Përhapja e gripit H5N8/ Asgjesohen 10 ferma me shpendë në Kosovë

184
Sigal

Disa javë më parë u konfirmua prezenca e Gripit të Shpendëve tipi H5N8 në Kosovë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte njoftuar se mostra e testuar në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë detektuar prezencën e Gripit të shpendëve Influenca Aviane A Subtipizimi H5 dhe N8 ( Gripi i shpezëve H5N8).

Si rezultat i kësaj deri më tash janë asgjësuar rreth 10 ferma. Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

“Deri më tash janë diku rreth 10 ferma që janë asgjësuar, kryesisht janë ferma të ekonomive familjare që pas marrjes së mostrave kanë rezultuar pozitiv në Gripin e Shpezëve H5N8”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka treguar se rastet e Gripit të Shpendëve që janë konfirmuar janë në shumicën e komunave të Kosovës, përfshirë këtu Prizrenin, Rahovecin, Skenderajn, Mitrovicën, Malishevën dhe disa komuna tjera.

Ai ka shtuar se inspektorët janë në teren duke lokalizuar fermat e prekura tek të cilat kryhen të gjitha shërbimet duke përfshirë edhe asgjësimin e shpezëve të ngordhura dhe atyre prezentë ne fermë nën mbikëqyrje të veterinerëve zyrtar duke respektuar masat e biosigurisë.

Sipas OBSH, gripi i tipit H5N8 është një nënlloj i virusit të gripit A (ndryshe i quajtur grip i shpendëve), i cili është shumë vdekjeprurës për zogjtë e egër dhe shpezët. H5N8 zakonisht nuk infekton njerëzit.