Përfshihet nga flakët një banesë në Vlorë

481
Mbrëmjen e të mërkurës, u përfshi nga flakët një banesë në katin e gjashtë të një pallati, në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës, në pronësi të shtetasit Albert Isufi, biznesmen ndërtimi. 
Në momentin e rënies së zjarrit në banesë nuk ndodhej asnjë prej banorëve, çka ka bërë që të shkaktohen vetëm dëme të konsiderueshme materiale. 
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin dhe shuarjen e flakëve në banesë, e cila ka pësuar mjaft dëme. 
është dashur ndërhyrja e dy automjeteve zjarrfikëse, me rreth 10 forca për të bërë të mundur shuarjen e plotë të zjarrit në banesë dhe moslejimin e përhapjes në objektet e tjera përreth.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë, të cilat po hetojnë mbi dyshimet se zjarri ka qenë i qëllimshëm. 
Sipas asaj që kanë deklaruar njerëz të aferm, mësohet se banesa, fillimisht dyshohet të jetë grabitur nga dy persona të maskuar dhe më pas t’i jetë vënë zjarri. 
Edhe grupi i ekspertizës nga policia ka mbërritur për të vërtetuar nëse banesa është grabitur para se ti vihej flaka. 
Do të jenë hetimet e policisë, ato që do të hedhin më shumë dritë rreth faktit, nëse ka patur grabitje dhe zjarri është vënë pikërisht për të mbuluar gjurmët.
Sigal