Përbaltja e ushtarakëve dhe kontrata e fshehtë e Kodhelit

719
Sistemi i Integruar i Vëzhgimit të Hapësirës Detare është jo vetëm një element shumë i rëndësishëm i “Sigurisë Kombëtare“, por dhe “ura“ themelore lidhëse me të gjitha institucionet e tjera kombëtare, disa ministrive brenda fushave të interesit-misioneve si edhe organizmave-institucioneve ndërkombëtare, specifikisht me strukturat e NATO-s për “shkëmbimin e informacioneve” mbi menaxhimin e hapësirës detare shqiptare. Ky sistem monitoron dhe siguron kontroll të plotë mbi sovranitetin detar shqiptar, ndihmon dhe mbron Forcat Ushtarake Detare dhe njerëzit e pafajshëm në det (operacionet e “Kërkim & Shpëtimit”), ndihmon në luftën kundër krimit dhe terrorizmit duke kontrolluar trafikun e drogës, njerëzve dhe armëve, siguron mjedisin kryesor të komunikimit që mund të përdoret edhe nga strukturat e tjera të FA-së, lejon ministritë e tjera të përdorin benefitet kryesore që ofron sistemi, si edhe të shtojnë komponentë të tjerë sipas nevojave të tyre, ndihmon në arritjen e standarteve ndërkombëtare të BE-së, OKB-së dhe NATO-s, mbështet mbrojtjen e mjedisit dhe parandalon ndotjen duke informuar dhe duke u përgjigjur në kohë, lehtëson tregtinë në dobi të ekonomisë shqiptare (duke përfshirë rritjen e porteve) si edhe ndihmon në ruajtjen e burimeve të industrisë së peshkimit.
Kontrata me korporatën amerikane
Në mbështetje të “Marrëveshjes” ndërmjet Qeverisë së RSH dhe korporatës Amerikane “Lockheed Martin…” për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare”, miratuar me ligjin nr.9384, datë 4.5.2005, Këshilli i Ministrave me VKM Nr. 133, datë 22.03.2006 për “Lejimin e MM të përdorë procedurë të veçantë prokurimi me korporatën amerikane “Lockheed Martin…”, për ndërtimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapesirës Detare, – pika 1 e cilëson SIVHD-në si një “Vepër e veçantë e Mbrojtjes dhe e Sigurisë Kombëtare”. Në vijimësi të procedurave kontraktuale sipas VKM Nr. 538, datë 02.08.2006, për “Miratimin në parim të kontratës, ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH dhe kësaj korporate , për ndërtimin e SIVHD-së, – tek kapitulli “kushtet e kontratës dhe shtojcat” pika 16. Garancia shkruhet: (h) – Mbështetja pas Garancisë: – Furnizuesi pranon të ofrojë Shërbime Ndihmëse për Pjesë Rezervë për një periudhë kohe deri në dhjetë (10) vjet pas përmbushjes së kontratës së Periudhës se Garancisë; pika 17. Informacioni konfidencial: – Secila palë duhet të mbajë të fshehtë ose në të kundërt nuk duhet të përdorë ose të bëjë publike tek asnjë palë e tretë, pa lejim paraprak me shkrim nga pala tjetër, të dhëna ose informacion të palës tjetër që përcaktohen si “Në Pronësi” ose “I fshehtë”; pika 31. E drejta e njohurisë: (a) – Furnizuesi gjatë gjithë kohës do të ketë dhe ruajë të drejtën për pronësi të plotë për të gjithë të drejtën e njohurisë, përfshi shenjat dalluese, të drejtën e autorit (përfshi software), të drejtat e patentës, e sekretit të mjeshtërisë, përfshirë çdo të drejtë njohurie që ekziston gjatë kohës së kësaj kontrate si dhe çdo e drejtë njohurie që zhvillohet gjatë përmbushjes së kësaj kontrate. Furnizuesi do t’i garantojë Blerësit licencën e kufizuar jo ekskluzive, për të përdorur të drejtën e njohurisë, siç do të kërkohet për punën me SIVHD që lëvrohen sipas kësaj kontrate. Kjo licencë është e patransferueshme dhe Blerësi nuk do t’i japë ‘ndonjë të drejtë të tillë njohurie ndonjë pale të tretë, pa pëlqimin paraprak me shkrim të Furnizuesit. Furnizuesi gjithashtu do t’i japë Blerësit licencën e MTM 200 të Furnizuesit dhe softwerë të tjerë tregtarë.
Procedura sekrete e Mimi Kodhelit
Pikërisht kjo pjesë e kontratës, e ka “detyruar” Ministren Kodheli për të realizuar një proçedurë prokurimi në nivel të “Kufizuar – sekrete”, për të mos i dhënë asnjë mundësi firmës amerikane “Lockheed Martin…” që të marrë pjesë në tender nëpërmjet përfaqësuesit të saj në shqipëri. Realizimi i proçedurës së prokurimit “Të Kufizuar”, në kundërshtim me vetë “zotimit” fillestar të punës si Ministre për të realizuar një proçedurë prokurimi “të hapur” si edhe të rekomandimeve të KLSH dhe jo vetëm!, është kryer për të mbajtur të fshehur “sekret” të gjitha shkeljet flagrante të detyrimeve që MM kishte ndaj firmës amerikane, sikurse të realizonte rritjen me 5 (pesë) herë të kostove financiare të mirëmbajtjes së sistemit nëpërmjet “partnerit shqiptar të parasë” si edhe përmbylljen në fshehtësi të plotë të aferës më të madhe korruptive në Forcat e Armatosura. Ministria Kodheli jo vetëm që nuk i bëri asnjë ftesë firmës amerikane për mirëmbajtjen afatgjatë të sistemit, referuar avantazheve absolute financiare, teknike, trajinuese, modernizuese dhe të sigurisë, të parashturara në kontratën e realizimit të ndërtimit të sistemit (kujtojmë që marrja e ofertës për mirëmbajtjen afatgjatë – pesë vjeçare – të softit qendror menaxhues të sistemit MTM200 ishte realizuar në shkurt 2013 nga Ish-Ministri Imami) por ajo personalisht bllokoi përfundimisht me vetëdije të plotë, cinizëm komunist, hipokrizi rilindase, në vitin 2014 edhe lidhjen e kontratës për mirëmbajtjen e softit MTM200 me firmën amerikane sepse nuk donte asnjë kontakt me firmën amerikane, e cila nëpërmjet menaxhimit të softit qendror të sistemit (që faktikisht mbulon ¾ e kostove për mirëmbajten e gjithë sistemit) do të zbulonte aferat korruptive maramendëse financiare për pjesë tjetër të mirëmbajtjes së sistemit me partnerin “strategjik-financiar” shqiptar. MM, pas marrjes në dorëzim të sistemit të SIVHD-së në mars 2009 dhe periudhës së garancisë një vjeçare, ka vazhduar bashkëpunimin me korporatën amerikane gjatë 2010, duke mundësuar lidhjen e një kontrate shërbimi mirëmbajtje të SIVHD-së deri në dhjetor 2010 nëpërmjet një amendamenti shtesë në kontratën bazë – referuar ofertës të dorëzuar në shumën 250 000 USD, nga ku ishin planifikuar rreth 70 460 USD blerje pjesë rezervë për sistemin, pra kontratë shërbimi mirëmbajtje që përfshinte përveç mirëmbajtjes totale së sistemit (pjesët “software dhe hardware të tij) edhe trainimin e stafit teknik të sistemit të SIVHD-së.
Afera skandaloze e Mimi Kodhelit
Krahasimi i vlerës financiare të mirëmbajtjes totale vjetore të sistemit midis firmës amerikane “Lockheed Martin…”- me një kosto vjetore rreth 250 000 USD – afërsisht 18 000 USD në muaj (faktikisht në 2010 në marrëveshjen përfundimtare është 220 000 USD) dhe firmës shqiptare – me vlerën mesatare vjetore të miratuar me këtë “partner strategjik-financiar” shqiptar në nivelin 1.2 miliard lekë (të vjetra) – afërsisht 100 milion lekë në muaj (për 3 vjet 2015 – 2017, në vlerën totale prej 3.7 miliard lekë), e pasqyron thellësisht saktë aferën skandaloze korruptive, fytyrën e Ministres me makizhin “e pastërtisë” ndaj korrupsionit si edhe imazhin e “hekurt” të Kodhelit përpara pasqyrave “www.stopkorrupsionit.al; www.transparenca.al/” të Qeverisë të Kryeministrit Edi Rama. Gjatë 2011, MM autorizoi Komandën e Forcës Detare të realizonte procesin e mirëmbajtjes së sistemit, e cila e ka realizuar me një procedurë prokurimi të hapur (software dhe hardware) me kushte të veçanta kualifikimi “stratosferike”, tepër korruptive, po nëpërmjet kësaj firme shqiptare – “IDEA-TEL Sh.p.k.”, në kundërshtim me detyrimet kontraktuale dhe teknike që kishte MM me korporatën amerikane. Kjo proçedurë në variantin “full risk” ka qënë tepër e kompromentuar, jashtë mase abuzuese me fondin financiar, korrupsion si në asnjë proçedurë tjetër brenda FA për mos kryerje të asnjë llojë shërbimi dhe punime faktike (referuar raporteve të KFD dhe të auditimit/raporteve të Auditit të MM, veçanërisht lidhur me mirëmbajtjen e softit MTM200 dhe shërbimet e kryera). Kjo ka qënë arsyeja kryesore që për 2012 MM nuk zhvilloi asnjë procedurë mirëmbajtje të sistemit por u realizua vetë nga specialistët e mirëmbajtjes së sistemit në KFD, kurse për vitin 2013 MM e klasifikoi procedurën e “mirëmbajtjes të sistemit” me urdhër të veçantë të saj në nivelin e klasifikuar “I kufizuar” pra sekret, duke ndarë pjesën e “mirëmbajtjes së softit MTM200” që të prokurohej në KFD me korporatën amerikane, kurse pjesa e “mirëmbajtjes së pjesëve të sistemit-hardware” të prokurohej në MM, për të realizuar mënjanimin e të gjitha parregullësive dhe shkeljeve të ndodhura në KFD gjatë 2011 në proceset e hartimit të studimit, hartimit dhe zbatimit të kontratës si edhe specifikisht të krijimit të kushteve për mos pjesmarrjen përsëri të kësaj firme shiptare në proçesin e mirëmbajtjes afatgjatë të sistemit.
Procedura e prokurimit
Procedura e prokurimit për “Riparimin dhe mirëmbajtjen e sistemit (pjesa hardware)” u realizuar në muajin dhjetor 2013 në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi u anullua padrejtësisht nga Ministria Kodheli, sipas programit “partner strategjik-financiar 20%” procedura e prokuruar dhe fituar në muajin korrik 2013 nga firma – R&T Sh.p.k., për një periudhë një vjeçare deri në dhjetor 2014, e cila do të realizohej tani përsëri nga e njëjta firmë shqiptare “IDEA-TEL Sh.p.k.”. Procedura e prokurimit për pjesën “mirëmbajtja software – softit MTM200” për vitin 2013 me Korporatën amerikane nuk u lidh në KFD-ë pasi sistemi ishte pothuajse totalisht i defektuar dhe në fazën e parë të zbatimit të kontratës së riparimit të sistemit deri qershor 2014 nuk u paraqit asnjë problem në pjesën e softit MTM200. Në fazën e dytë të kontratës për “mirëmbajtjen e sistemit”, KFD-ja duhej patjetër të kishte zbatuar urdhërin në fuqi të Ministrit të Mbrojtjes (Ish MM Arben Imami, i cili nuk ishte shfuqizuar ende sepse vetë hapat e ndjekur gjatë prokurimit të shërbimit ndaj sistemit e kanë pasqyruar atë të pa prekur si në MM dhe KFD) për të lidhur kontratën me firma amerikane “Lockheed Martin Global Incorporated” për “mirëmbajtjen e softit MTM200” sipas ofertës të dorëzuar në KFD-ë, pasi gjendja në të gjitha nyjet e sistemit tek paisjet speciale të sistemit kishte arritur pikën ekstreme kritike teknike ku gjendej sistemi – psh. në çdo Pikë Sinjalizim Vrojtimi–ritransmetimi (stacion radari) ishte në gadishmëri pune vetëm një njësi kompjuterike ose WS nga dy kompjutera që gjenden dhe duhet patjetër të jenë në gjendje pune, në përmbushje të gadishmërisë tekniko-operacionale, sepse të gjithë WS dublant ishin të defektuar dhe nuk zotërohej asnjë paisje rezervë në depo, pra çdo zëvendësim në rast defekti të një njësie kompjuteri – WS apo serveri do të kërkohej patjetër softi MTM200, për të cilin licensat, autorizimet, të drejtat, pornësinë e zotëron vetëm Korporata amerikane LMGI.
Shmangia e amerikanëve
MM bllokoi, shmangu dhe përjashtoi përfundimisht për qëllime private “strategjiko-financiare” nga proçesi i mirëmbajtjes afatgjatë të sistemit të radarëve (2015 – 2017) firmën amerikane, e cila jo vetëm ka analizuar, projektuar, hartuar studimin si dhe ndërtoi këtë sistem (vetëm pjesën teknike “hardware-software“ – pajisje elektro-mekanike, soft, etj) me koston 17.9 milionë USD dhe me kosto totale të sistem rreth 45 milionë USD), por njëkohësisht zotëron të gjitha të drejtat ekskluzive të bërthamës së sistemit – soft-in menaxhues qendror “MTM200“, kur njëkohësisht referuar ofertave që ka dhënë firma amerikane në të kaluarën (përfshirë të dyja pjesët software + hardware), kostot financiare janë shumë të reduktuara/efektive dhe sigurojnë një mirë menaxhim dhe kontroll perfekt të të gjithë proceseve tekniko-operacionale. Veçanërisht çmimet e siguruara për materialet/pjesët e radarëve janë tepër të ulëta, krahasuar me ato të dhëna nga firma shqiptare, që shkojnë në nivelet 250% (4-5 herë) më të shtrenjta, pavarësisht se paisjet sigurohen nga i njëjti furnizues – firma italiane GEM, Itali. Softi “MTM200”, i cili zbërthen sinjalet e radarëve në pamje vizuale vektoriale në sallën operacionale Durrës dhe menaxhon e bashkërendon në një sistem të vetëm të gjitha nënsistemet e SIVHD, është pika qendrore kryesore si për funksionimin e sistemit por edhe për “mirëmbajtjen e sistemit si edhe për realizimin të çdo shtesë, përmirësimi “Upgrade” apo modernizimi të teknologjisë në sistem apo anijet e FD-së”. Ky soft, me kosto afërsisht 450 000 USD, është i pa mundur të “mirëmbahet“ nga KFD-ja në nivelin e “adminsitrtorit” kurse nga firma private “IDEATEL“ nuk mund të sigurojë shërbimin as në nivelin “user”, por vetëm nga firma amerikane. Prej muajit korrik 2015 dhe ende aktualisht softi MTM200 gjendet totalisht i defektuar në serverat qendror, pra sistemi është totalisht jashtë gadishmërie teknike-operacionale dhe firma shqiptare vazhdon të marrë pa asnjë pengesë “bonuset mujor shpërblyes financiar” të Ministres Kodheli prej afërsisht 100 000 000 lekë dhe në kundërshtim të plotë me çdo rregull, marrëveshje, kontratë midis MM dhe firma shqiptare ka filluar zëvendësimin e softit MTM200 me një soft tjetër. 
Ndryshimi i softit
Ndryshimi i softit MTM200 me një soft tjetër, të zotëruar nga firma e prodhimit të radarëve GEM, Itali – vetëm për menaxhimin e paisjeve të radarve (kujtojmë se sistemi i SIVHD përbëhet në vetëvete nga rreth 11 nënsisteme, të integruara brenda softit MTM200) do të shkaktojë jo vetëm cënim të gadishmërisë operacionale mbi monitorimin e hapësirë detare por specifikisht kosto tepër të larta shtesë financiare blerje – mirëmbajtje dhe teknike, duke siguruar “zotërimin/përvetësimin total“ të të drejtave tekniko-financiare mbi sistemin, duke detyruar një linjë të vetme teknologjie zgjermi/modernizimi në të ardhem (teknikisht në renditje botërore apo në Itali GEM nuk zë vendin specifik) me kostot e të cilave do të ishin të “dedikuara“ vetëm nga firma “IDEA-TEL Sh.p.k.“ duke mos patur asnjëherë konkurencë të hapur apo teknologji më moderne si dhe sistemi aktual i SIVHD brenda një periudhe 2 vjeçare del komplet jashtë konfigurimit aktual pra përfundimisht shkatërohet totalisht një investim rreth 45 milionë USD. Njëkohësisht procesi i ndryshimit të softit nga firma shqiptare si dhe lejimi i zotërimi total i sistemit prej saj (administrimi qendror i softit), sigurisht patjetër edhe pas 2 viteve – për kontratën e radhës të mirëmbajtjes së sistemit pas vitit 2017, përbëjnë një hap specifik shumë të rezikshëm, veprim/proces, i cili prek dhe cënonë elementë shumë të rëndësishëm të sigurisë kombëtare, specifikisht mbi kontrollin e hapësirës detare, trafikun e mjeteve lundruese, luftën kundër kontrabandës së drogës apo lëndëve narkotike si edhe në luftën kundër terrorizmit. Mos lidhja e kontratës me Korporatën amerkane ka lënë jashtë sistemit të SIVHD-së, të pa instaluar dhe vendosur në punë radarin që gjendet në PSV Uji i Ftohtë, Vlorë (dhuratë e DIA-së, Korrik 2013, pas largimit nga ishulli i Sazanit), i cili për specifikat që zotëron, ka fuqinë e dyfishtë të radarëve që gjenden në sistem. Ky radar vazhdonë të shkatërohet, prishet dhe të mos vendoset asnjëherë në punë sepse nevojitet minimalisht – detyrimisht softi MTM200 për konfigurimin dhe integrimin e tij në sistemin e SIVHD-së. Ky radar u dhurua nga DIA për të forcuar dhe rritur kapacitetet tona tekniko-operacionale për monitorimin e plotë të hapësirës detare, edhe në variantin e pë rdorimit “mobil”, një problem organizativ dhe teknik që vazhdimisht është injoruar nga SHPFA dhe MMa, me prapavijën e mos futjes në asnjë moment të firmës amerikane. Komanda e Forcës Detare duhet të realizojë në këtë periudhë objektivat e paketës së re të Kapaciteteve të Mbrojtjes (CT) pikërisht objektivin M 7204N pra “Maritime Situational Awareness-Collection-njohja e situatës detare-grumbullimi” (pra ndërtimin e rrjetit për “data share – shkëmbim informacioni”, të “paklasifikuar”, në mbështetje të krijimit të tablosë detare në SHPFA dhe të Koordinimit me NATO-në – fillimi i vitit 2016 etj). Mos lidhja e kontratës për mirëmbajtjen e softit me Korporatën amerikane e ka bërë të pamundur realizimin e këtij objektivi të MM përball NATO-s.
Koloneli dhe gjenerali si pjesë e aferës
Ministria e Mbrojtjes (veçanërisht Kol. Ferdinand Dimo dhe Shefi i Shtabit Gjen. Maj. Jeronim Bazo), në mënyrë të përsëritur, në varësi të situatave, nevojave teknike që ka paraqitur sistemi i SIVHD-së për sigurimin e gadishmërisë tekniko-operacionale të tij apo të përmbushjes së detyrimeve për realizimin e “data share” me partnerët e vendeve të NATO-s apo ndaj vetë NATO e që ka paraqitur sistemi i SIVHD-së, i kanë kërkuar disa herë oferta për “shërbime teknike” të ndryshme firmës amerikane, por pa i kthyer asnjëherë përgjigje institucionale për ofertat e dhëna, sjellje që ka shkaktuar një indinjatë, mos seriozitet dhe mos korrektesë totale institucionale ndaj këtij partneri strategjik të vendit tonë. Firma amerikane zotëron ende 11 liçensa “të lira” të softit MTM200, të pa përdorura, për ngritjen – zgjerimin me stacioneve të reja shtesë pune, të para paguara nga shteti shqiptarë brenda vlerës së softit për të mundësuar realizimin e proçesit “data share” me institucione apo organizma brenda vendit si dhe jashtë tij, aq më tepër që firma amerikane është e pa zëvendësueshme në procesin e mirëmbajtjes së sistemit, të zgjerimit të shfrytëzimit të tij drejt NATO-s si edhe modernizimit të tij dhe të flotës detare (paisjen e anijeve me sistemin e kamerave “FLIR” dhe trasmetimin “Live” të operacioneve të “kërkim-shpëtimit” në det). Ministria Kodheli arriti kulmin kur në kuadër të mbrojtjes përball abuzimeve/akuzave, të faktuara nga KLSH-ja me këtë firmë, në parlamentin shqiptarë, në vend që të mbronte platformën e zhvillimit afatgjatë “10 vjeçar” të FA, mori guximin, kurajon të mbronte jashtë logjikës dhe proçedurës të gjitha veprimet antiligjor që në momentin e hyrjes në zyrën e Ministrës në shtator 2013 dhe në proces. Personeli ushtarak që rekomandoi sigurimin dhe lidhjen e një kontrate shërbimi mirëmbajte afatgjatë të sistemit (software dhe hardware), u shmang nga pozicioni i tij drejtues dhe u largua nga karrierën e tij ushtarake.
“Pastrimi” i Mimi Kodhelit
Ministria Kodheli nuk i ka dërguar asnjë ftesë firmës amerikane për riparimin e softit MTM200, të paguar me taksat e shqiptarëve, por edhe duke thyer çdo normë, standart, proçedurë dhe VKM, ka flakur në koshin “Të pastrojmë Shqipërinë” jo vetëm të gjithë investimin strategjik shtetëror të SIVHD, por edhe të vetmit partner strategjik të Shqipërisë, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, pra firmën amerikane “Lockheed Martin…”. Ministria Kodheli dhe “qengji i urtë-bindur” Gjeneral Major Jeronim Bazo i kanë lënë fatet e “menaxhimit, kontrollit dhe sigurimit” të të gjithë hapësirës detare shqiptare dhe të kësaj “vepre të sigurisë kombëtare” tek i vetmi partner personal “strategjiko-financiar” shqiptar, duke cënuar me vetëdije dhe flagrancë shumë elementë të sigurisë kombëtare. Ministria Kodheli dhe Gjen. Maj. Bazo, në referencë të shkeljeve të kalibrave “strategjikë”, abuzimeve financiare të parametrave stratosferikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për “cënim të elementëve të sigurisë kombëtare” duhet të dalin përpara Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe të përgjigjen përpara fakteve tronditëse, duke u shoqëruar ky proçes “hetimi parlamentar” me ngritjen e një komisioni special teknikësh në fushën përkatëse për analizimin e proçeseve, konstatimin, verifikimin dhe detajimin e çdo shkelje. Cili ka qënë “ilaci special” që ka verbuar apo trimëruar këtë zonjë të “hekurt” të qeverisë së “Rilindjes”? 
Sigal