humbur ish të dënuarit nga moszbatimi i këtij statusi?
Statusi i të burgosurve politik është tashmë në duart tona vetëm një letër bakalli. Nga ky status, nëse si do të zbatohej, kategoria e ish të burgosurve do të përfitonte disa lehtësira. Në të gjithë vendin janë rreth 1900 ish të burgosur të cilët do të përfitonin. 

Pse mendoni se nuk është arritur kjo gjë?
Është shumë e thjeshtë. Asnjë qeveri nuk ka dashur të bëjë gjë për këtë shtresë. Dua të përmend një fakt. Janë dy revolta ajo e Spaçit dhe ajo e Qafë Barit. Në Qafë- Bari, 13 të burgosur u ridënuan me nenin e terrorizmit. Por këto vite këtyre të dënuarve u janë zbritur, nuk u është njohur si masë dënimi pas së cilës ata do të mund të dëmshpërbleheshin. Megjithatë dua të them se gjatë 27 viteve ka pasur edhe diferencime. Disa i kanë marrë. Bëhet fjalë për ata që kanë qenë afër me pushtetarët. Një tjetër premtim që nuk është mbajtur është ai i pensioneve. Për kategorinë e ish-të dënuarve nuk është dhënë asnjë pension. Ne jemi trajtuar njësoj si gjithë të tjerët edhe pse jeto jonë ka qenë e vështirë dhe kemi punuar e kemi mbajtur pesë ministri me punën që kemi bërë në burgje. Gramoz Ruçi që sot ndodhet në krye të Parlamentit është shkolluar me gjakun e të burgosurve politikë, me shufrat e floririt që ne i nxirrnim nga nëntoka në Spaç. Punësimi dhe strehimi që u premtua nga qeveria e majtë në 2013 dhe veçanërisht nga Erjon Veliaj, nuk u mbajt. Veliaj tha gjithashtu se do të ngrinte dhe një departament për të dënuarit, por asgjë deri tani. 

A jeni përballur me ta gjatë këtyre viteve, keni kërkuar të mbahej premtimi i dhënë?
Kemi kërkuar jo vetëm një herë. Na kanë thënë se nuk kemi se çfarë t’u japim. Madje nuk na presin fare.

Keni shpresë?
Detyrimin më të madh na e ka PD që i dhamë votën dhe nuk na ka përkrahur. Këta që janë tani në pushtet bënë vetëm dëmshpërblimin, por shpresë tjetër nuk kemi. Të them të drejtën PD ndër vite ka punësuar disa nga të ish-të dënuarit disave u kanë dhënë dhe prona. Por ka pasur selektime. Ne nuk kërkojmë lëmoshë, por një të drejtë legjitime. Politika shqiptare të veprojë njësoj si kanë vepruar qeveritë e lindjes. Por këtu si e majta dhe e djathta janë njësoj, vetëm janë të ndara. 

Ku e shihni veten sot?
Normalisht ish-të burgosurit politikë vijnë nga një shtresë që përfaqëson të djathtën. Janë shtresa më e goditur në vend. Por sot ka nga ata që thonë se ky që na bëri një të mirë, do t’ia shpërblejmë duke i dhënë votën. Sot nuk ka më idealistë. Por ne jemi të djathtë. Ne nuk bëjmë takime me drejtuesit e partive për të zgjidhur problemet tona. Ne kërkojmë të drejtën dhe bisedojmë vetëm me qeveritë që vijnë në pushtet. Për mua qeveritë janë banda grabitqare.

Shumë shpejt nis Vettingu. Nga mendoni se duhet të kryhet pastrimi?
Bandat duhet të pastrohen të parat. Qeveritarët duhet të nisin Vettingun nga vetja e tyre. Kjo është një reformë e cila ka një qëllim. Por unë nuk besoj se do të arrijë gjë. Nëse Erdogan gjeti rrugën e grushtit të shtetit për të forcuar pozitat e tij,. Edi Rama ka gjetur rrugën e reformave. Deri më sot asnjë nga gjykatësit nuk është dënuar apo t’i jetë sekuestruar pasuria të cilën e ka vënë në mënyrë të padrejtë. E njëjta gjë ndodh edhe me politikanët. Saliu thotë se Rama është hajdut, por edhe Rama thotë se Saliu është hajdut. Por në fund shqiptarët këtë qeveri meritojnë. 

Sa përfaqësues të ish-të burgosurve do të marrin pjesë në grevën 24-orëshe?
Për të qenë pjesë e grevës kanë premtuar shumë, nga të gjitha qytetet e vendit. Por duhet të kemi parasysh një gjë. Nga greva e vitit 2012 kanë mbetur vetëm 7-8 persona. Katër prej tyre kanë vdekur dhe një pjesë janë larguar jashtë vendit për të ndërtuar një jetë më të mirë. Ish të përndjekurit politikë janë një kockë e fortë për t’u kaluar lehtë nga qeveritë që shkojnë e vijnë në pushtet, qoftë të majtët por dhe të djathtët. Në 12 tetot kujtojmë vdekjen e e shokut tonë që u vetëflijua për të drejtat e ish-të burgosurve politikë, Lirak Bejkos. Ne do të jemi atje dhe do të ndezim qiri tek vendi i vetëflijimit. Nëse qeveria nuk e dëgjon zërin tonë, ne të lidhur këmbë e duar me zinxhir do të protestojmë përpara Ambasadës Amerikane dhe Departamentit Amerikan të Shtetit.
Sigal