Përfundon shtetrrethimi 60 orësh në fundjavë, ja çfarë thonë ekspertët

493
Sigal

Sipas ekspertëve, epidemia në Shqipëri ka ecur me një tendencë të qëndrueshme. Javën e ardhshme do të rritet edhe numri i bizneseve që rifillojnë aktivitetin ekonomiko-tregtar.

Pas 6 fundjavash në shtetrrethim total 60 orësh, kjo është fundjava e parë me liri-dalje prej disa disa orësh. Fashat e orarit të liridaljes nga karantina e detyruar janë të ndryshme për pensionistët dhe qytetarët e tjerë, për të shmangur infektimin e mundshëm të të moshuarve, shtresës më vunerabël të popullsisë ndaj infektimit me COVID-19. Por të dielën, ( 3.05.2020) rikthehet shtetrrethimi total deri të hënën në orën 05.30 të mëngjesit.

Shqipëria vazhdon të jetë në fazën e dytë të epidemisë corona ku cdo ditë shfaqen raste të reja, Gjatë javës së parë të kësaj faze, që përfundon këtë fundjavë, janë shtuar edhe 3 viktima të tjera.

Autoritetet e shëndetësisë thanë për DW sot, e shtunë (2.05) se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur 7 raste të reja të infektuarish duke e rritur numrin e tyre në nivel kombëtar në 789 nga të cilët 519 janë shëruar. Numri i pacientëve aktivë është 239,  i të shtruarve 31, nga të cilët 7 janë në terapi intensive. Epidemia Corona ka shkaktuar deri tani 31 viktima, nga të cilat 3 brenda kësaj jave. Shtrirja gjeografike e infektimit ështe rritur duke arritur në 21 bashki nga 61 që ka gjithsej Shqipëria . Tirana vazhdon të mbetet epiqendra e infektimit me 90 raste, e ndjekur nga Kruja me 89, Kurbini me 24 dhe Shkodra. Fasoneritë në Kurbin, Krujë dhe Shkodër i shnderruan këto 3 bashki në dy javët e fundit në vatra infektimi që po monitorohen dhe kontrollohen tanimë rreptësisht.

Distancimi fizik-ky për shmangien e infektimit

Lehtësimi i shtetrrethimit këtë fundjavë me mot të keq dhe shira, ka nxjerrë nga banesat të moshuar, të rinj e të reja dhe qytetarë në orët e lejuara. Pas më shumë se 50 ditësh besimtarët katolikë kanë patur sot mundësi të shkojnë në Katedralen e tyre të Shën Palit në Tiranë, për të ndjekur ceremoninë fetare të fundjavës. Lehtësimi i masave ka lënë të pandryshuara dënimet e ashpra për shkelësit e orareve të caktura të liri-daljeve. Mesazhi i pandryshuar edhe në këtë fazë të dytë të epidemisë mbetet ruajtja e distancimit social, vendosja e maskave dhe zbatimi strikt i masave higjenike.

Zgjerim i bizneseve që rifillojnë aktivitetin ekonomiko-tregtar

Java që vjen do të rrisë numrin e bizneseve që rifillojnë aktivitetin e tyre sipas një plani të përcaktuar nga qeveria në bazë të konsultimeve me ekspertë të shëndetësisë dhe nivelit të riskut për infektim nga corona. Kryeministri Rama, theksoi se “ky plan do të ndryshojë, nëse dinamika e epidemisë ndryshon negativisht”.

Fjala është për hapjen e shërbimeve në javët që vijnë, i bareve dhe restoranteve vetëm në mjediset e tyre të jashtme deri në orën 17.30. Jeta publike, aktivitetet kulturore dhe artistike do të vijojnë të mbeten të ngrira.