Përparim Kabo/ Muri, ideologjia, sindromi!

722
Sigal

Një histori për reflektim.

Mbarimi i Luftës së parë Botërore solli në skenën gjeopolitike një Gjermani të dobësuar deri në rrezik asgjësimi nëse do t’i shkohej deri në fund kërkesave për dëmshpërblimet e saj ndaj vendeve të tjera fituese, që u frenuan nga ndërhyrjet e këshilltarëve tek George Lloyd të cilët i vunë në dukje kryeministrit britanik se me këtë logjikë nuk do duhet të ketë më Gjermani! Në Europë u shfaq Sistemi Bolshevik që rrezikoi edhe Hungarinë dhe Gjermaninë, por që mbeti vetëm brenda kufijve të Rusisë ish-cariste! Në mbarim të luftës së dytë botërore, sërish Gjermania e mundur por tanimë sistemi komunist për shkak të influencës sovjetike fal kontributit në luftë dhe vendimeve të Konferencës së Teheranit dhe Jaltës rezultoi me një influencë në Europën qendrore dhe lindore deri brenda vet Gjermanisë!
Berlini u nda mes katër fuqive, tre në perëndim SHBA, Anglia dhe Franca, dhe një në lindje Bashkimi Sovjetik. Historia e këtij vendi dhe këtij populli deri në ditën e ribashkimit është jo vetëm histori gjermane! Ka në të pjesë dhe problemtaikë të historisë europiane e globale, takon diplomacinë lokale e atë globale, gjen ndeshje ideologjish dhe sistemesh, gjithçka lëviz në atë që u quajt në politologjinë e pas luftës së dytë botërore,”Lufta e Ftohtë”!
Një komb i ndarë në dy shtete, në dy sisteme, në dy filozofi jete, ku urrejtja, përjashtimi ideologjik dhe politik deri tek sigmatizime të tilla që në “perëndim flitet gjuha e nazisteve” ne do ta spastrojmë atë; qëndronte përball dëshirës dhe përpjekjeve të njerëzve për të lëvizur lirisht në të dy anët e Berlinit dhe më tej për t’u larguar përfundimisht në perëndim për një jetë më të mirë, pavarësisht nga kostoja që për shumë rezultoi edhe me humbjen e jetës! Në gusht të vitit 1962 një nga viktimat e para të murit ishte 18 vjeçari Peter Fechter, ai mbeti I vdekur nga goditja e rojeve të armatosur para portës së Brandenburgut në tentativë për të kaluar murin e Berlinit! Ndoshta në momentet që po jepte shpirt do të ketë udhëtuar në novelën Muri të Jean Paul Sartre, dhe do të ketë gjetur si variantin jo vdekjeprurës atë të njërit nga personazhet e novelës që kur imagjinonte pushkatimin, gjente si mundësi shpëtimi zhytjen në brendësi të murit ku edhe mund të mos e zinte plumbi! Ai do duhej të ishte sot 65 vjeç, por ja që nuk jeton më,”Muri I Berlinit” pati viktimat dhe heronjtë e vet! Qeveria gjermano-lindore e quajti atë,”fortifikimi antiimperialistë”,”një masë mbrojtëse dhe rruga e vetme për të siguruar paqen në Europë”.Ndoshta viktima-dëshmor Peter Fechter në momentet e dhënies shpirt ka pasur kohë që të ‘qante duke qeshur’ si personazhi tjetër i Murit të Sartre që rrëfenjën për vendndodhjen tek varrezat të një të kërkuari e tregoj si sajesë dhe ajo rezultoi aksidentalisht e vërtetë dhe fatale për të! Peter, ndoshta në këtë hulli të shpagimit para vdekjes mund të ketë sjellë ndër mend një karikaturë hungareze të asaj kohe,ku Konrad Adenahur vizatohej i plakur dhe i veshur me një rrobë që mbulonte lakuriqësinë e tij trupore. Kur ja ngrinin këtë rrobë nga mbrapa dilnin dy pjesët e ndara të mollaqeve dhe diçitura ishte(ja si është Gjermania, e ndarë).
Kur ja zbulonin trupin nga përpara diçitura shoqëruese turpërisht ishte(çështja gjermane nuk mund të ngrihet).Dhe njerëzit që humbnin lirinë dhe jetën largoheshin nga bota duke qeshurqarë!

Muri një turp në zemër të Europës.
Deri në gusht 1961, kufiri ndërmjet Berlinit Lindor dhe atij Perëndimor ish i hapur dhe gjatë një dite gjysmë milioni njerëz kalonin kufirin nga njëra anë e qytetit në anën tjetër. Shumë berlinez lindor shkonin nëpër kinema apo në disko,punonin apo shkonin për të bërë pazar në perëndim. Gratë blinin të brendshme të linjta e delikate dhe psonisnin fruta tropikale. Në të njëjtën kohë udhëheqësit e partive komuniste të Traktatit të Varshavës, takohen në Moskë nga 3-5 gusht 1961 dhe vendosin ta mbyllin kufirin e hapur mes lindjes dhe perëndimit. Në pasditen e gushtit datë 12 në orën 4 pasdite Ëalter Ulbriht, lideri i Gjermanisë Lindore firmosi që komandat të mbyllnin kufirin. E shtunë duke gdhirë e diel, për gjithë natën muri ishte ndërtuar dhe e ndante qytetin në dy pjesë duke i krijuar qytetit një “divorc të dhunshëm pjesësh” për më shumë se 28 vjet! Rrugët, hekurudhat dhe hekurudha e metrosë ishte ndërprerë, madje edhe varrezat nuk ishin të lejuara të përdoreshin! Qyteti do të rilindte i bashkuar më 9 nëntor 1989. Ishte një konferencë shtypi ku zëdhënësja e qeverisë demokratike gjermane, njoftoi se ishin hequr pengesat e udhëtimit nga Gjermania Lindore. Në atë mbrëmje njerëz nga Berlini Lindor vërshuan nëpër anën perëndimore të qytetit dhe qindramijëra festuan tejembanë qytetit. Po zbulohej një enigmë që quhej atdhe por që ishte mohuar politikisht, ideologjikisht, ushtarakisht, por edhe si e drejtë civile e qytetare. Në këtë dalje të parë drejt perëndimit takoheshin ëndrrat e atyre që nuk e mbërritën atë ditë dhe në njëfarë kuptimi ju dha fund postluftës së dytë botërore! Po binte regjimi antihuman që lindi pas saj, sistemi komunist! Sot pas 20 vjetësh të rënies së tij në Berlin kanë mbetur vetëm pak seksione të Murit të Berlinit. Ekzistojnë ende disa kulla të vrojtimit që rrezikojnë të zhduken me kalimin e kohës. Pjesë të tij ndodhen në SHBA. Fragmente të tij u shitën. Konkretisht 360 segmente u ofruan për shitje nga një ndërmarrje shtetërore e tregtisë së jashtme në RDGJ,AHB Limex-Bau Export-Import 1990. Në 23 qershor 1990 disa segmente ishin shitur në një ankand publik në Hotel Metropole Palace në Mynih. Shumë pjesë të tjera u shitën nga kompanitë që u morën me shkatërrimin dhe njerëz që u përfshin në këtë proces. Duket si një ëndërr, të shesësh pjesë, elemente dhe struktura të një ndërtimi ndarës që ishte një makth, një histori, një produkt ndeshjesh të sistemeve diametralisht të kundërt, të hedhësh në treg për biznes pjesë nga jeta dhe kalvari i brezave, pa u kujdesur si duhet për kujtesën historike që e dokumentuar jep mundësinë reale të reflektosh për të mos harruar! Ishte nata e 13 gushtit( 13-një numër ters ky) 1961,(shekulli XX sapo kishte hyrë në gjysmën e tij të dytë dhe këtë brezat e sotëm duhet ta mësojnë).Ishte week-end dhe shumica e berlinezëve flinin,ndërsa qeveria gjermano-lindore nisi të mbyllte kufirin. Herët në mëngjes të asaj të diele, pjesa më e madhe e asaj pune të mbrapsht, atij turpi historik ishte kryer. Fillimisht brezi me tela më gjemba. Në 15 gusht filloi ndërtimi i brezit të murit të betonit. Në 1962 ishte ndërtuar brezi i dytë i murit. Brezi i tretë u ndërtua rreth vitit 1965 ku muri u përforcua me shtylla të çelikta dhe hunj druri dhe një linjë të ujërave të zeza. Nga viti 1975 u vendos gjenerata e katërt e murit me material më rezistent ndaj të çarave dhe ndotjes ambientale. Tela me gjemba,beton, fushë e minuar dhe hapësira e qenve ndjekës janë thjesht fjalë sot,por anatomia politike dhe sociale e murit të Berlinit kërkon një radiografi në thellësi deri në poret më të thella, ndryshe ka rrezik që shumë të vërteta të harrohen, të humbasin apo të komplotohen me heshtje. Muri sot nuk është, por lindja dhe perëndimi janë. Muri sot është i gjymtuar, muzeal dhe jashtë funksionit,por koha e humbur dhe deformimi ideologjik i njeriut nuk është zhdukur. Shkencërisht do të duhen tri breza antropologjik që tiparet të fillojnë të humbin dhe pas pesë brezash ato mund të zhduken përfundimisht! Është në plan të ndërtohet një muzeum i ri për “Luftën e Ftohtë” pranë pikës së takimit të kontrollit Charlie-vija kufitare ku tanket e SHBA-ve dhe tanket Sovjetike u angazhuan në një gjendje të tendosur në 1961,sepse ishte ndërtuar një mur që ndalonte qytetarët e RDGJ-s për t’u larguar në perëndim. Por rrjedhat historike nuk mund të ndalen as me mure as me shantazhin bërthamor të përdorur në atë kohë. Muri i Berlinit ka sot më shumë se një histori ndërtimi apo përbërësish material dhe funksionesh jetëmarrëse! Ka një histori njerëzish që donin lirinë! Nga gushti 1961 deri në nëntor 1989 më shumë se një milion gjermano-lindor kaluan kufirin për të mos u kthyer, një ikje për një jetë më të mirë duke lënë pas shtëpitë dhe familjet. Më pak se gjysma e tyre ishin legal, pjesa tjetër ishin ata që ja mbathën. Pothuaj mijëra njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë humbën jetën në ato fortifikime të ndyra të murit. Dhjetra mijëra u kapën dhe u burgosën!

Gjurmë përmes datave!
Në 8 maj 1945 Lufta II Botërore kishte mbaruar dhe Berlini ishte ndarë në katër sektorë; Amerikanë, Francez, Britanikë, në perëndim dhe ai sovjetik në lindje. Në 30 qershor 1946 me nxitjen e administratës ushtarake sovjetike, linja e demarkacionit mes Gjermanisë-Lindore dhe Gjermanisë Perëndimore tashmë është e mbrojtur. Në 29 tetor 1946 u vendos që për të kaluar nga njëri sektor gjerman tek tjetri duhet të pajiseshe me një leje kalimi e vlefshme për 30 ditë. Në 23 qershor 1948 realizohet reforma e parasë në Berlin duke krijuar dy zona të ndryshme të parasë. Duke filluar nga 24 qershori 1948 nisi bllokimi i Berlinit dhe më 25 qershor po të atij viti filloi të funksiononte ura ajrore e Berlinit. Stalini kishte nxjerr si argument se po rregulloheshin rrugët por se ky rezultoi thjesht një pretekst. Në 12 maj 1949 është fundi I bllokadës së Berlinit. Në 24 maj 1949 themelohet RF Gjermane me kryeqytet Bonn-in. Në 30 shtator 1949 merr fund rruga ajrore e Berlinit. Në 7 tetor 1949 themelohet RD Gjermane. Në 26 maj 1952 kufiri mes RFGJ dhe RDGJ dhe mes RDGJ dhe Berlinit Perëndimor ishte mbyllur. Vetëm kufiri mes Berlinit Lindor dhe Berlinit Perëndimor ishte ende i hapur. Në 17 qershor 1953 punëtorët e Berlinit Lindor shpërthejnë në revolta kundra detyrimit për ngritjen e normës së punës nën shtypjen e tankeve të ushtrisë së kuqe. Në 14 nëntor 1953,fuqitë perëndimore heqin dorë nga zona e ndërmjetme e kalimit,BS ndoqi të njëjtin shembull por qytetarët e RDGJ-s kishin nevojë për një leje për të udhëtuar në perëndim. Në 9 maj 1955,dhjetë vjet pas rënies së Rajshtagut, RF Gjermane u anëtarsua në NATO. Ministri i jashtëm i Norvegjisë në atë kohë,zoti Halvard Lange,e vlerësoi këtë ngjarje si;”Një pikë kthese deçizive në historinë e kontinentit tonë. Në 14 maj 1955 u krijua Traktati i Varshavës nga BS. RD Gjermane ishte anëtare e këtij bashkimi politik dhe ushtarak të lindjes komuniste. Në 11 dhjetor 1957, largimi nga RDGJ pa leje ishte tashmë i ndaluar dhe shkelësit persekutoheshin me burg duke u dënuar deri në tre vjet heqje lirie. 13 Gusht 1961, kufiri sektorial i Berlinit mes Berlinit Lindor dhe atij perëndimor ishte mbyllur,ishin ndërtuar barrierat e para. Po lindte muri i Berlinit, marrëzia e shekullit xx në zemër të Europës. 14 gusht 1961, Porta e Brandeburgut ishte mbyllur në mënyrë mesjetare sikur një kolerë të kishte pllakosur qytetin. Në 26 gusht 1961 të gjitha pikat e kalimit rezultojnë të mbyllura për qytetarët e Berlinit perëndimor. Në 26 qershor 1963 presidenti i SHBA-ve,J.F.Kennedy vizitoi Berlinin dhe deklaroi jo pa nëntekst;”Ich bin ein Berliner”(I am a Berliner-Unë jam një berlinez).Më në fund në 3 shtator 1971 statusi i Berlinit se i takonte katër fuqive u pranua më në fund edhe nga sovjetikët në marrëveshjen katërpalëshe. Vizitimi i Berlinit bëhet më i lehtë për berlinezët perëndimor. Në 12 qershor 1987 presidenti amerikan Ronald Reagan vizitoi Berlinin dhe nxiti liderin sovjetik Mikhail Gorbachov të hiqte murin e Berlinit. Në 10 shtator 1989 ndodhi një ngjarje mjaft kuptimplote. Qeveria hungareze e Gyla Hornit hapi kufirin për refugjatët e RDGj-s që përmes Austrisë kërkonin dhe kaluan në RFGJ. Komunizmi po binte tamam si një mur i mykur,ai po shkërmoqej nga njerëzit e kësaj shoqërie antihumane dhe shfrytëzonjëse që e kishte dërrmuar individin me luftën e klasave dhe varfërinë ekonomike,me mungesën e theksuar të lirive dhe të drejtave të njeriut. Në 9 nëntor 1989 është tashmë një datë historike, muri i Berlinit ishte hapur. Në 22 dhjetor 1989,krishtlindjet erdhën me një dhuratë të madhe për gjermanët,Porta e Bradenburgut më në fund ishte hapur dhe era e lirisë fryu sërish për ta dhe për Europën dhe më gjerë. Në 3 tetor 1990 Gjermania ishte ribashkuar. Një meshë pendimi kudo, në Europë, në SHBA dhe në BS, sepse u korrigjua një deformim historik me kosto për Gjermaninë dhe Europën, për shoqërinë globale dhe institucionalizmin ndërkombëtar. Këmbana që binte atë ditë por edhe sot pas 20 viteve shkruan në qiellin e kohës(kohërave më korrektësisht) se izolimet, muret,mbylljet,janë produkte të filozofisë së urrejtjes dhe se mbi urrejtje nuk ka bashkëpunim, sepse kjo lloj ndjenje dhe mënyre sjellje është e ushqyer nga përjashtimi, nga ndarja, nga konflikti dhe nga shtrembërimi i njeriut nën peshën e sistemeve diktatoriale,ksenofobe dhe raciste,aq sa sot i gjejmë të ushqyera dhe nxitura edhe nga radikalizmi (pseudo)fetar! Ideologjia e mureve dhe muret ideologjizuese duhen analizuar në anatominë e tyre!

Dy sisteme të kundërta në një luftë të ftohtë!
Lëshimi i sputnikut nga sovjetikët në tetor 1957, u shfrytëzua nga propaganda sovjetike si një arritje që po tejkalonte në një epërsi ushtarake edhe nivelin e SHBA-ve. Hrushovi në mënyrë të pakontrolluar si edhe ishte në natyrën e tij në janar të vitit 1958 i deklaronte një gazetari danez se “Lëshimi I sputnikut-tregon se ka ardhur një ndryshim serioz në ekuilibrin e forcës midis vendeve të socializmit dhe kapitalizmit,në favor të vendeve socialiste”(Marrë nga libri Diplomacia i Henri Kissinger botimi shqip faqe 570).Iluzioni e shpuri deri në një deklaratë të pa bazuar se “do t’ ia kalojmë kapitalizmit jo vetëm në ritëm por edhe në volumin e prodhimit”.
Në 10 nëntor 1958 Hrushovi mbajti një fjalim ku kërkohej që t’i jepej fund statusit të ‘katër fuqive’ në Berlin. Ai paralajmëroi se BS kishte ndër mend që t’ia kalonte të drejtat e tij të kontrollit të hyrjes në RDGJ satelitit të vet”.Që nga kjo ditë, deklaronte Hrushovi:”SHBA,Britania e Madhe,Franca le t’i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre me RDGJ,të merren vesh me të për çdo problem, që janë të interesuar në lidhje me Berlinin”.Insinuata duket hapur. BS donte të përligjte si shtet RDGJ, një realitet ky pas lufte që njihej si shtet vetëm nga vendet e ‘demokracive popullore’ të Kampit Socialist. Kështu legalizohej ndarja e Gjermanisë dhe rreziku ndaj perëndimit ishte imminent sepse RDGJ numëronte jo pak por 16 milion banorë. Arroganca e Hrushovit nuk ndalet. Në 27 nëntor ai i dërgon një notë zyrtare SHBA-ve,Britanisë së Madhe dhe Francës-duke deklaruar të pavlefshme,’marrëveshjen e katër fuqive për Berlinin’. Ai dërgonte mesazhin e drejtpërdrejtë ultimativ që ‘Berlini Perëndimor’ të kthehej në një ’qytet të lirë’ e të ç’ militarizuar. “Nëse Brenda gjashtë muajsh nuk arrihej marrëveshja,BS do të nënshkruante një ‘Traktat paqeje me Gjermaninë Lindore’ dhe do t’ia kalonte RDGJ-s të drejtat e pushtimit dhe rrugët e hyrjes. Hrushovi vijoi në fillim vitin 1959 duke ju paraqitur tri fuqive të tjera pushtuese ‘një projekt traktat-paqeje’, që përcaktonte statusin e ri të Berlinit dhe të Gjermanisë Lindore. Sovjetikët nxitonin në këto demarshe politike e diplomatike sepse për ta ishte e qartë se Berlini ishte një ‘britmë gjigande’ në perden e hekurt.’Parajsa punëtore’ si edhe ishte shpallur Gjermania Lindore, rrezikonte të mbetej pa punëtor dhe specialist për shkak të largimeve masive. Gjermania Lindore nuk ishte e ligjshme,por nëse nuk do të ndalej rrjedhja e njerëzve drejt perëndimit, ky shtet i sajuar rrezikonte të zbrazej brenda disa vjetëve e të përmbysej. Si shprehet Henry Kissinger,-“Ky do të ishte një grusht shkatërrues në sferën sovjetike të influencës”.Plani i Stalinit i vitit 1952 i afronte Gjermanisë si shtet neutralitetin,por se pas tij fshihej një taktikë ogurzezë. Në kujtimet e tij Adenhauer shkruante: “…Ne nuk mund ta blinim riunifikimin e Gjermanisë me çmimin që të humbnim Gjermaninë nga blloku perëndimor dhe të hiqnim dorë nga arritjet e integrimit europian. Rezultati do të ishte që në qendër të Europës do të krijohej një Gjermani e pambrojtur e palidhur, e cila patjetër do të joshej të shtynte Lindjen kundër Perëndimit”. Kancelari i RFGj-s e kishte kuptuar planin sovjetik. BS dhe RDGJ,ky bashkim do të shërbente më tepër për sundimin sovjetik në Europë se sa për përmbajtjen e Gjermanisë. Ishte për këtë arsye që presidenti francez De Gol realizoi një vlerësim të ri në përputhje me rrethanat të parimit të Risheljes “reason d’etat”, që për 300 vjet si politikë franceze anti gjermane kishte ndikuar për të mbajtur një Gjermani të dobët dhe të coptuar. Lypsej miqësi me armikun tradicional. Një ujdi gjermano-sovjetike e trembte Francën. “Kriza e Berlinit i krijoi mundësi de Gol të parashtronte strategjinë e tij. Ai vendosi me kujdes Francën në rolin e mbrojtjes të identitetit të Europës dhe e përdori krizën e Berlinit për të treguar se Franca i kuptonte realitetet europiane dhe se ajo ishte e ndjeshme ndaj shqetësimeve nacionale të Gjermanisë.” As me sovjetikët, por as edhe një rrezik nacionalist në kufirin francez,ky lloj ekuilibri solli një politikë të re franko-gjermane (që u bë në dekadat e ardhshme boshti i një Europe të Bashkuar).
Unifikimi i Gjermanisë në këmbim të pranimit të Francës si udhëheqëse politike të Europës. Me pikëpamjet e Adenhaur-it nuk pajtohej përgjithësisht Britania e Madhe. Kryeministri Harold McMillan-dhe populli britanik nuk donin të hynin në luftë për kryeqytetin e një armiku të mundur,i cili,aq më tepër,kishte përgjegjësi të madhe për shkatërrimin e supremacisë së kombit të tyre si fuqi e madhe. Ndryshe nga Franca,Britania e madhe nuk e lidhte sigurimin e saj afatgjatë me të ardhmen e Gjermanisë. Dy here brenda një gjenerate,Britania e Madhe mezi kishte shpëtuar me ndërhyrjen e Amerikës nga goditjet e Gjermanisë, që kishte pushtuar pjesën më të madhe të Europës.”(Henry Kissinger,Diplomacia,faqe 573,botimi shqip). Politika e sovjetikëve u bashkëshoqërua aso kohe me pompozitet ushtarak. Hrushovi del në një fjalim i veshur me uniformën gjeneral-lietnant,gradë nderi që Stalini ia kishte dhënë gjatë luftës. Megalomania e këtij njeriu sa qesharak aq edhe arrogant nuk ndalet aq sa shkon deri atje sa t’i thoshte ambasadorit britanik se ‘mjaftojnë gjashtë bomba atomike për të shkatërruar Anglinë dhe nëntë për të shkatërruar Francën.’Në shtator 1960 BS i dha fund ndalimit jo zyrtar të provave bërthamore dhe kreu shpërthimin atomik me kapacitet prej 50 megaton. Ky ishte pra realiteti konfliktual që mbante gjallë kërcënimin për ballafaqim ushtarak dhe ku mundësia për një konflikt bërthamor qëndronte pezull si një klimë që ftohu marrëdhëniet e atyre që kishin qenë aleatë në Luftën II Botërore, por që në mbarim të saj ndanin filozofi të ndryshme dhe i takonin sistemeve të ndryshme ekonomiko e shoqërore. Kështu mbërriti 13 gushti i 1961-s ajo ditë që i gjeti qytetarët e Berlinit në një ‘mëngjes të burgosur’.Qyteti u nda por përtej kësaj ndarje ishte një Gjermani e coptuar,një Europë e kërcënuar, dy sisteme përball njëri tjetrit nën klimën gjeopolitike dhe ushtarake që u quajt”Lufta e Ftohtë”. Se sa rëndësi i dha Amerika ndërtimit të murit kjo mbetet dhe sot e kësaj dite për tu hulumtuar me gjakftohtësi dhe objektivitet. Hrushovi ishte shprehur jo pa ironi se,’këmba amerikane është në Europë por ajo ka një kallo ku ne mund ta ngacmojmë dhe kjo është Berlini’. Atë ditë gushti me një mur në mes të Europës presidenti Kened shkoi për lundrim,dhe sekretari i shtetit Rus ndoqi një ndeshje bejsbolli. Si dedukton Henry Kissinger, “nuk kishte atmosferë krize në Ëashington”.Arsyetohej se nuk kishte kuptim që me forcën ushtarake të shtyhej ai mur që mund të ndërtohej më në brendësi. Amerikanët po brenda muajit gusht dislokuan 1500 trupa në autobandën përmes zonës sovjetike duke i vënë ata në provë për ti ndalur. Fatalisht Gjermania Perëndimore do duhej të pranonte për po thuaj tre dekada jo thjesht idenë por realitetin e dy Gjermanive. Në janar 1963 Hrushovi deklaroi se ‘suksesi i Murit të Berlinit e kishte bërë të panevojshme një marrëveshje të veçantë paqeje për Berlinin’.Kriza e Berlinit kishte mbaruar me ndarje pas një historie pesë vjeçare. Ai ishte thjesht një mostër poshtëruese për të mbrojtur utopinë komuniste. Në planin politik pas gjithë atyre kërcënimesh ai ishte thjesht një dështim I politikës sovjetike për Berlinin. Në fund të viteve 80-të të shekullit XX komunizmi u dorëzua ekonomikisht,politikisht,si teknologji, dhe si politika sociale. Kapitalizmi e kishte fituar garën. Ai sistem revolucionar ra, u shkërmoq pafuqisht; ndaj rrëzimi i Murit dhe bashkimi i dy Gjermanive sillte në normalitet(me një goxha kosto shumëplanësore) jo vetëm Gjermaninë por gjithë Europën dhe më gjerë!

Sindromi mur!
A është sot realiteti global pa mure, pa barriera, pa pengesa e pa përjashtime!? Bashkëjetesa dhe ndeshja e civilizimeve është nga problemet më kompleks dhe më të mprehtë global! Fshati botëror fetar nuk është pa konflikte,pa përjashtime të egra dhe rikthime të frikshme tek mesjeta e errët. Në Europën Perëndimore nuk kanë munguar teoritë fashiste dhe urrejtja antisemitiste. Shoqëria e lirisë bënë shumë kujdes deri në një lloj selektimi në atë që quhet lëvizje e lirë. Shumë njerëz në nevojë thjesht për të mbijetuar apo për t’i shpëtuar mizerjes ekonomike apo persekucionit kërkojnë të shkojnë nga jugu-në veri, nga lindja në perëndim, dhe në këtë aventurë shumë syresh gjymtohen, ka që humbin pa gjurmë dhe të tjerë që e paguajnë me jetën. Përjashtimet dhe përbuzjet kolektive takohen ende sot si urrejtje, si nënçmime dhe ksenofobi ekstreme. Vazhdon lufta mes palestinezëve dhe çifutëve, ku nuk kanë munguar edhe mbyllje kufijsh me sindrome të mureve. Ngulimet e dhunshme te hebrenjve në tokat e palestinezve kanë bllokuar diplomacinë botërore. Njësitë shtetërore etnike brenda shteteve me popullsi multinacionale që shpesh paradoksisht trajtohen subjektivisht me përkëdhelje, jashtë detyrimeve të Konventave Ndërkombëtare, duke dubluar shtetin e gjithë qytetarëve, apo përjashtimet mbi bazë race sidomos për njerëzit me ngjyrë;tregojnë se ndarja si funksion i murit është ende prezent. Meksikanët që kërkojnë të kalojnë ilegalisht për në SHBA janë penguar edhe me mure fizike. Pirateria në det e rishfaqur kohët e fundit duket sikur ndërton mure virtual në dete. Qindra shqiptarë që për një jetë më të mirë kanë përfunduar në fund të detit ose kanë humbur pa nam e pa nishan humbëtirave kufitare janë përplasur me forma të rishfaqjes së mureve. Duket sikur ende jemi të vet penguar me iluzionin e lirisë, sepse në një pështjellim të dukshëm të mungesës së koherencës teorike,liberalizimi, lëvizja e lirë dhe liria sillen nga retorika e ditës si e njëjta gjë!Lindja na është larguar si sistem por nuk na është shqitur si mentalitet. Nga kjo robëri vetizoluese(muri brenda nesh) na duhet kohë që të lirohemi.
Muri dhe muret janë sindromë dhe pengesë reale. Aktualisht komunizmi është thjesht dhe qartë hije brenda nesh. Shembja e këtyre pengesave e ka emrin europianizim civil kulturor dhe etikë ligjore e rregullit. Ky është udhëtimi ynë që mund të pengohet edhe nga përjashtimi politik që e sjell institucionalizmin dhe shoqërinë të ndarë, e projekton jo kohezive dhe si një mekanizëm pengues për demokracinë funksionale. Të rrëzojmë murin brenda vetes kjo është sfida!E në mëndje duket se na vjen sërish personazhi i Sartre me fjalët e plotëkuptimta:”Them se do kem dëshirë të futem brenda në mur,do ta shtyj me kurriz murin me të gjithë fuqinë time dhe muri nuk do të tundet,ashtu si nëpër makthe. Këtë mund ta marr me mend. Eh veç ta dish sa mirë që e marr me mënd gjithë këtë!(Jean –Paul Sartre,Muri,botimi shqip faqe 16,shtëpia botuese Dituria.)

( Botuar ne albatlanta.com para disa vitesh)