Përmbytjet 24 milionë euro, qejfet e Vitit të Ri 30 milionë euro

564
Përparim HALILI

30 milionë euro zbukurime për Vitin e Ri ose 20% më tepër se vlera e dëmshpërblimit të përmbytjeve
Varfëria lë pa festime 100 mijë familje, taksat publike bëhen fishekzjarrë, lule e pemë plastike, koncerte, vegla muzikore dhe tullumbace 
Kjo vlerë është 40% më e madhe se vlera mesatare, që nevojitet për dëmshpërblimin e bizneseve në Fier, Vlorë, Lushnjë, Berat, ndërkohë që vetëm për pemën dekorative, një bashki e vogël harxhon 25-30 milionë lekë, ndërsa për zbukurimet e zyrës së një ministri, drejtori shërbimesh publike, Prefekture e Këshilli Qarku harxhohen 10-13 milionë lekë!
Qeveria qendrore dhe vendore, planifikojnë e miratojnë në buxhete, fonde për zbukurimet e festave të çdo fund-viti, mbasi e dinë që vijnë këto festa. Por nuk planifikojnë asnjë qindarkë buxhet, për përmbytjet e pritshme të çdo fund-viti, të cilat në Shqipëri dihet që ndodhin çdo vit e nuk merren masa
Brenda vlerës 30 milionë euro që do të caktohen përfestat e fundvitit nga qeveria rilindëse bashkive për zbukurime, një pjesë e mirë e tyre do të shpenzohen nëpër hotelet luksoze jashtë shtetit, për biletat avionësh të shtetarëve sikur të mos mjaftonin milionat që i kanë përfituar nga tenderët dhe ryshfetet dhe punësimet klienteliste
Festat e fund-vitit, po shoqërohen me tenderë të shumtë, që bëhen me fondet publike. Në këtë “lumë” tenderësh, që po zhvillohen me shpejtësi me afat edhe brenda 2-3 ditësh, bien në sy tenderët, për zbukurimet me rastin e këtyre festave. Janë qindra institucione, me në krye 61 bashkitë, të cilat kanë hapur “thesin” e milionave të mbledhura nga taksat publike dhe po bëjnë tullumbace, pemë e lule plastike, madje edhe vegla muzikore e këngëtarë. Tenderë të tillë, për blerje dekoresh, po bëjnë edhe institucione që nuk kanë asnjë lidhje me shërbimet publike të këtyre festave. Por, me këtë sebep festash, po bëjnë “tenderë qoka”, duke harxhuar miliarda lekë, për të zbukuruar zyrat e ministrave, zv/ministrave, sekretarëve e deri zyrat e shefave të Burimeve Njerëzore, të drejtorëve dhe titullarëve të tjerë poshtë tyre. Referuar njoftimeve zyrtare, të bëra në “Buletinet e Prokurimeve Publike” të muajit dhjetor 2017, konstaton një vërshim tenderësh, për blerje e shërbime për zbukurimet e Vitin të Ri. Madje, sipas fondeve të paracaktuar nga drejtuesit shtetëror me buxhet shteti dhe të ardhura, rezulton se po bëhet garë “zbukurimesh” mes zyrave të tyre, kush e kush të blej më shtrenjtë e më tepër! Ndodh kjo gjë, paçka se shpenzimet nuk janë financa personale të shtetarëve, por 100% fonde publike, shumica e të cilave, u merren shqiptarëve si taksa makinash, për vizita mjekësore lejesh drejtimi automjeti, sigurimesh shoqërore e shëndetësore, taksa arsimi, shëndetësie, hipotekash, drejtësie, gjoba policie rrugore, higjiene, mjedisi, tatimesh, doganash, sekuestrime, shërbime nëpër zyra e shumë tarifa të tjera, deri taksa 120 lekë të reja në muaj, për Televizionin Shtetëror Shqiptar, të cilin siç ja deklaruar, nuk shikon as vetë kryeministri Rama dhe drejtori i televizionit Gëllçi! Mos u çuditni, por puna ka shkuar deri në qëndrime personale në menaxhimin e fondeve publike dhe këtë e tregon ky fakt: Dje, gazeta “Telegraf”, shkoi për të marrë informacion, lidhur me dosjen e një skandali në një ministri, ku zyrtarja e pritjes na tha: Shefja e Protokollit, ka shkuar me gruan e ministrit, për të zgjedhur pemën dhe zbukurimet e zyrës së ministrit, për Vitin e Ri! Kaq mjafton, për të kuptuar se shtetin e drejtojnë familjet, tenderët bëhen privatisht me përzgjedhje, sipas shijeve dhe klientelave personale. Madje, sipas disa informacioneve, rezulton që edhe mobiliet e zyrave i përzgjedhin familjarisht, sikur po arredojnë shtëpitë e tyre! Kjo është njëra pamje e funksionimit të institucioneve. Sipas investigimit që ka bërë gazeta “Telegraf”, referuar njoftimeve publike (tenderëve) për shpenzimet e zbukurimeve të Vitit të Ri, rezulton se deri tani, këto festa po gëlltisin 30 milionë euro, për blerje pemësh e lulesh plastike dhe fishekzjarrë. Në këtë kosto, nuk llogariten dekoret dhe aksesorët e tjerë të festave, si llambat, këngëtarët, bejtexhinjtë e humorit, fasadat, shpenzimet e fonisë, skelat e skenave, fletëpalosjet dhe shumë “lule” të tjera. Kostoja më e ulët e një zbukurimi, vetëm për pemën dekorative që do të blejë një bashki e vogël, rezulton 25-30 milionë lekë! Kostoja më e vogël, që po harxhohet për zbukurimet e zyrave të një ministri, drejtori shërbimesh publike, Prefekture e Këshilli Qarku është 10-13 milionë lekë! Nuk themi, që bashkitë të mos zbukurojnë sheshet e qyteteve, por të mos “shënojnë” në këto shpenzime edhe “zbukurimin” e shesheve, rrugicave e gardheve të ish-komunave (fshatrave), të cilët kanë mbetur me nga 2-3 familje, sepse kjo nuk bëhet realisht në asnjë rast feste! Nëse bashkitë bëjnë zbukurime, duke hapur “thesin” e tenderëve me blerje fiktive, që maskohen e nuk bien në sy prej zhurmës dhe dritave, tingëllon absurde që të shpenzohen fonde publike, për të zbukuruar me miliona lekë edhe zyrat e ministrave, paradhomat e sekretareve, sallat e mbledhjeve dhe deri… tualetet e këtyre institucioneve, të cilët në ditët e festave të fund-vitit, mbyllen e nuk i shikon askush! Babëzia e vjedhjes së fondeve nëpërmjet tenderëve, ka shkuar deri në atë neps shfrenimi, sa shpenzime për zbukurimin e zyrave, po bëjnë edhe institucione që sipas ligjit, mblidhen 1 herë në 3 muaj (bordet)! Nisur prej vlerës së tenderëve që ka investiguar dhe përllogaritur gazeta “Telegraf”, rezulton se vlera 30 milionë euro, që po përpijnë tenderët për zbukurimet e Vitit të Ri është 20% me e lartë se vlera mesatare financiare, që nevojitet për dëmshpërblimin e familjeve të përmbytura pas 10 ditësh. Kjo vlerë “tullumbacesh”, është 40% më e madhe se vlera mesatare, që nevojitet për dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara nga përmbytjet në rrethet Fier, Vlorë, Lushnjë, Berat! Edhe një herë e theksojmë: Nuk jemi kundër zbukurimeve për festat e fund-vitit, mbasi zbukurime janë bërë edhe gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist. E kemi fjalën, te absurdi që qeveria qendrore dhe vendore, planifikojnë e miratojnë në buxhete, fonde për zbukurimet e festave të çdo fund-viti, mbasi e dinë që vijnë këto festa. Por nuk planifikojnë asnjë qindarkë buxhet, për përmbytjet e pritshme të çdo fund-viti, të cilat në Shqipëri dihet që ndodhin çdo vit e nuk merren masa. Ndërsa fondi i zbukurimeve të këtij fund-viti është 30 milionë euro (i shpallur nga tenderët e deritanishëm, mbasi sipas datave do vazhdojnë deri më 31 dhjetor 2017), kujtojmë që dëmet e shkaktuara në shkallë vendi, nga përmbytjet në vitet 2009-2015, sipas bilancit të bërë prej Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Bankën Botërore, rezultojnë 200 milionë euro. Vetëm nga përmbytjet e muajit Janar-2016, vlera e dëmtimeve ishte 9 milionë euro. Kjo ndodh çdo dimër, por askush nuk planifikon e nuk akordon fonde financiare për përmbytjet, paçka se bizneset dhe familjet paguajnë taksa të shumta e të larta në qeveri e nëpër bashki. Shqiptarët që përmbyten e digjen çdo vit, paguajnë tarifa tepër të larta uji, energjie, shërbimi mjekësor, ilaçesh, sigurimesh, transporti publik etj. Por fonde akordohen vetëm për lulet dhe ahengjet e festave, që me zhurmën e tyre “joshin e trullosin” 1 javë dhe fshehin vjedhjet nëpërmjet tenderëve! Aq shpërfillje tregon qeveria ndaj përmbytjeve, sa edhe edhe Drejtorisë së Emergjencave Civile Kombëtare, që duhet të evitojë katastrofat, i jep vetëm 1.3 milionë euro fonde vjetore për përmbytjet, zjarret dhe për shkundjet e tërmeteve ose sa pagesa e një këngëtari që çdo vit… përsërit të njëjtat këngë dhe tund prapanicat për 30 minuta! Ndërkohë që bashkitë, nuk japin asnjë qindarkë për blerje auto-zjarrfikësesh, për ndërtim digash e pritash lumore, për rikonstruksionin e hidrovorëve dhe të rrjeteve të kanalizimeve, në qytete e grykë-derdhje të tyre. E për më tepër, këto miliarda harxhohen, kur edhe këto Krishtlindje e këtë Vit të Ri, mbi 100 mijë familje shqiptare do t’i kalojnë pa festime, duke u lënë edhe jashtë shpërblimit lëmoshë që dha qeveria!
TIRANË/Bashkia tender 24 milionë lekë nga taksat, për fishekzjarrët që do të “shkrepin” vetëm… 1 minutë
1. Përshkrim i shkurtër i kontratës: “Fishekzjarrë për festat e fundvitit”. 
2. Fondi limit: 2.082.500 (dy milionë e tetëdhjetë e dy mijë e pesëqind) lekë pa TVSH 
3. Burimi i financimit: Të ardhura, të vëna në dispozicion nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës 
4. Data e zhvillimit të procedurës së prokurimit: 16.11.2017 ora 11.00 
5. Publikime të mëparshme: (nëse zbatohet): Buletini i Njoftimeve Publike: Buletini i Njoftimeve Publike Nr. 45. datë 13 Nëntor 2017. 
6. Njoftojmë se, ka qenë pjesëmarrës në procedurë, vetëm një ofertues me vlerën përkatëse të ofruar.
Sigal