Përmbytjet zbulojnë realitetin/90% e shtetarëve që përfaqësojnë e drejtojnë në zona, jetojnë në Tiranë

223
Përmbytjet që futën nën ujë, pothuajse 80% të territorit, madje edhe autostradën Tiranë-Durrës për shkak të bllokimit me palma, nxorën mbi ujë një fakt, që lidhet me drejtuesit e shtetit dhe pushtetit qendror e lokal. Ditën që nisën shirat dhe uji “mbyti” vendin, shumica e zonave në prefektura, këshilla qarku, drejtorë rajonalë, bashki, ish-komuna, drejtori rajonale komisariate policie e deri krye-tatimorë dhe krye-doganierë, ishin pa “komandë”. Pse? Sipas informacionit të ardhur në “Telegraf”, drejtuesit e këtyre shërbimeve dhe institucioneve, nuk banojnë në zonat ku janë emëruar e zgjedhur, por në Tiranë. Në zona, qytete, rrethe, prefektura, ata kanë vetëm vendet e punës. Duhej të ndodhte përmbytja nga shirat, që të zbulohej e të bëhej evident ky realitet jo normal e aspak në përputhje me detyrën që ka secili drejtues institucioni e shërbimesh publike. Sipas të dhënave, afro 90% e drejtuesve lokalë të shërbimeve dhe institucioneve nëpër bashki e qendra qarqesh, banojë në Tiranë. Ditën e parë të përmbytjeve, ata nuk ishin në zonat ku drejtojnë dhe zonat mbetën pa “komandë”. Ka kryetarë këshilli qarqesh, prefektë, kryetarë bashkie dhe kryetarë të njësive administrative (ish-komuna), të cilët jetojnë në Tiranë, mbasi atje i kanë vendosur familjet. Po kështu, ka drejtorë policie, shefa komisariatesh, drejtor energjie, ujësjellësish, universitetesh publike, doganash e tatimesh, të cilët po kështu, janë emëruar në zona, por banojnë në Tiranë. Ata shkojnë në zona ditën e hënë dhe kthehen ditën e premte! Nuk themi, që këta nuk kanë të drejtë të punojnë në zona jashtë qendrave të banimit, por që ata duhet të jenë pjesë e zonës ku banojnë. Nëse në zonën e Sarandës, Fierit, Dibrës, Bulqizës, Tepelenës, Vlorës, Pogradecit, Burrelit e kudo tjetër, ndodh diçka, duhet pritur të shkoj drejtori i policisë, drejtori i doganës, kryetari bashkisë, kryetari qarkut, prefekti, drejtori i energjisë, i doganës, tatimeve, madje dhe rektori i universitetit e drejtori i shkollës që banojnë në Tiranë, mbasi këta janë “kompetent” për të dhënë urdhra, për të marrë vendime, për të firmosur letra, për të dhënë zgjidhje! Kjo ndodh, mbasi të emëruarit në shërbimet publike e institucionet lokale të rretheve dhe qarqeve, nuk banojë brenda “vijës së verdhë” të zonës, por qindra kilometër larg vendit të punës! P.sh., një drejtor policie, prefekt, krye-bashkiak, shef komisariati, shef krimesh, drejtor dogane e tatimesh i emëruar apo i zgjedhur në Shkodër, Berat, Fier, Korçë, Gjirokastër, Lezhë, Peshkopi, Vlorë, Malësi e Madhe, Pukë, Kukës, Ersekë e kudo qoftë, banon në Tiranë dhe më tepër udhëton nga zyra në familje deri në 200-400 kilometër në javë, ose edhe dy e 3 herë në javë, se sa qëndron në krye të punës! Këtë realitet e zbuloi situata e përmbytjeve, kur ata nuk ishin në zona… Mirë deputetët, që kanë braktisur popullin dhe zonat ku figurojnë si deputetë listash e janë “tufëzuar” të gjithë në Tiranë dhe shkojnë në rrethe vetëm 1 herë në 4 vite, kur u duhen votat, po ata që e kanë punën përditë pranë qytetarëve, përse duhet të jenë banorë të Tiranës para dhe pas marrjes së detyrave?!