Përkujtohet 70-vjetori i çlirimit të Gjirokastrës

558
Sigal

Me rastin e festës së çlirimit të qytetit, u çel edhe Panairi Kombëtar lëvizës “Gur mbi gur”

GJIROKASTËR- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj vizitoi dje Gjirokastrën, ku mori pjesë në aktivitetet me rastin e 70- vjetorit të çlirimit të qytetit. Aktivitetet e organizuara nga Bashkia Gjirokastër filluan me ekspozitën e 35 piktorëve mbarë shqiptar, për t’u ndjekur nga parakalimi zyrtar i veteranëve të luftës dhe grupeve të tjera në sheshin “Çerçiz Topulli” të qytetit. Ministri uroi nga afër qytetarët e Gjirokastrës për këtë ditë të veçantë në historinë e qytetit dhe shprehu nderimin e tij për të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e qytetit. “Gjirokastra i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë mendjen, zemrën, vlerat dhe përkushtimin e saj vendit” ,– u shpreh z. Ahmetaj ndërsa theksoi se, dita e sotme është edhe një moment reflektimi për Qeverinë shqiptare për çka mund dhe duhet bërë më mirë, duke iu referuar rastit të shtresave në nevojë, për të cilat vetëm një ditë më parë Qeveria miratoi një fond prej 43 milionë dollarësh për shlyerjen e të gjitha pagesave të prapambetura ndaj tyre, të“mbajtura peng padrejtësisht nga qeveria e mëparshme” siç u shpreh ministri. Në kuadër të aktiviteteve të 70 -vjetorit të çlirimit ishin edhe homazhet në Varrezat e Dëshmorëve, ku u vendosën kurorat me lule në nder të dëshmorëve. Me rastin e festës së çlirimit të qytetit, u çel edhe Panairi Kombëtar lëvizës “Gur mbi gur”, i cili është në vazhdën e edicioneve të mëparshme të zhvilluara në Vlorë, Berat, Korçë dhe Shkodër. Panairi do të qëndrojë i hapur deri më 20 shtator. Janë rreth 52 kompani shqiptare që do të promovojnë produktet “Made in Albania” në shërbim të informimit të konsumatorit si dhe me qëllim afrimin e biznesit të madh me atë të vogël dhe të mesëm, për të rritur nivelin e bashkëpunimit dhe për të siguruar rritje të shkëmbimeve tregtare brenda vendit.

________________________________________________