Përkujtohet në Gjakovë dy vjetori i ndarjes nga jeta i Baba Mumin Lama

216

Dedë Edmond Brahimaj: “Kleriku Mumin Lama, e la botën materiale për t’u bashkuar me shpirtrat e pastër, duke lënë pas shembullin e devotshmërisë, përkushtimit në udhën e Haxhi Bektash Veliut, kontributin e çmuar fetar e atdhetar të besimit tonë të paqtë”

Sigal

 

Lorik BAKIJA

Gazetar, Prishtinë

Ditën e djeshme, në Teqenë Bektashiane të Gjakovës, Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në Bashkëpunim me Gjyshatën e Gjakovës, përkujtuan dy vjetorin e ndarjes nga kjo jetë, e baba Mumin Lamaj, kleriku që udhëhoqi këtë teqe me histori, nga viti 1996, deri në vitin 2021, plot 25 vite. Në këtë përkujtimore, mori pjesë dhe Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ishin gjithashtu dhe klerikë bektashianë nga Selia e Shenjtë Botërore, nga gjyshatat në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut; krerë e përfaqësues të besimeve të tjerë fetarë; funksionarë vendor; myhibë dhe dashamirës të shumtë. Ishte Kryegjyshi Botëror Bektashian, Dede Edmond Brahimaj, i cili udhëhoqi dhe ritet e këtij eventi përkujtimor. Ndër të tjera, Ai evidentoi dhe kontributin e baba Mumin Lamaj në drejtimin e teqesë së Gjakovës e gjyshatës së Kosovës në gati një çerek shekulli, duke theksuar rolin fetar e atdhetar të tij, veçanërisht në përballjen me dhunën serbe në luftën për liri e pavarësi të Kosovës. Sipas tij, baba Mumin Lamaj, ka meritë të veçantë sidomos në ringritjen e teqesë, pasi e dogjën dhe e shkatërruan forcat serbe në vitin 1999. Dervish Abdulmutalip Beqiri i Teqesë ‘Harabati Baba’ në Tetovë, veçoi dashamirësinë dhe respektin që baba Mumini gëzonte në Kosovë, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Turqi e kudo. Myhibja Afërdita Lama, u kujtoi të pranishmëve se ”…Baba Mumini ishte i urtë si në shtëpi e farefis, i njejtë si në teqe e kudo”. Në këtë përkujtimore mori fjalën dhe Shejh Reshat Rama i tarikatit Kaderi. Ai shprehu dashurinë që ndjen për bektashinjtë dhe vlerat bektashiane të baba Mumini. “…Baba Mumin Lama ishte klerik që bashkonte njerëzit..”-shtoi mes të tjerave ai. Ndërkaq, veprimtari i çështjes kombëtare, njëkohësisht drejtor i Gjimnazit Hajdar Dushi në Gjakovë, Bedri Cahani, deklaroi se “…baba Mumin Lama, ishte furnizues me ushqim shpirtëror, dhurues dashurie për çdo njeri e jo vetëm për bektashinjtë”. Aktiviteti u ndoq dhe u pasqyrua nga media vendase.

KUSH ISHTE BABA MUMIN LAMA

Baba Mumin Lama lindi më 1 qershor të vitit 1949 në Gjakovë, nga një familje e njohur e besimit bektashian. Në vitin 1987, ai pranohet myhib i baba Tajarit. Meqë shfaqi vlera të larta morale, kombëtare e fetare, në vitin 1993, babai Tajari, e gradoi Mumin Lamën ‘Dervish’. Pas kalimit nga jeta i baba Tajarit më 1994, anëtarët e Teqesë së Gjakovës, vendosën që prijësi i zgjedhur të jetë dervish Mumin Lama. Në vitin 1996, bazuar në rregullat e Tarikatit Bektashian, Baba Mumin Lama u emërua postnishin i teqesë së Gjakovës nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede baba Reshat Bardhi. Baba Mumini, u vu në krye të teqesë së Gjakovës, në kohëra të vështira për Kosovën. Dekada e 90-të e shekullit të 20-të, u veçua në histori për dhunën e gjithanshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare; u mbyllën institucionet e shkollat. Por, baba Mumini,  duke njohur traditën bektashiane dhe atë të vetë teqesë që drejtonte, u angazhua që këtë tempull fetar ta kthejë në qendër për manifestime fetare-kulturore-artistike e historike, e njëkohësisht e dha teqenë për shkollë, për maturantët e gjimnazit të Gjakovës.

Teqeja bektashiane e Gjakovës, që drejtohej nga baba Mumin Lama, u bë objekt sulmi i ushtrisë së rregullt serbe, e cila e dogji atë më 7 maj 1999. Kështu, u shkatërruan relike e artefakte me vlera të jashtëzakonshme, u shkrumbua biblioteka, që mbante thesare nga e gjithë bota (shumë nga to ishin dorëshkrime perla që nuk kthehen më). Këtë fat, pati edhe tyrbja e baballarëve në Gjakovë.  Pas luftës në Kosovë, teqeja u rindërtua më 2007.

 

Përgatiti faqen: K.Boriçi

Dedë Edmond Brahimaj


“Vëllai jonë, kleriku Mumin Lama, e la botën materiale për t’u bashkuar me shpirtrat e pastër, duke lënë pas shembullin e devotshmërisë, përkushtimit në udhën e Haxhi Bektash Veliut, kontributin e çmuar fetar e atdhetar të besimit tonë të paqtë. i vlerësuar, i paharruar dhe shembull, si klerik e atdhetar, do të mbetet ai, sidomos, në qëndresën kundër dhunës e represionit serb ndaj shqiptarëve e institucioneve bektashiane, ku në vitin 1990, rrafshuan teqenë e vjetër të Tetovës dhe dogjën një bibliotekë të rrallë me vlera të trashëgimisë kulturore.”