Përsëri rrëshqitje në kodrat e Currilave. Prefekti kërkon pyllëzim të zonës

1161
Sigal

Bashkia e Durrësit, nuk ka parashikuar zbatimin e një projekti për të evituar rrezikun e erozionit dhe të rrëshqitjeve

Rritja e intensitetit të shirave, gjatë këtyre ditëve të fundit, ka sjellë edhe rrezikun e rrëshqitjeve të dherave në zonën kodrinore pranë Currilave. Prej javësh tashmë, banorët e zonës jetojnë nën rrezikun eminent të shembjes së shtëpive të tyre. Të shtunën dhe të dielën, rruga e Currilave bllokohej herë pas herë nga rrëshqitjet e masiveve me dhe nga kodrat. Për fat, rrëshqitjet ndodhnin pak larg shtëpive, që janë të ndërtuara buzë rrugës ose majë kodrës. Pavarësisht gjendjes dhe rrezikut që i kanoset shtëpive dhe njerëzve, asnjë ndërhyrje për parandalimin e rrezikut nuk është planifikuar. Bashkia e Durrësit, nuk ka parashikuar zbatimin e një projekti për të evituar rrezikun e erozionit dhe të rrëshqitjeve. Në Currila ka shkuar për të parë gjendjen nga afër edhe prefekti Genci Alizoti, i cili përsëri paralajmëroi “rrezikun që i kanoset shtëpive në atë zonë”. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi edhe ndërhyrjen e Bashkisë së Durrësit. Duke iu referuar deklaratave të herëpashershme të drejtuesve të Bashkisë së Durrësit për mungesën e fundeve, prefekti Alizoti tha se “Bashkia e Durrësit të ndërhyjë për pyllëzimin e zonës së rrezikuar, kjo gjë nuk është një gjë që kërkon fonde të konsiderueshme”.

Mungojnë planet

Megjithëse zona e Kodër Vilës në qytetin e Durrësit prej vitesh me problematikat që ka po i bie kambanave të alarmit, ajo vazhdon të mbetet mjaft shqetësuese dhe ende në të nuk është vënë dorë për ta rehabilituar seriozisht. Ndonëse një problem jo pak i njohur për institucionet vendore, rrëshqitjet e tokës rikthehen sa herë që bie shi, ndërkohë që asnjë masë nuk është marrë për parandalimin e këtij rreziku. Deri në fillim të viteve ‘90-të, zona e Kodër Vilës shërbente si park i qytetit të Durrësit: kodra ishte e gjelbëruar dhe e pyllëzuar, ndërkohë që ndërtimet nuk lejoheshin. Në fakt, këto të fundit nuk lejoheshin për dy arsye: e para, që kodra të ruhej si zonë e gjelbër për qytetin dhe, e dyta, formacioni argjilor i kodrës bënte që rreziku i rrëshqitjeve të ishte gjithnjë i pranishëm. Në këto kushte, pyllëzimi i kodrës shmangte rrezikun e rrëshqitjeve, por ofronte edhe një ‘mushkëri të gjelbër’ për qytetin.

Ndërtimet

Panorama nisi të ndryshojë krejtësisht pas viteve ‘90-të. Kodër -Vila nisi të bëhej shesh ndërtimi: veçanërisht, duke filluar nga fundi i viteve ‘90-të, pemët dhe gjelbërimi nisën t’i lënë vendin pallateve të njëpasnjëshme. Por, jo vetëm atyre. Në kodër u shfaqën edhe dhjetëra e dhjetëra ndërtime pa leje. Dhe, rrjedhimisht, bashkë me këtë ndryshim, erdhi edhe rreziku. Gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit, sa herë që bie shi, në Kodër Vilë dhe në kodrat përgjatë bregdetit të Currilave rrëshqasin masive të mëdha dheu. Fatmirësisht, deri tani nuk ka patur viktima në njerëz, por dëmet materiale nuk kanë qenë të pakta. Dherat kanë prishur mure, kanë bllokuar rrugët, kanë rrafshuar edhe objekte të tëra të ndërtuar rrëzë kodrës, balta u ka hyrë njerëzve nëpër shtëpi, etj..

Masa parandaluese

Gjendja që përsëritet solli edhe reagimin e prefektit Genci Alizoti, i cili thekson se Bashkia e Durrësit ka lejuar që gjendja të degradojë deri në këtë pikë. “Ndoshta Bashkia e Durrësit nuk ka fonde për të ndërhyrë me ndonjë investim, por zona mund të pyllëzohet. Bashkia e Durrësit duhet të ndërhyjë për pyllëzimin e zonës së rrezikuar, kjo gjë nuk është një gjë që kërkon fonde të konsiderueshme”,- thotë prefekti Alizoti. Zona e Kodër Vilës dhe bregdeti i Currilave, dikur një nga zonat më piktoreske të qytetit bregdetar, sot gjendet në një rrezik të vazhdueshme nga rrëshqitjet e tokës, duke rrezikuar edhe banorët.