Përrenjasi, qyteti i minatorëve pa minatorë!

2752
Sigal

REPORTAZH/ Janë dhjetëra subjekte që shfrytëzojnë mineralin, por minatorët enden rrugëve pa fund

Ndërsa pasuritë “flenë” nën tokë, varfëria endet pa kurrfarë mëshire në qytetin e vogël. Një qytet me mbi 5000 mijë banorë me gjithë të ardhurit nga fshatrat e thella të Librazhdit dhe të Mokrës. Ndoshta do të ishte më i pasuri i këtij vendi sikur industria minerare të mos këputej në kufijtë e ndërrimit të sistemeve. Ky është qyteti i Përrenjasit, i vendosur në fushën e Domosdovës, aty ku rreth 600 vjet më parë u zhvillua një ndër betejat më të mëdha kundër turqve, nën udhëheqjen e Skënderbeut, e njohur si Beteja e Torviollit. Në shekullin e shkuar, qyteti kishte lidhur jetën me minierat e hekur-nikelit dhe ato të kromit, madje për hir të tyre u krijua. Pak më tepër se 60 vjet më parë, mbi fushën gati të shkretë të Domosdovës, u projektua që nga themelet qyteti i Përrenjasit. Të ardhurit e parë nga kryeqyteti apo Jugu i Shqipërisë, kryesisht inxhinierë e teknikë të mesëm, u vendosën përkohësisht në qytetin e Pogradecit, sa t’u hidhej çatia pallateve dykatëshe të stilit rus, më pas ishin kinezët ata që pas tradhtisë së rusëve vazhduan projektin e mbetur përgjysmë. Ku në qendër të qytetit është dhe ish-hoteli i kinezëve siç i thonë vendasit.

Ndërtimi si qendër urbane

Nën frymën e aksionit gjysmëvullnetar, fillimisht u ndërtuan 10 pallatet e para dykatëshe u mbushën shpejt e shpejt me afro 1 mijë banorë, nga ku dolën 150 punëtorët e specialistët e parë që nisën punën në minierë. Në hartat e rusëve, çekëve dhe kinezëve kishin shënuar me të kuqe vatrat e grumbullimit të mineralit të çmuar të hekur-nikelit, që për afro 5 vjet mund të përfitohej pa qenë nevoja të gërmohej nën tokë. Ku sot këto harta dhe shenja të vendosura nga këta specialist, po shfrytëzohen nga ata që ja  dinin sekretet këtyre hartave, duke shfrytëzuar çdo cep të maleve të Shebebenikut, Përrenjasit, Rrajcës, Bushtricës, Katjelit, Cervenakës etj.. Minerali qëndron mbi kodra e male prej mijëra vjetësh. Mjaftonte të ngulje lopatën apo kovën e ekskavatorit për ta transportuar në fabrikën e pasurimit e më pas gati për shitje ose përpunim.

Minatorët

Minatorët veteranë flasin ende me gjuhën teknike të atyre viteve. “Ne punonim në karrierë (togjet e mineraleve mbi tokë), ende nuk e kishim provuar se çdo të thoshte të futeshe thellë nën tokë dhe prej andej të nxirrje bukën e fëmijëve”, pohon Besnik Biçaku, një ndër minatorët e dalë në pension. Mundohem të shes ndonjë gjë këtu në rrugë me tezge thotë me tej Biçaku. Si ai ka shumë në këtë qytet. Sapo u hap biseda e minierës, ata nuk dinë të ndalin. Secili të flet për karrierën e vet, por dhe për dhjetëra dekorata e fotografi me udhëheqësit, që i mbajnë ende nëpër shtëpitë e tyre. Atëherë ishin jo më shumë se 20-30 vjeç. Sot, ata që janë ende gjallë, i kanë kaluar të 70-at. Mbajnë mend rusët e çekët, por më të freskëta kanë kujtimet me kinezët, derisa u ndanë me ta me duar në qafë në vitet 1978-1979. Kur pas prishjes me rusët do t’u vinte radhe edhe prishjeve me kinezët si tradhtarë. Sot nuk ka më minatorë, por vetëm “ish”. Minierat janë mbyllur. Galeritë e tyre qëndrojnë të heshtura e të betonuara. Vetëm lakuriqët e natës kanë mbetur brenda galerive dhe minatorët veteranë i quajnë me ironi “minatorët e demokracisë”. Brenda malit ndodhet një qytet i madh sa edhe Përrenjasi. Galeritë kanë thellësitë e 300 metrave vertikale dhe arteriet e tyre zgjaten si degëzime horizontale pa mbarim me dhjetëra kilometra nën tokë, të përforcuara me beton e të pajisura me të gjitha mjetet komunikuese, ndriçuese e siguruese. Për 30 vite janë nxjerrë prej këtej 150 milionë metër kub hekur-nikel që përdorej për eksport dhe përpunim në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Mbyllja e këtij të fundit solli pezullimin edhe të punës në miniera. Ister Murati ish-normist i minierës thotë që këtu ka shumë varfëri dhe ish-minatorët, familjet e tyre jetojnë me shumë mundim, përveç të punësuarve në ndërmarrjet e shtetit, në arsim, bashki, shëndetësi dhe ndonjë emigrant që sjell me mundim ndonjë lek, me shumë vështirësi përballohet kjo situatë. Lutfi Dosti , ka kaluar 20 vjet nën tokë. I persekutuar nga regjimi komunist thotë- “Kam vite që kam dalë në pension dhe më ka marrë malli të zbres dhe një herë, atje nën tokë”. Por tregon më tej se nuk i bën zemra të zbresë në galeri. “Atje ku gumëzhinte jeta dhe puna, sot gjen heshtjen e gërmadhave. Sa djersë dhe mund kemi derdhur dhe na duket sikur na shkuan kot kur sot shohim këtë mal pa jetë”, thotë Lutfiu. Por i moshuari e di se ndryshe nga godinat e rrënuara mbi tokë, asgjë nuk është prishur në galeri. Ai tregon se nuk ka as shembje dherash, sepse në ato vite i është betonuar mirë, për të ruajtur jetën e punëtorëve. Për 30 vjet, vetëm tre minatorë janë vrarë, ndërsa në të tjera miniera, shumë. Ish-minatori tregon se kur punonte në minierë, kishin mësuar se hekur-nikeli kishte përqindje floriri dhe pas analizave që inxhinierët tanë i kishin dërguar në Çeki, morën në shkëmbim qindra automjete të rënda dhe të reja. Sot Lutfiu është i kënaqur me pensionin, por fëmijët i kanë ikur të gjithë. Ndërsa Emin Blloshmi një ish-inxhinier i kësaj miniere, larguar dhe emigruar në Itali thotë se jemi rritur me minierat dhe miniera e Përrenjasit, është një nga minierat më të mira dhe më të pasura në vend, por duhet ri ngritur, minerali i kromit është fitimprurës. Ndërsa Fatmir Polisi inxhinier minierash thotë: “Kam vite që kam punuar dhe e njoh mirë minierën, duhet të jetë dhe një shfrytëzim i rregullt i saj dhe të ardhurat të shkojnë për komunitetin, është edhe ligji i qeverisë që një përqindje e shitjeve nga këto firma që punojnë duhet të shkojë në arkën e bashkive dhe komunave, ku ato shfrytëzojnë. Megjithëse, ka rënë tregu edhe në botë, por përsëri duhet të rehabilitohen minierat.

Minatori më i vjetër, Maliq Ruka: “Unë merrja pagë më të madhe se Enver Hoxha”

Llogaritet në rreth mbi tre mijë numri i minatorëve, teknikëve e inxhinierëve të minierës së hekur-nikelit në Përrenjas dhe atë të minierës së kromit në Katjel, pesë kilometra përballë qytetit. Kjo e fundit ende mbijeton me afro 100 punëtorë që ishin në varësi të të kompanisë “Darfo” në Elbasan. Kapaciteti prodhues ishte rreth 500 mijë tonë minerale në vit, nga të cilat 350 mijë përpunoheshin në Metalurgjik, ndërsa 150 mijë eksportoheshin në vende të ndryshme evropiane. Dikur kanë qenë 40 specialistë rusë e çekë, më vonë 60 specialistë kinezë. Pagat e tyre nuk ndryshonin me ato të minatorëve e specialistëve shqiptarë. “Unë e kisha rrogën më të madhe se të Enver Hoxhës, merrja 15 mijë lekë (të vjetra) në muaj”, pohon minatori më i vjetër, Maliq Ruka. Ai ka punuar në minierë rreth 30 vjet. Sot është në pension dhe merr rreth 15 mijë lekë në muaj. Pothuajse po kaq marrin edhe shokët e tij.

Lutfi Dosti: Si na mësuan rusët vodkën e kinezët rakinë e orizit

Me dhjetëra minatorë i gjen lokaleve. Preferojnë ende vodkën e më pak rakinë dhe ndonjë teke konjak për shkak të të ftohtit. “U mësuam me vodkë që në kohën e rusëve. Po si ajo nuk gjen kurrë më. Pimë nga kjo e jona, se edhe na pëlqen, por kujtojmë ato vite kur deheshim bashkë me rusët dhe këndonim këngë në dy gjuhë”, thotë Lutfi Dosti dhe shton duke qeshur: “Sa për kinezët, ata kënaqeshin me një garuzhde pilaf. Mezi ua mësuam rakinë e ata si për inat, na mësuan rakinë e orizit që sillnin prej Kine”.