Përkeqësimi i motit/ Rrëshkitje gurësh dhe përmbytje! Bllokohet qarkullimi në aksin Elbasan-Librazhd

321
Sigal

Segmenti rrugor që lidh Elbasanin me Librazhdin është bllokuar. Asnjë automjet nuk mund të kalojë për shkak të masivëve me gurë që bien nga mali në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”. Stuhia e fuqishme që ra dhe vijon të bjerë në Librazhd ka pezulluar lëvizjen e mjeteve, ndërsa radha kilometrike vijon deri në hyrje të qytetit.

Pasojat e shiut të rrëmbyeshëm kanë qenë të shumta. Qyteti i Librazhdit është përmbytur, e ndërkaq edhe dëmet kanë qenë të mëdha. Prurjet e shumta të ujit kanë hyrë në katet e para të dyqanit, ndërsa shumë banorë thonë se kjo situatë nuk ka ndodhur as në muajt e dimrit dhe jo më në qershor.

Policia me disa mjete të rënda janë nisur për në “kthesat e Murrashit”, por ka qenë e pamundur lëvizja, duke pritur që pas normalizimit të motit nga stuhia e fuqishme të mund të arrijnë në vend për të pastruar aksin nacional nga inertet që kanë dalë në rrugë.

Ka pasur edhe bllokime të kanaleve kullues dhe pusetave për shkak të inerteve që prurjet e ujit i kanë sjellë me vete.