Përparim Spahiu: Fondet e rindërtimit nga tërmeti janë përdorur për paga shtetërore

292
Sigal

Përparim Spahiu, ish-deputet i LSI-së, thotë se qeveria ka dështuar plotësisht në menaxhimin e financave publike, madje thotë se ato janë keq menaxhuar për koncesione dhe PPP. Nga ana tjetër, ish-deputeti akuzoi se qeveria ka përdorur paratë e rindërtimiit të paguar punonjësit e administratës në mungesë të financave.

“Çdo gjë do të merret vesh pas 25 prillit pasi tani është pak e vështirë por nëse ke njerëz tek Buxheti i Shtetit dhe pyet jashtë kamerave e kupton se çfarë ndodh me financat dhe si funksionon. Kemi para të planifikuara për rindërtimin që janë përdorur për paga punonjësish pasi qeveria ka pasur pamundësi për të paguar. Këto gjëra do t’i marrim vesh vitin tjetër dhe do të shohim dhe përgjegjësitë për secilin se si janë keq menaxhuar këto fonde”, tha z. Spahiu.

Gjithashtu ai thotë se qeveria është treguar e paaftë në menaxhimin e tërmetit dhe pandemisë. Duke folur për buxhetin e vitit 2021, ish-deputeti Spahiu tha se po parashikon investime nisur nga të ardhura imagjinare dhe kjo do të çojë në rritje të borxhit.

“Është një buxhet sureal dhe i pabesueshëm. E gjitha kjo ndodh sepse qeveria do të parashikojë rritje të investimeve. Kjo do të na çojë në borxh të rritur dhe detyrime të prapambetura. Në 5 muaj do të kemi rritje të detyrimeve të papaguara dyfish. U bëj thirrje korporatave të tregojnë kujdes në investimet me paratë e tyre”, tha ish-deputeti.

Për Spahiun “historia e rritjes ekonomike ka lidhe me dy ngjarje të mëdha; TAP dhe Skavica” dhe sipas tij “rritja ekonomike nuk është shoqëruar me rritje e jetesës” pasi “është rritur varfëria dhe shkalla e emigrimit”.

Ai tha se Shqipëria vuan nga niveli i lartë i korrupsionit dhe evazionit fiskal dhe për këtë arsye është mirë që të kemi ulje të taksave. Kurse duke folur për efektet e pandemisë tha se, në periudhën maj-tetor ka 4900 biznese të mbyllura ndërsa ndihmën e ofruar nga qeveria e cilësoi të pamjaftueshme.