Përplasje në Velipojë, FNSH e Shqiponjat largojnë forcërisht banorët, IKMT shemb 24 objekte pa leje

287
Sigal

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vijon aksionin në vijën bregdetare të Velipojës, ku ka shembur 24 objekte pa leje. Aksioni është shoqëruar me përplasje, pasi banorët kanë kundërshtuar shembjen e ndërtesave.

Për këtë arsye, kanë ndërhyrë shërbimet e FNSH-së, të Forcës së Posaçme Shqiponja dhe ato të Postës së Policisë Velipojë, duke larguar forcërisht të gjithë personat dhe duke i hapur rrugë IKMT për vijimin e aksionit.

Njoftimi i policisë:

Velipoje, shemben 24 objekte pa leje ne vijën bregdetare.

Procedohen 6 persona, për kundërshtim të forcave të rendit.

IKMT, mbështetur nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, përmbylli aksionin për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje në vijën bregdetare të plazhit të Velipojës.

Një grup personash tentuan të bllokonin aksionin. Shërbimet e Policisë u kërkuan të mos pengonin punonjësit e IKMT-së dhe të Policisë së Shtetit në kryerjen e detyrës, por ata kundërshtuan forcërisht lirimin e hapësirës ku do të operohej.

Policia e Shtetit u bëri thirrje disa herë që të largoheshin nga vendi që operohej, por ata vazhduan të kundërshtonin me forcë shërbimet e Policisë.

Në këto kushte shërbimet e FNSH-së, të Forcës së Posaçme Shqiponja dhe ato të Postës së Policisë Velipojë larguan forcërisht të gjithë personat dhe IKMT-ja vazhdoi punën, duke shembur 24 objekte të paligjshme gjatë gjithë vijës bregdetare të Velipojes.

Strukturat e Policisë Shkodër kryen veprimet procedurale dhe materialet u refruan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në ngarkim të 6 shtetasve, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.